A është termi njohje de facto një problem më i rëndësishëm se njohja reciproke (mutual recognition)?

A është termi njohje de facto një problem më i rëndësishëm se njohja reciproke (mutual recognition)?
21/12/2023

Në deklaratën e përbashkët të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte një kërkesë që Serbia ta jetësojë njohjen de facto. [1] Tre ditë më vonë, presidentja e Komisionit evropian Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, ka përsëritur kërkesën e liderëve evropian, duke përdorur të njëjtin formulim. [2] Këto veprime kanë befasuar publikun, veçanërisht atë në Serbi. Mirëpo, shtrohet pyetja pse reagimi i opinionit serb në këtë rast ishte kaq i ashpër, duke pasur parasysh se disa zyrtarë/institucione në të kaluarën, tashmë kanë përdorur, me sa duket, një term shumë më të zëshëm – njohje reciproke (mutual recognition).[3][4][5]

Përkatësisht, ekzistojnë tre dallime themelore kur bëhet fjalë për përdorimin e termave të përmendur. Në radhë të parë, ndryshimi është në subjektin që përdor termin. Në këtë drejtim, formulimin njohje reciproke (mutual recognition), kryesisht e kanë përdorur zyrtarë të shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe në kontekstin e Bashkimit Evropian këtë e ka bërë vetëm parlamenti i tij, institucion që tradicionalisht ka një qasje më të “lirë” ndaj kësaj dhe çështjeve të tjera. Ndonëse, një qasje e ngjashme do të pritej edhe nga Komisioni Evropian, si një organ me karakter mbi kombëtar, perceptimi i pozicionit të kryesuesit si president i Bashkimit në tërësi, bëri që vetë Komisioni të merrte një qëndrim shumë më të rezervuar/diplomatik ndaj çështjeve, për të cilat nuk ka unitet brenda organizatës. Prandaj, edhe pse thjesht futja e termit njohje de facto në diskursin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ishte befasues, vendimi i Presidentes së Komisionit Evropian për të përdorur formulimin e përmendur e hutoi edhe më shumë publikun.

Një gjë tjetër lidhet pikërisht me momentin në të cilin përdoret termi. Përkatësisht, siç theksoi Presidentja e Komisionit Evropian në fjalimin e saj në Prishtinë, njohja de facto nënkupton ’zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe parasheh hapa të ndryshëm, që përfshijnë, për shembull, njohjen e dokumenteve dhe institucioneve nga Serbia’. [6]

Megjithatë, pasi Aneksi i lartpërmendur i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit u pranua nga përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës në Ohër, më 18 mars të këtij viti, askush, përveç zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, nuk iu referua dokumentit të lartpërmendur në kontekst njohjes de facto. Nëse supozojmë se deklaratat e presidentes së Komisionit janë të sakta dhe se realisht nuk ka dispozita të reja të inkorporuara, reagimi i ashpër i publikut ishte pjesërisht për shkak të ndryshimit, në dukje, të paprovokuar të diskursit.

Dallimi i tretë dhe i fundit është në kuptimin juridiko-logjik. Përkatësisht, në kuptimin në të cilin është përdorur më herët, më shpesh i përmendur, me theks në nevojën për arritjen e një “marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese”(comprehensive legally-binding agreement), ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, termi “njohje reciproke” (mutual recognition) nënkupton njohjen de jure të dyja palëve. Për shumëkënd formulimi i përmendur ishte i pakuptimtë, duke theksuar se Serbia, si vend tashmë i njohur dhe anëtar i Kombeve të Bashkuara, nuk ka nevojë për njohje nga Kosova. Megjithatë, në rast të njohjes de jure të Kosovës nga Serbia, kufijtë e Serbisë do të ishin të ndryshëm nga ata brenda të cilëve ajo njihet tani. Njëkohësisht, duke marrë parasysh se Kosova e percepton Serbinë ekskluzivisht brenda kufijve pa ‘KA Kosovë dhe Metohi’, është e qartë se, për arsye praktike, do të ishte e nevojshme njohja formale e kufijve të rinj edhe nga Qeveria në Prishtinë. Pra, kur bëhet fjalë për njohjen de facto, çështja është më e paqartë. Domethënë, sipas të drejtës ndërkombëtare, njohja de facto nënkupton njohje, që është e një natyre të përkohshme, pra një shtet që de facto njeh një shtet tjetër, sinjalizon se ekziston mundësia që njohja të “tërhiqet” nëse ndodhin (ose nuk ndodhin) rrethana të caktuara. [7] Nga ana tjetër, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare nuk e shohin Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksin e Ohrit si akt të njohjes de facto [8], por disa janë të mendimit se marrëveshjet e dakorduara ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mund të interpretohen si një formë e njohjes implicite, gjë që besojmë se e kishin parasysh zyrtarët në Prishtinë, por edhe liderët evropianë. Në këtë kuptim, vetë marrëveshja, e cila u shërbeu ndërmjetësve në dialog si model për krijimin e ‘Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit’, ‘Marrëveshja themelore e dy gjermanive të vitit 1972’, citohet si një nga shembujt më përfaqësues të njohjes së nënkuptuar [9]. Por, është e vështirë të imagjinohet se si zyrtarët evropianë nuk ishin të vetëdijshëm se po përdornin një term joadekuat. Në këtë kuptim, inkorporimi i këtij termi, nga publiku serb u kuptua si një formë e ‘ndëshkimit’ të Beogradit për shkak të natyrës jokonstruktive lidhur me ngjarjet e fundit lidhur me sulmin e ndodhur më 24 shtator në Banjskë, në Veri të Kosovës.

Ndonëse, përdorimi i një terminologjie të tillë nuk është veçanërisht befasues në kontekstin e liderëve të shteteve evropiane të përmendur në hyrje, përdorimi i tij nga presidentja e Komisionit Evropian, një institucion që as që ishte i prirë të përdorte termin njohje reciproke(mutual recognition) në të kaluarën, me të drejtë ka shqetësuar publikun.

Në parim, vetë termi njohje de facto nuk është dukshëm i ndryshëm nga termi tashmë i përdorur njohje reciproke(mutual recognition). Megjithatë, duke pasur parasysh tre dallimet themelore të theksuara në tekstin e mësipërm:

• përdorimi nga disa aktorë të cilët më parë nuk e kanë përdorur termin njohje reciproke (mutual recognition);

• momenti në të cilin ka ndodhur ndryshimi në diskurs;

• mospërputhja e përdorimit të termit në raport me përcaktimin juridik ndërkombëtar;

Termi njohje de facto, për publikun serb është de facto problematik.


 

Kjo përmbajtje u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Iniciativa e Re Sociale në partneritet me Alternativna.


 

[1] ‘Joint statement by President Macron, Chancellor Scholz and President Meloni on the EU-facilitated Dialogue on normalisation of relations between Kosovo and Serbia’. Italian Government, Presidency of the Council of Ministers. https://www.governo.it/en/articolo/joint-statement-eu-facilitated-dialogue-normalisation-relations-between-kosovo-and-serbia (accessed on November 9, 2023.)

[2] ‘Fon der Lajen ponovila u PR, reći će i u BG: Obaveza Prištine ZSO, a Beograda de fakto priznanje’. KoSSev. https://kossev.info/fon-der-lajen-ponovila-u-pr-reci-ce-i-u-bg-obaveza-pristine-zso-a-beograda-de-fakto-priznanje/ (accessed on November 9, 2023.)

[3] ‘Report on the 2021 Commission Report on Serbia’. European Parliament. https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/AFET-AM-719760_EN.pdf (accessed on November 9, 2023.)

[4] ‘US Urges Prompt Mutual Recognition Between Serbia And Kosovo Following EU Proposal’. The Pavlovic Today. https://thepavlovictoday.com/us-urges-prompt-mutual-recognition-between-serbia-and-kosovo-following-eu-proposal/ (accessed on November 9, 2023.)

[5] ‘President Joe Biden says ‘mutual recognition’ key to Kosovo, Serbia talks’. Euronews. https://www.euronews.com/2021/04/20/president-joe-biden-says-mutual-recognition-key-to-kosovo-serbia-talks (accessed on November 9, 2023.)

[6] ‘Fon der Lajen ponovila u PR, reći će i u BG: Obaveza Prištine ZSO, a Beograda de fakto priznanje’. KoSSev. https://kossev.info/fon-der-lajen-ponovila-u-pr-reci-ce-i-u-bg-obaveza-pristine-zso-a-beograda-de-fakto-priznanje/ (accessed on 11/10/2023.)

[7] P. Kilibarda. ’Recognition of States in International Law’ (Doktorska disertacija, University of Geneva, 2021), pp. 54-55.

[8] ‘Šta znači „de facto“ priznanje Kosova koje spominje Ursula fon der Lajen?’. KoSSev. https://kossev.info/sta-znaci-de-facto-priznanje-kosova-koje-spominje-ursula-fon-der-lajen/ (accessed on November 10, 2023.)

[9] P. Kilibarda. ’Recognition of States in International Law’ (Doktorska disertacija, University of Geneva, 2021), pp. 35

Share:

ALEKSANDAR ŠLJUKA

PROJECT OFFICER

Aleksandar Šljuka u angazhua në punë me OSHC/OJQ në Serbi. Në vitin 2022, ai bashkëthemeloi podcast-in e parë të studentëve në Fakultetin e Shkencave Politike – Politikast. Në një hark kohor prej disa muajsh, ai ishte një nga prezantuesit dhe redaktorët e këtij projekti, i cili priti disa nga figurat më të shquara të shkencës politike serbe. Ai ka diplomë në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit dhe aktualisht është duke punuar si zyrtar i projektit në Iniciativën e Re Sociale.

Share: