Pesë organizata të shoqërisë civile i dërguan letër Bankës Botërore lidhur me veprimet e Ibar-Lepencit rreth Liqenit të Gazivodës/Ujmanit

Ju informojmë se pesë organizata të shoqërisë civile aktive në zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës — Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER), NGO Aktiv, Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA), Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) — i kanë dërguar një letër të përbashkët Bankës Botërore lidhur me aktivitetet e fundit të Ndërmarrjes Hidroekonomike Ibar-Lepenc në zonën përreth Liqenit të Gazivodës/Ujmanit.

Në letër shprehet shqetësim për një sërë veprimesh të Ibar-Lepencit të ndërmarra që nga qershori 2026, në secilin rast të dokumentuar me praninë ose asistencën e Policisë së Kosovës. Këto veprime përfshijnë marrjen në posedim të Kampit Rezala, rrënimin e shtëpive dhe vikendicave, kërcënimin për rrënimin e një shtëpie familjare, dorëzimin e njoftimeve për dëbim dhe largim të objekteve, si dhe rrënimin e 11 shtëpive dhe vikendicave shtesë më 21 korrik 2026.

Organizatat kanë theksuar posaçërisht shqetësimin se veprimet që çojnë në humbjen e qasjes në pronë, banim dhe aktivitete ekonomike lokale janë ndërmarrë pa u dorëzuar paraprakisht personave të prekur vendime të shkruara dhe të arsyetuara, akte administrative ose gjyqësore të ekzekutueshme, informata të qarta mbi mjetet juridike në dispozicion, si dhe pa mundësi efektive që personat e prekur të kërkojnë rishqyrtim para se të ndodhë dëmi i pakthyeshëm. Gjithashtu është theksuar se Komuna e Zubin Potokut nuk është konsultuar në mënyrë domethënëse, edhe pse të gjitha veprimet e përmendura lidhen me pronën, banimin, turizmin dhe zhvillimin lokal në territorin e saj.

Letra i është dërguar Bankës Botërore duke pasur parasysh se Ibar-Lepenci ka qenë agjenci zbatuese në kuadër të projektit Kosovo Water Security and Canal Protection Project (P133829), të financuar nga Banka Botërore, i cili është mbyllur më 30 qershor 2025. Organizatat kanë kërkuar që Banka Botërore, para çfarëdo mbështetjeje të ardhshme financiare, teknike ose institucionale për Ibar-Lepencin, të kryejë një kontroll të shtuar mjedisor, social dhe institucional.

Në letër kërkohet nga Banka Botërore që të konfirmojë nëse mbështetja e re për Ibar-Lepencin është aktualisht në përgatitje ose shqyrtim, të pezullojë shqyrtimin e mbështetjes së ardhshme derisa të kryhet një vlerësim shtesë i rreziqeve, si dhe që çdo mbështetje të ardhshme ta kushtëzojë me masa korrigjuese. Këto masa do të përfshinin ndalimin e rrënimeve dhe zhvendosjeve të mëtejshme deri në rishqyrtimin e pavarur ligjor, rishikimin urgjent të rrënimeve tashmë të kryera, nxjerrjen e vendimeve të shkruara, të arsyetuara dhe të ankimueshme para çdo veprimi të pakthyeshëm, si dhe krijimin e mekanizmave të besueshëm për përfshirjen e komunitetit lokal, trajtimin e ankesave dhe ndarjen e drejtë të përfitimeve për komunitetet përreth Liqenit të Gazivodës/Ujmanit.

Së bashku me letrën, Bankës Botërore i është dorëzuar edhe case brief-i i përditësuar Property Takeovers, Demolitions and Threatened Evictions around Gazivode Lake, i cili jep një pasqyrë të zhvillimeve kontestuese lidhur me rrënimin, marrjen në posedim dhe largimin e paralajmëruar të pronës përreth Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, të ndërmarra me iniciativën e Ibar-Lepencit dhe institucioneve përkatëse të Kosovës. Case brief-i është përgatitur nga InTER. Versioni i parë është publikuar më 13 korrik 2026, ndërsa të dhënat janë përditësuar më 21 korrik 2026, pas rrënimit të fundit të 11 shtëpive dhe vikendicave.

Share:

Share: