Shoqëria e të rrezikuarve

Shoqëria e të rrezikuarve
11/05/2021

Në vitin e dytë të krizës shëndetësore dhe ekonomike, zyrtarët e Qeverisë dhe të institucioneve të reja në Kosovë, duket që i kanë zgjidhur të gjitha problemet lidhur me të njëjtën, nga masat ekonomike dhe shëndetësore, deri te furnizimi me vaksina. Kohën e lirë e kalojnë duke u marrë me tema të tjera “imediate” siç është çështja e pozitës dhe e statusit të Manastirit të Deçanit. Ndoshta për ndonjë vëzhgues anash, kjo çështje edhe do t’i ishte dukur në të vërtetë si çështje imediate, duke pasur parasysh që Manastiri i Deçanit është shpallur nga Evropa Nostra si një ndër monumentet e kulturës më të rrezikuara në Evropë në vitin 2021, e që themeli i çdo shoqërie demokratike dhe të civilizuar është llojllojshmëria dhe pasuria e tij kulturore dhe historike. Megjithatë, me vetëm pak vëmendje, edhe vëzhguesi më i painformuar shpejt do ta kuptonte se situata është krejt e kundërt, dhe se në Kosovë pasuria e llojllojshmërisë njihet vetëm në mënyrë të njëanshme, njëmendësh dhe nga vetëm një kulturë.

Është e qartë se pengimi i përditshëm i dialogut, retorika ndezëse në lidhje me konfliktin, marrëdhëniet me Listën Serbe (Srpska lista), madje edhe çështja e Manastirit të Deçanit, nuk janë asgjë tjetër veçse devijimi nga tema e premtimeve zgjedhore, të cilat as pandemia nuk i parandaloi të ishin tepër ambicioze, idealiste dhe pothuajse të paarritshme për një mandat, pas të cilit qytetarët do t’i gjykojnë. Sepse në fund të fundit, premtimet zgjedhore janë edhe një tjetër pasuri e Kosovës që shfrytëzohet pa masë për më shumë se njëzet vjet. Megjithatë, ajo që nuk është aspak e qartë për mua, ose nuk dua ta kem të qartë, është arsyeja pse kolegët tanë të shoqërisë civile, që po luftojnë për të drejtat e njeriut – e komunitetet joshumicë janë ende njerëz – të drejtat po ia bashkojnë një fushate të tillë, me vetëdije, duke e ditur që nuk kanë të drejtë.

Ndoshta varet nga unë, mbase jam i çmendur, budalla, naiv apo të gjitha këto në një, që gjithë jetën time ia kam kushtuar vlerave dhe besimeve që i kam parë si mbinacionale, mbipolitike e në radhë të parë njerëzore. Gjithmonë publikisht dhe pa mëdyshje kam kritikuar gjithçka që ka kontribuar në polarizimin e marrëdhënieve midis komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë, e kam kritikuar familjen time, miqtë, komunitetin, madje edhe veten time, për shkak të perceptimeve dhe qëndrimeve që ishin të ngjyrosura me keqkuptim, mendjengushtësi, egoizëm dhe pavërtetësi dhe që kontribuan për asgjë tjetër përveç zmadhimit të problemit të marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve. Edhe më ashpër i kritikova përfaqësuesit politikë të serbëve qoftë nga Beogradi, qoftë nga Kosova dhe politikat dhe vendimet e tyre shpesh shkatërruese, nacionaliste dhe populiste, andaj edhe vetë isha në shënjestër të kritikave, sulmeve dhe i etiketuar publikisht si “tradhtar i brendshëm dhe mercenar i huaj”. Dhe nuk është e lehtë “të durosh dhe të ekzistosh në një vend të tmerrshëm”, as unë nuk jam më i mirë se të tjerët, por ajo që gjithmonë më ka ndihmuar dhe më ka shtyrë është mbështetja e kolegëve dhe e kolegeve nga të gjitha komunitetet dhe të diturit që e kemi njëri-tjetrin dhe që po punojmë së bashku për vlera, e jo interesa.

Sidoqoftë, për tango nevojiten dy persona, dhe ja unë për njëzet vjet të karrierës sime, mezi kam parë disa herë që një grup i disa organizatave të shoqërisë civile, e lëre më një grup prej 40 organizatash të tilla, ta dënojë politikën, sjelljen, qëndrimin ose perceptimin e gabuar të drejtuar ndaj komunitetit serb, e mundësi për një gjë të tillë fatkeqësisht ka shumë. Nëse vetëm pak i ndiqni mediat, i lexoni raportet e organizatave ndërkombëtare dhe ktheheni te raportet, në përpilimin e të cilave edhe vet keni marrë pjesë, mund të gjeni çdo gjë që ndodh në Kosovë pothuajse çdo ditë. Sulmet e shpeshta ndaj të kthyerve, plaçkitjet pothuajse të përditshme të kishave në Kosovë, përdhosja e varrezave, shndërrimi i Tempullit të Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë në një tualet publik, krimet dhe vrasjet, çështja e të drejtave pronësore, përgatitjet për ndërtimin e një baze ushtarake afër Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, janë gjërat, që së paku mund të themi, krijojnë parehati te serbët, deri te shkeljet e Kushtetutës, të ligjeve dhe të gjithë mekanizmave që duhet t’i “mbrojnë” serbët në Kosovë si anëtarë të barabartë të shoqërisë, deri më tani nuk kanë qenë arsye të mjaftueshme për kolegët e shoqërisë civile nga komunitetet e tjera për të reaguar, dënuar dhe kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit e tyre politikë. Ajo që duket se të gjithë e harrojnë është se mungesa e kësaj përgjegjësie, mbi të gjitha, e ul Kosovën si një vetëqeverisje të përgjegjshme, të pjekur dhe të pavarur siç prezantohet dhe për të cilën lufton, dhe si e tillë nuk kontribuon në stabilitetin dhe pavarësinë, por hap pyetje të reja dhe shqetësime të reja mes tyreve që duhet ta mbështesin atë stabilitet dhe pavarësi.

Përgjegjësia e institucioneve dhe përfaqësuesve politikë për marrëdhëniet e këqija midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë është e shumë e madhe, sepse me (mos)veprimet e tyre ata çuan në faktin se edhe sot, pas 20 vjetësh, një grup shqiptarësh e sulmoi fizikisht një të mitur (serb) në Graçanicë dhe nga stacioni i policisë u larguan pa kurrfarë përgjegjësie. Po, kjo ka ndodhur disa ditë më parë, vetëm 7 kilometra nga Prishtina dhe ndërsa mund ta përshkruajmë këtë si një incident të izoluar, është e rëndësishme të dimë se nuk është – është diçka që është pothuajse e zakonshme në brigjet e Ibrit, në Graçanicë, Anamoravë, në vendet e kthimit, aq sa ne si qytetarë i anashkalojmë lajmet e tilla në gazeta sepse nuk është “asgjë e re”, dhe si shoqëri civile i kalojmë ato sepse nuk merremi me “raste” por me “probleme sistematike”. Sidoqoftë, injorimi i incidenteve të tilla sigurisht që nuk do t’i ndalojë ata, dhe më e rëndësishmja, nuk do t’i ndryshojnë arsyet dhe motivet që çojnë në to. Prandaj, është edhe përgjegjësi e juaj kolegë të dashur, sepse po të kishit ushtruar presion, vetëm një herë hapur, pa i llogaritur dhe menduar “interesat kombëtarë” dhe pozitën personale, mbi institucionet dhe Qeverinë, po të kishit folur për vlerat universale e jo kombëtare, ndoshta gjërat do të ishin ndryshe dhe sot ne as nuk do të diskutonim për këtë gjë. Nevoja për ta paraqitur situatën në Kosovë ashtu siç nuk është, dhe për të folur në konferenca ndërkombëtare, në media, në takime dhe diskutime se si Kosova e ka kornizën ligjore më moderne që i “mbron” komunitetet joshumicë, pa iu referuar moszbatueshmërisë së këtyre ligjeve në praktikë dhe realitetit në të cilin jetojnë këto komunitete joshumicë, për ca kohë na ka ndarë në mënyrë profesionale, njerëzore dhe në aspektin e vlerave.

Faktet gjithashtu thonë se Manastiri i Deçanit është i rrezikuar dhe se është një nga monumentet e rralla kulturore në botë, dhe i vetmi në Evropë, i cili mbrohet nga forcat e armatosura ndërkombëtare për shkak të rreziqeve reale të sigurisë. Poashtu është fakt se manastiri ishte në shënjestër të sulmeve fizike dhe verbale, pavarësisht nga fakti se në ngjarjet më të këqija të luftës ai ishte një strehë, ndër të tjera, edhe për shqiptarët. Gjithashtu është fakt se, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, prona e Manastirit të Deçanit nuk është regjistruar në kadastër. Gjithashtu është fakt që përkundër Kushtetutës dhe Ligjit për Zonat e Mbrojtura, për vite me radhë janë bërë përpjekje për të ndërtuar një autostradë (magjistralë) pranë manastirit, andaj edhe ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore e kanë ngritur zërin, kurse përfaqësuesit e OSBE-së dhe të Bashkimit Evropian i kanë shprehur mendimet për këtë çështje. Gjithashtu është fakt se manastiri i Deçanit është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në rrezik që nga viti 2006. Të gjitha këto fakte për ju kolegë janë “një pasqyrim i rremë i realitetit në Kosovë, i cili kryesisht del nga raportet e institucioneve serbe”. Është e qartë se raportet e organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësive të tyre në Kosovë, të cilat i konfirmojnë të gjitha këto fakte, raportet e mediave botërore dhe lokale, dëshmitë e murgjve, përvojat e kolegëve tuaj, nuk janë një tregues i mjaftueshëm se Manastiri i Deçanit është vërtet në rrezik.

Nëse të gjitha këto fakte që po i cek unë nuk janë arsye e mjaftueshme për ta pyetur vetveten se çfarë lloj shoqërie doni të ndërtoni dhe në çfarë lloj shoqërie dëshironi të jetoni, dhe përkundër të gjitha këtyre fakteve të shfaqeni publikisht dhe ta mbroni “imazhin vjollce të pasqyrimit të realitetit në Kosovë”- atëherë e pyes veten se ku është kufiri i integritetit, tolerancës dhe të gjitha vlerave për të cilat po luftojmë? A është shoqëria të cilën e synojmë, një shoqëri ku të gjithë janë të mbrojtur dhe të barabartë, apo një shoqëri ku një gjë e tillë janë vetëm ata që e kanë pushtetin në duart e tyre? A është ajo një shoqëri të cilën historia nuk e ka mësuar asgjë, përveç zëvendësimit të roleve ngazëllimit për të njëjtat? Nuk është turp ta pranosh gabimin, është një nga hapat më të mëdhenj të njerëzimit, një hap drejt të tjerëve, por mbi të gjitha edhe drejt vetvetes. Shpresoj se një ditë do të shikoni mbrapa.

Dhe ne fund të fundit, në fund të tunelit, të gjithë do duhej të ndjeheshim të rrezikuar në një shoqëri të tillë, sepse shkelja e përditshme e ligjeve, e të drejtave të njeriut dhe atyre fetare, sulmet ndëretnike, plaçkitjet dhe shkatërrimet e kishave dhe manastireve, përdhosja e monumenteve dhe e varrezave, janë tregues të një shoqërie të paorganizuar afatgjatë, jo një çështje afatshkurtër se kush është aktualisht (më) i prekur serbët, shqiptarët, romët, turqit, boshnjakët apo goranët. Dhe përderisa Kosova nuk është një shoqëri e barabartë për të gjithë qytetarët e qytetaret e saj, nuk është shoqëri për askënd, dhe kurrë nuk do të jetë – para botës, para Serbisë, para vetvetes.

Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës

Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.

Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.

Share:

Miloš Milovanović

Miloš Milovanović shërben si Drejtor i Programit në Iniciativën e Re Sociale. Përmes përvojës së gjatë dy dekadave në udhëheqjen e organizatave të shoqërisë civile dhe menaxhimin e programeve të vogla dhe të mëdha, Milos zhvilloi një kuptim të larmishëm dhe të thellë të sektorit të zhvillimit që e bëri atë një udhëheqës të shkëlqyeshëm strategjik dhe mendimtar kritik.

Share: