Raporti i Kolektivit të Kosovës – Promovimi i paqes shoqërore përmes dialogut ndëretnik në Kosovë
Në vitin 2021, Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Grupi për Ndërtimin e Paqes, të mbështetur nga Trusti Ballkanik për Demokraci (BTD), e kanë bashkuar një grup njerëzish nga Kosova dhe Serbia në atë që është quajtur “Kolektivi i Kosovës” për t’i diskutuar perspektivat dhe sfidat për arritjen e paqes më të qëndrueshme në Kosovë. Aktivistë të shoqërisë civile, politikëbërës, ekspertë, studiues dhe gazetarë ishin të përfshirë në këto biseda. Për t’i zbuluar dhe kuptuar më thellë bllokadat strukturore dhe rrethanore që e dobësojnë potencialin për paqe të qëndrueshme shoqërore në Kosovë, Kolektivi Kosovës ka trajtuar grupe të ndryshme tematike në diskutimin e tyre, si: si ndikojnë zhvillimet politike në konsensusin ndëretnik ndërmjet serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës për çështjet si dialogu për normalizim, përfaqësimi politik dhe autoriteti qendror; zgjedhjet dhe pjesëmarrja demokratike; potenciali për qytetari shumetnike dhe aktive; çështjet e diskutueshme që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe ngritjen e popullizmit dhe nacionalizmit.
Qëllimi i këtij raporti është ta ofrojë një përmbledhje të diskutimeve të Kolektivit të Kosovës të zhvilluara në pesë takimet e tyre gjatë vitit 2021. Diskutimet e Kolektivit të Kosovës u strukturuan si takime gjysmë formale, Chatham House, për ta lehtësuar një diskutim të hapur mbi temat që duket se i ndajnë serbët dhe shqiptarët në Kosovë. Ajo që i bën diskutimet e Kolektivit të Kosovës të jashtëzakonshme është se ato trajtuan çështje që konsiderohen të ndjeshme (p.sh. padia për gjenocid kundër Serbisë nga Kosova), por këto takime ishin të frymëzuara, të organizuara dhe të lehtësuara tërësisht në nivelin lokal, dhe në asnjë nga takimet nuk pati njeri nga jashtë (d.m.th. “dikë nga BE-ja”) për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi të favorshëm për diskutim. Kjo tregon aktivitetin e fuqishëm të shoqërisë civile në Kosovë dhe potencialin e saj për ta luajtur një rol më konstruktiv dhe më mundësues në procesin e përgjithshëm të normalizimit të marrëdhënieve.