Ne, përfaqësuesit e poshtëshënuar të organizatave të shoqërisë civile nga komuniteti
serb në Kosovë, shprehim shqetësim dhe protestë serioze lidhur me vendimin e Ministres
së Drejtësisë së Kosovës për emërimin e noterëve, që nuk ka përfshirë asnjë noter nga
komuniteti serb në mesin e 100 noterëve të emëruar.
Lidhur me këtë vendim, theksojmë se aktualisht në Kosovë janë dhjetë avokat serb të
cilët e kanë dhënë provimin e noterisë në Kosovë, dhe pesë prej tyre kanë aplikuar për
pozita noteriale në disa komuna të Kosovës. Është tejet shqetësues fakti se asnjëri prej
tyre nuk është emëruar në pozitën e noterit në asnjë komunë të Kosovës. Veçanërisht
shqetësues është fakti se një kandidat nga komuniteti serb i cili ka aplikuar për pozita në
dy komuna në veri të Kosovës nuk është emëruar, pavarësisht se i ka plotësuar të gjitha
kriteret dhe ka përvojë të konsiderueshme juridike. Përveç kësaj, është e
pashpjegueshme që, përkundër disa kandidatëve nga komuniteti serb me përvojë të gjerë
juridike, askush nga ky komunitet nuk është emëruar në pozitën e noterit në Graçanicë,
komunë me shumicë serbe; në vend të kësaj, u emërua një kandidat nga komuniteti
shqiptar. E njëjta situatë është edhe në komunat e tjera të përfshira në konkurs. Lidhur
me këtë, theksojmë se në asnjë moment nuk kontestojmë kualifikimet e kandidatëve nga
komuniteti shqiptar, por nënvizojmë pasojat që mund të lindin nga përjashtimi i
kandidatëve nga komuniteti serb në vendimin e sipërpërmendur dhe mesazhi negativ që
përçon tek komunitetit serb në Kosovë.
Paralajmërojmë se vendimi i përmendur i Ministres së Drejtësisë së Kosovës do të sjellë
probleme të reja në drejtim të sigurimit të të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve
joshumicë në Kosovë, duke pasur parasysh se nga përvoja, ne e dimë se noterët
shqiptarë ofrojnë shërbime edhe në gjuhën shqipe në rastet kur palët janë ekskluzivisht
serbe. Edhe pse kjo lejohet me Ligjin për Noterinë (neni 32.1), një praktikë e tillë kufizon
të drejtën e serbëve në Kosovë për të marrë shërbime në gjuhën serbe, e cila është gjuhë
zyrtare në Kosovë sipas Kushtetutës së Kosovës (neni 5.1). Po ashtu, vendimi i
lartpërmendur, për fat të keq, mund të interpretohet si mesazh se serbët dhe pjesëtarët
e komuniteteve tjera joshumicë nuk janë të mirëpritur në institucionet dhe profesionet
liberale në Kosovë, madje edhe ata që në rrethanat ekzistuese kanë treguar dëshirë për
të ofruar shërbime për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Nisur nga sa më sipër, i bëjmë thirrje Ministres së Drejtësisë së Kosovës që të shqyrtojë
kërkesën tonë për rishikimin e vendimit për emërimin e noterëve në komunat me shumicë
serbe. Ne gjithashtu kërkojmë nga të gjitha misionet ndërkombëtare dhe përfaqësitë
diplomatike në Kosovë, si dhe organizatat e shoqërisë civile nga komuniteti shumicë në
Kosovë, të reagojnë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe
rritjen e mosbesimit të komuniteteve joshumicë ndaj institucioneve të Kosovës dhe
Qeverisë së Kosovës. Ne presim që të gjithë akterët të veprojnë me mirëbesim dhe të
demonstrojnë përkushtimin e tyre të shpallur për krijimin dhe mbajtjen e një shoqërie
multietnike në Kosovë.
Nënshkruesit:
Advocacy Center for Democratic Culture – ACDC
New Social Initiative NSI
OJQ Aktiv
Communication for Social Development – CSD
Institute for Territorial Economic Development – InTER
Omladinska Parteska Aktivnost – OPA
Association of Business Women “Avenija”
OJQ Santa Maria