Për tango nevojiten dy veta: Elitat politike dhe profesionistët e mediave  

Për tango nevojiten dy veta: Elitat politike dhe profesionistët e mediave
01/03/2023

“Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd, pastaj kthehu e ofroja dhuratën tënde. Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd derisa je ende rrugës, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, ndërsa gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. Me të vërtetë po të them: Nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit.”- Ungjilli  sipas Mateut*, Mësimi 5 , 23-26. 

Sipas natyrës së  njeriut, është më e lehtë të urrejmë dikë që kemi dashur sesa të duam atë që kemi urryer. Pajtimi gati kurrë nuk ndodhë në mënyrë spontane, kështu që ekziston nevoja për gatishmërinë politike që të zbatohet. Në mënyrë që kjo nismë të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë, është e nevojshme që vazhdimisht të ndikojmë në perceptimin e publikut, i cili ndryshon shumë ngadalë. Prandaj, elita politike dhe profesionistët e mediave janë bazë në përpjekjet për të zvogëluar hendekun në marrëdhëniet në mes të dy qeverive, por edhe në mes të njerëzve të “rëndomtë”. 

Fqinjët vazhdimisht krijojnë, prishin ose përmirësojnë marrëdhëniet. Vetëm për shkak se dy subjekte kanë arritur të zhvillojnë marrëdhënie miqësore një herë, nuk do të thotë se ato do të zgjasin përgjithmonë.  Ne kemi përjetuar në rastin tonë, ku armiqësitë e rrënjosura thellë kombëtare, të cilat pengojnë përpjekjet për të rindërtuar marrëdhëniet e prishura, vazhdojnë për dekada dhe madje edhe shekuj. Prandaj, kjo është arsyeja pse, në fakt, mund të jetë befasuese vetëm në shikim të parë, që gjeneratat që janë duke u rritur pas periudhave më intensive të konfliktit, ata që as nuk kanë përjetuar fare ngjarjet traumatike, ende ushqejnë ndjenja armiqësore, madje edhe në  nivelin shoqëror. 

Ndërprerja e luftës, pranimi i bashkëjetesës ose krijimi i një aleance janë të gjitha, faktikisht, lloje të ndryshme paqeje. Megjithatë, gjendja “e ftohtë” e paqes nuk garanton marrëdhënie të qëndrueshme, sepse ekziston rreziku i vazhdueshëm i kthimit të armiqësisë. Në bashkëjetesën në paqen e “ftohtë”, mungon pranimi i ndërsjellë dhe integrimi i mëtejshëm.  

Në këtë drejtim, hulumtimi i kryer në vitin 2015, në nivel kombëtar në mesin e maturantëve në Kroaci është shumë ilustrues. 

Shumica nga 1,146 pjesëmarrës (85%) deklaruan se mund të imagjinojnë  të jenë në një marrëdhënie miqësore me një person të një kombësie, feje ose race tjetër, gjë që tregon tolerancë në nivel individual ndaj dallimeve fetare dhe kombëtare. Ndërkaq, kur u shtrua pyetja për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në fushën publike, pjesëmarrësit ishin dukshëm më pak tolerantë. Gati gjysma e të anketuarve besojnë se karakteristikat e rëndësishme kulturore të pakicave, si gjuha, nuk duhet të përfaqësohen në institucionet shtetërore. 

Çka nënkuptohet me pajtimin “e suksesshëm”? A është momenti kur liderët kombëtarë i shtrëngojnë duart? Apo kur marrëdhëniet ekonomike bëhen intensive? Çka nëse pas pesë apo pesëmbëdhjetë vitesh bashkëjetesë paqësore, marrëdhëniet përkeqësohen në mënyrë drastike nën një qeveri të re, le të themi ekstreme nacionaliste?  

Përzierja shpërthyese e asaj që u përmend më lart, për fat të keq, ende në masë të madhe përcakton marrëdhëniet aktuale ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në seancën për Kosovën dhe Metohinë, të mbajtur në Kuvendin e Serbisë në fillim të shkurtit, presidenti i Serbisë theksoi se “asnjëherë në jetën e tij nuk ka shtrënguar dorën me kryeministrin e Kosovës”, e aq më pak të ketë bërë një foto në shenjë mirësjellje të zakonshme formale gjatë takimit. 

“Jo vetëm që nuk kam përqafuar Kurtin, puna ime do të ishte shtrëngimi i duarve, por unë kurrë në jetën time nuk kam shtrënguar duart me atë njeri”, ka thënë Aleksandar Vuçiq, duke treguar një foto të marrë nga rrjetet sociale, ku kinse janë ai dhe Kurti. 

Ndërsa, duke folur për “Deutsche Welle” kah mesi i të njëjtit  muaj,  në 15 vjetorin e shpalljes së (njëanshme) të pavarësisë, kryeministri i Kosovës vlerësoi se Kosova është një histori e suksesit të dyfishtë: në “luftën për çlirimin e një kombi” dhe “ndërtimin e demokracisë i shoqëruar me zhvillim ekonomik”.  

Me atë rast gazetari nuk e pyeti se çka mendojnë për pasojat e “luftës për çlirimin e njërit” pjesëtarët e kombeve të tjera që jetojnë në Kosovë.  

Përderisa mediat vazhdojnë të manipulojë opinionin publik, duke futur frikën ndaj tjetrit, për interesat e tyre personale dhe politikanët vazhdojnë të shfrytëzojnë patriotizmin e rremë për të përmbushur ambiciet e tyre politike, pajtimi i vërtetë nuk ka gjasa të ndodhë. 

Nga ana tjetër, injoranca apo mohimi i qëllimshëm i informacionit nga  votuesit e tyre rrezikon demokracinë si sistem dhe potencialisht lë hapësirë ​​për manipulimin e publikut nga elita, si dhe për gabime të rënda të shkaktuara nga nevoja e politikanëve që vazhdimisht apelojnë një elektorat të painformuar, me qëllim që të fitojnë ose të ruajnë sa më gjatë që të jetë e mundur pozicionet e tyre. 

Kujtojmë se procesi i pajtimit franko-gjerman konsiderohet modeli më i mirë. Atëherë kishte një udhëheqje të fortë të përbashkët me synim të pajtimit, jo vetëm në fillim, por edhe gjatë disa dekadave të ardhshme. Nëse ministri i atëhershëm i Jashtëm francez Robert Schumann dhe kancelari i atëhershëm gjerman Konrad Adenauer luajtën një rol parësor në shkrirjen e marrëdhënieve antagoniste, duke nënshkruar Planin Schumann, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, përpjekja e përbashkët politike e Charles de Gaulle dhe Adenauer kontribuoi në ruajtjen e tij, që më vonë solli realizimin e traktatit të miqësisë franko-gjermane në vitin 1963 (Traite de l’Elysee). 

Ndërprerja e politikës së pajtimit turko-grek, e nisur në vitin 1920, flet qartë për rëndësinë e konsistencës në politikën e brendshme. Angazhimi për pajtimin e ish-kryeministrit grek Eleftherios Venizelos dhe themeluesit të Turqisë moderne, Kemal Ataturk, solli me sukses gatishmërinë për pajtim, pavarësisht ksenofobisë në shoqërinë greke dhe turke. Megjithatë, duke qenë se politikat e tyre miqësore humbën mbështetjen e brendshme, marrëdhëniet midis dy vendeve shumë shpejt përsëri u “tensionuan”. 

Lëvdatat e komunitetit ndërkombëtar për marrëveshjet në mes të Qeverisë turke dhe Jermenisë për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike të tyre, në tetor të vitit 2009, nuk ishin në gjendje për të penguar protestat e dhunshme të partive politike dhe shoqërisë civile përbrenda të këtyre dy vendeve.  

Ish-armiqtë mund të jenë ende në mosmarrëveshje për çështje serioze politike, por në esencë ata mund dakordohen që mosmarrëveshjet e tilla duhet të zgjidhen me mjete joushtarake, dhe kjo paraqet shtyllën kryesore e një paqeje të qëndrueshme, aq të ndryshme nga ajo e “ftohta”. Në anën tjetër, entitetet mund të vendosin gjithmonë të kthehen në luftë për të zgjidhur problemet e tyre. 

Megjithatë, në epokën e globalizimit, shumë çështje nuk mund t’i zgjidh vetëm një shtet,  madje edhe nëse është një superfuqi bërthamore, e as ndihma e “projektit më të rëndësishëm të paqes botërore” (Bashkimi Evropian), në këtë kuptim, nuk është e mjaftueshme për sukses brenda natës. Tendenca në rritje drejt ndërvarësisë tregon se të ardhmen duhet ta përballojmë së bashku. Nëse “duaje armikun tënd më të afërt” duket shumë idealiste, është e rëndësishme të kujtojmë se në politikën ndërkombëtare, pasojat e humbjes së një mundësie për të përmirësuar marrëdhëniet, kur ato paraqiten shkurt, mund të jenë të mëdha. 

* përkthimi i Komisionit të Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijsh të Kishës Ortodokse Serbe  

Ky Op-ed është publikuar si pjesë e projektit “Forcimi i pjesëmarrjes qytetare të të rinjve në proceset politike” zbatuar nga New Social Initiative (NSI), financuar nga National Endowment for Democracy (NED).

Share:

Goran Avramović

Editor-in-chief, Radio Kim

Goran Avramoviq ka lindur në vitin 1972 në Kragujevc.Punon si gazetar që nga viti 1993 në Kragujevac, Athinë (Greqi), dhe që nga viti 2001 në Kosovë. Që nga maji 2009, ai është kryeredaktor i Radio Kim nga Çagllavica (afër Prishtinës).I martuar, dhe baba i dy vajzave.

Share: