Kërkoj të vërtetën dhe paqen

Kërkoj të vërtetën dhe paqen
28/12/2023

Disa ditë pas konfliktit të armatosur në Banjskë, më në fund u bashkuam. Unë isha ulur me familjen time. Në tryezën e kuzhinës, të gjithë janë ende në shok. Fola me zë të lartë – për atë që kam menduar që nga 24 shtatori – jam mirënjohëse që të gjithë njerëzit e mi janë gjallë. Sepse kishte viktima. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre Serbë, njëri prej të cilëve është nga vendlindja ime.

Kush i vuri armët në duart e bashkëqytetarëve të mi? Unë nuk besoj në versionet zyrtare. Ajo nuk është e gjithë e vërteta, jam e sigurt.

Megjithatë, nuk kam përgjigje konkrete për këtë pyetje, as se cili ishte motivi i grupit për të filluar diçka që ishte katastrofë, si për pjesëtarët e policisë, ashtu edhe për ata, familjet e tyre dhe gjithë komunitetin në Veri. Besoj gjithashtu se detyrimi, abuzimi dhe manipulimi mund të fshihen pas motiveve…

Unë, si dhe gjithë publiku, jemi të interesuar se cili ishte qëllimi. Unë nuk besoj as në versionet zyrtare për këtë çështje.

Cilido që ishte qëllimi, një është e sigurt – ky konflikt rezultoi me frikë, jo vetëm tek serbët në Veri. Marrëdhëniet ndëretnike janë dëmtuar edhe më shumë, mesazhet nga Beogradi dhe Prishtina vërtet kontribuojnë vetëm në mosbesim shtesë, si dhe në dezinformata, që marrin deri më tash përmasa të papara.

Pas të shtënave dhe armëve, jeta për serbët në Veri të Kosovës duket si një “rënie e lirë” në kokë, ka një dozë të pazakontë frike dhe pritjeje.

Në anën tjetër, jam e sigurt se 24 shtatori nuk do të kishte ndodhur nëse Beogradi edhe Prishtina do të ishin kujdesur realisht për nevojat e qytetarëve.

Jo, në asnjë mënyrë nuk e mbroj dhe as nuk e pranoj idenë e një rebelimi të armatosur nga Serbët e Kosovës, por theksoj se duke bërë lajka me elektoratin, si Beogradi ashtu edhe Prishtina e zgjedhin militarizimin.

“Fajin e kanë politikanët tanë dhe ata që nuk kanë arritur marrëveshje për të na mundësuar një jetë të qetë”, tha një nga banorët e Banjskës, pas konfliktit të armatosur.

Dhe në të vërtetë, nëse të dyja palët do të kishin dëgjuar me kujdes dhe respektuar nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të tyre, dhe në këtë rast të atyre në Veri, sot mund të kisha shkruar për avantazhet e një marrëveshjeje të re, e cila, për shembull, nënkupton një jetë më të zakonshme të përditshme.

Edhe tani, pas Banjskës, një ngjarje e pazakontë dhe e paprecedentë, po ndodh e zakonshmja dhe e pritura. Si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën, qëndrimi në pushtet është mbi jetën normale të qytetarëve – propagandohet politika partiake dhe bëhet një lloj fushate që synon elektoratin.

Frikësohem që “rënia e lirë” zhvillohet me një shpejtësi gjithnjë më të madhe.

Prandaj, kërkoj të vërtetën dhe paqen.

Për konfliktin e Banjskës na nevojitet e vërteta. Por e vërteta, pa përzierje dhe ndikime politike e partiake.

Besoj që e vërteta është ”arma” më e fuqishme e serbëve të Kosovës.

Paqe – për të afërmit e mi, përfshirë bashkëqytetarët e mi, pavarësisht nga kombësia e tyre

Armët në duart e kujtdo qoftë, edhe të policisë, drejtuar qytetarëve të thjeshtë, nuk është një mënyrë për të krijuar besim. Është krejt e kundërta. Të kujtojmë, në fund të fundit – ka një histori të gjatë luftërash, represionesh dhe armësh në Kosovë. Si duket historia po përsëritet, por tani në role të ndryshuara.

Duhet ta ndryshojmë skenarin – lufta dhe largimi nga shtëpia familjare nuk duhet të jetë e ardhmja ime dhe e askujt tjetër në Kosovë.

Prandaj – e vërteta dhe paqja.

Share:

Ana Marija Ivković

Editor-in-chief, Alternativna

Ana Marija Ivković është gazetare dhe aktiviste civile nga veriu i Kosovës. Ajo është redaktore e portalit Alternativna dhe gazetare për Radio Kontakt Plus. Me një dekadë përvojë në gazetari, ajo ka raportuar për media vendore dhe rajonale. Ajo ka ndjekur procesin e Brukselit që nga fillimi i tij. Në dy vitet e fundit, puna e saj është fokusuar në raportime të fushës dhe luftimin e dezinformimit.

Share: