Pritjet e ekspertëve

Pritjet e ekspertëve
29/03/2021

Nga viti në vit, si të fillojnë reshjet më të mëdha, një pjesë e konsiderueshme e Kosovës përmbytet. Dhe kështu, nga viti në vit organizohen zgjedhjet, meqë asnjë qeveri deri më tani nuk e përfundoi mandatin e plotë të saj, megjithatë, çdo herë kur diskutohen, analizohen, interpretohen, parashikohen apo pritet diçka nga zgjedhjet dhe qeveritë e reja, në të vërtet nuk më kujtohet se kjo gjë theksohet si një nga problemet më të rëndësishme. Aq më pak, që një pritje më e rëndësishme nga qeveria e re t’i referohet zgjidhjes së tij. Mbase sepse ky edhe nuk është problem aq i madh.

Nëse hyni në Kosovë gjatë festave, gjatë pushimeve verore dhe dimërore, një gjë e keni të garantuar, pritjen në kolona të pafundme, madje edhe deri në 10 apo 12 orë. Qytetarët çdo vit kukasin, por as kjo nuk është diçka që analistët e vendosin në listën e pritjeve nga cilado qeveri e re për ta zgjidhur. Mbase sepse ky edhe nuk është problem aq i madh.

Nuk ka vend në Kosovë ku ka shkel këmba e njeriut e që pas saj nuk ka mbetur ndonjë dëshmi i kësaj pranie, një grumbull mbeturinash. Dhe kjo është një nga gjërat e para që do t’i vinit re – mbeturina kudo që shikoni, sidomos gjatë dimrit, kur nuk ka mjaft gjelbërim në mënyrë që së paku gjoja ta mbulojë. Në dhe pranë lumenjve, përrenjve dhe rrugëve, në qytete dhe fshatra. Megjithatë, nga një qeveri e re askush nuk ka pritur seriozisht që, së paku të vendosen mjaft kontejnerë dhe që ajo të përpiqet t’i mësojë qytetarët t’i përdorin në mënyrë të duhur – përkatësisht që mbeturinat t’i hedhin në kontejnerë e jo diku tjetër. Për riciklim ndoshta mund të flasim pas katër vitesh, pasi që ti mbizotërojmë bazat e largimit të mbeturinave. Me përjashtim të shqetësimit të thellë verbal të shprehur gjatë Ditës Botërore të Mbrojtjes së Mjedisit dhe në komunikatat pas ngjarjes në organizim të Zyrës së BE-së në Kosovë, as kjo nuk përfshihet në pritjet e rëndësishme të cilësdo qeveri të re. Mbase sepse ky edhe nuk është problem aq i madh.

“Kosova ka ligje të mira, por nuk zbatohen në një masë të mjaftueshme”- kjo është një fjali të cilën me një lehtësi të pabesueshme e përdor shumica për ta përshkruar problemin kyç për gjendjen në terren. Kosova ka ligje që nuk zbatohen, por për t’i kualifikuar si ligje të mira, ndoshta do të ishte mirë që ndonjërin edhe ta lexonit. Nëse kjo është shumë për ju, sigurisht që në analiza të organizatave të shumta joqeveritare në Kosovë, në pjesën më të mërzitshme, “korniza ligjore” (të cilën edhe ata pak njerëz që e lexojnë, vetëm e kalojnë në mënyrë që të vijnë deri të pjesa më interesante), do të gjeni se çfarë nuk shkon me ligjet e Kosovës dhe pse duhet të mendoni mirë para se t’i kualifikoni si “të mirë”.

Shumë vëmendje gjatë viteve të mëparshme kanë tërhequr dy ligje populliste. Duke mos hyrë në gjykime vlerash, pak shqetësime shkaktoi edhe fakti që, edhe përkundër ekspertëve dhe këshilltarëve të shumtë ligjorë në buxhet të Kosovës, shkrime të tilla janë gjetur në rend të ditës të seancave parlamentare.

Kështu, për shembull në fund të majit të vitit 2019 në Kuvendin e Kosovës është miratuar ligji me të cilin ndalohen lojërat e fatit. Me një ligj voluminoz nga gjithsej tri nene (e shfuqizoi ligjin paraprak i cili me 83 nene e rregullonte këtë fushë) ishin prekur, siç pohohej atëherë, rreth 4000 familje në Kosovë që kishin mbetur pa të ardhura të rregullta monetare.

Edhe një shembull i ligjit popullist, i cili ende ka mbetur vetëm në fazën e draftit, është Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së . Ky ligj, pak më voluminoz (gjithsej 12 nene) i definon “vlerat e mbrojtura të luftës së UÇK-së”, të cilave ndër të tjera i përkasin “shtabi i përgjithshëm” dhe “administrata (Drejtoria) politike e UÇK-së”, disa anëtarë të së cilës, aktualisht gjenden në Hagë duke e pritur gjykimin për krimet e luftës. Ky ligj, megjithatë, e parashikon obligimin e çdo zyrtari publik dhe qytetari të Kosovës që “në çdo kohë dhe në të gjitha rrethana” në Kosovë, por edhe jashtë vendi “t’i respektojnë dhe t’i mbrojnë” këto vlera. Projektligji nuk arrin të përkufizojë se çfarë veprimesh paraqesin respektim dhe mbrojtje të këtyre vlerave, por për to i parashikon dispozitat penale. Ai që i shkel dispozitat e këtij ligji do të dënohet “në përputhje me ligjet në fuqi”. Me këtë ligj do të vendoseshin sjelljet e reja penale të cilat do të dënoheshin (edhe pse nuk është përkufizuar nga çka përbëhen) në përputhje me ligje që deri tani nuk e parashikonin një sjellje të tillë si të dënueshme.

Nuk më kujtohet që dikush ka theksuar si gjë të rëndësishme, nga cilado qeveri e re dhe legjislaturë e Kuvendit, që të punohet në teknikën e përpilimit të ligjeve dhe që eventualisht do të ishte e dobishme nëse Gazeta Zyrtare e Kosovës do t’i publikonte edhe tekstet e spastruara të ligjeve. Domethënë tekstin e ligjit bazë në të cilin më vonë janë shtuar ndryshimet dhe plotësimet, të gjitha këto në një vend, në mënyrë që të mund t’i krahasoni disa dokumente të ndryshme për të qenë të sigurt a është ndonjë dispozitë ligjore ende në fuqi. Mbase sepse ky edhe nuk është problem aq i madh.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili ka shpie deri te zgjedhjet e reja në Kosovë, shkaktoi shumë vëmendje, por vëmendjen më të madhe nuk e kanë tërhequr pjesët problematike e së njëjtit. Përkatësisht, me vendimin më të ri të kësaj gjykate, personave që tri vjet më parë, nga shpallja e zgjedhjeve, janë dënuar me vendim të prerë për vepra penale, nuk u lejohet pjesëmarrja. Nga ana tjetër, dikush që para 5, 10 ose 15 vjetësh është dënuar për vrasje, dhunim, krim lifte, keqpërdorim të pozitës zyrtare… është plotësisht i përshtatshëm për të qenë kandidat për deputet. Të mos e përmendi që praktikisht nuk ekziston pengesa ligjore për një kriminel të dënuar të ushtrojë funksione të larta publike, madje edhe të jetë këshilltar i presidentit apo kryeministrit, siç ishte rasti deri më tani. Ndoshta kjo gjë nuk ishte aq problematike për t’u përfshirë në çfarëdo pritje.

Besoj se një problem edhe më i vogël janë bllokimet e trafikut në dalje nga Prishtina në orët e pasdites, kur njerëzit e përfundojnë punën dhe që nevojitet edhe deri në një orë për të dalë nga i ashtuquajturi “fishek”. Rregullimi i trafikut të përditshëm nuk është temë mjaftë e lartë politike për seksionin e pritjeve nga cilado qeveri e re.

Ajo që, nga ana tjetër më duket që po e mbizotëron hapësirën publike kur flasim për pritjet nga zgjedhjet në Kosovë janë:

Angazhimi në dialog me qëllim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare, transparenca e institucioneve, përgjegjësia e vendimmarrësve, rruga evropiane, qëndrueshmëria dhe prosperiteti, anëtarësia në organizata ndërkombëtare, pasojat e hapjes së ambasadës në Jerusalem, a do ta ketë administrata e re amerikanë një qasje më aktive apo më pasive… Dhe kjo është diqysh gjithçka që, si dikush që jeton në Kosovë, kam nevojë të dijë për pritje… por nga procesi pas zgjedhjeve në Sudanin e Jugut.

Duke i pritur analizat, interpretimet, parashikimet dhe konsideratat e tjera të analistëve, politikanëve dhe gazetarëve të shumtë në Kosovë, shpesh e kisha përshtypjen sikur të gjitha këto i konsiderojnë “ekspertet e njohur për Ballkan”, diku nga Londra, Nju Jorku, Brukseli. Njerëzit që nuk i kanë kaluar domosdo disa vite në Kosovë (mund të jenë edhe diku në rajon), apo edhe as kaq dhe me njohuri që i kanë fituar nga studimet e paqes në universitetet prestigjioze, ata kanë mençuri përfundimtare për të kuptuar proceset demokratike në mjediset post konflikte.

Nuk thuhet kot proverbi që të gjitha proceset në shoqëritë post konflikte i përngjajnë njëra-tjetrës dhe që të gjitha anët përmblidhen një monedhe hekuri magjike të pritjeve të aplikueshme gjerësisht – “zbatimi i reformave, fuqizimi i sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

E gjithë kjo më përngjan se ne ngadalë po bëhemi ata “ekspertë për Ballkan”. Konsideratën e fillojmë me një baraspeshë të fuqive gjeopolitike dhe të rrotullimit të tyre rreth Kosovës sikur pikës më të rëndësishme në univers. Pastaj, aty-këtu e shtojmë ndonjë informatë konfidenciale të cilën e kemi marrë nga një burim i cili është edhe më konfidencial i cili vlerësohet shumë në sallone të ndryshme të botës (i njohur më mirë si një teze e administratës amerikane), një njohës i shkëlqyer i diplomacisë. Njëherë kur ta shpjegojmë imazhin e gjerë, pastaj mund të flasim për gjëra lokale. Presim zbatim të reformave, por nuk precizojmë të cilave, fuqizimin e sundimit të ligjit, por nuk shpjegojmë se çfarë nënkupton konkretisht; Presim luftë kundër korrupsionit, por çfarë lufte? Dhe natyrisht në të gjitha nivelet e pushtetit. Këtë e erëzojmë me pritjen më emocionuese paszgjedhore – luftën kundër krimit të organizuar (një frazë për përdorim të gjerë) dhe mu në fund theksojmë se për t’i arritur të gjitha këto na nevojitet transparenca e institucioneve dhe përgjegjësia e vendimmarrësve.

Dhe pastaj kujt i bëhet vonë për mbeturina, përmbytje, bllokime të trafikut, lumenjtë dhe ajrin e ndotur, kujt i bëhet vonë që ligjet nuk janë mjaft të qartë, që kriminelët e dënuar mund t’i marrin funksionet e larta në institucione… pse të merremi me “imtësi” kur mund të flasim në përgjithësi për çdo gjë sikur “ekspertet për Ballkan”, përse janë ata më të mirë se ne?

Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës

Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.

Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.

Share:

Milica Radovanović

Milica Radovanović është e angazhuar në sektorin civil nga viti 2016, kurse nga viti 2018 merret me gazetari.

Share: