Në momentin kur Kosova përpiqet të bëhet anëtare e organizatës më të vjetër për mbrojtje e të drejtave të njeriut, Këshillit të Evropës, në terren, ajo pothuajse çdo ditë i shkel të drejtat e qytetarëve të saj – serbëve të Kosovës.
shkelur të drejtën për gjuhë, pronë, madje edhe financim – nëse kemi parasysh vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit. Për muaj të tërë, serbët janë përballur me një vendim që pengon të distribuohen paratë e tyre të fituara me mund. Ata janë të detyruar të udhëtojnë me dhjetëra kilometra në Serbinë qendrore për t’i tërhequr pagat, pensionet, përfitimet sociale dhe përfitimet e tjera,në mënyrë që t’i mbledhin ato nga bankomatët mobil, përkatësisht kontejner, Kursimet Postare.
Përfaqësuesit e autoriteteve të Kosovës nuk janë të shqetësuar as politikisht dhe as njerëzisht, se si personat me aftësi të kufizuara, të sëmurët rëndë dhe grupet e cenuara të qytetarëve, mund t’i marrin paratë e tyre, të fituara me mund. A mund të presin njerëzit me karrige me rrota në radhë dhe si arrijnë në ato radhë? Sa para do të shpenzojë për transport një person, i cili merr deri në 20.000 dinarë përfitime sociale?
Në mesin e shqiptarëve të Kosovës pothuajse nuk ka asnjë reagim për këtë vendim, i cili ndikon në ekzistencën e një ose më shumë popujve që financohen nga buxheti i Serbisë. Shoqëria civile nga Prishtina, madje edhe ajo pjesë që bashkëpunon me kolegët serbë, thuajse mbeti e nemitur për këtë çështje.
Llojet e ndryshme të ndalimeve janë të zakonshme në Kosovë, kur bëhet fjalë për serbët. Për gati një vit është ndaluar importi i mallrave serbe, është ndaluar shpërndarja e barnave, është ndaluar dinari, janë ndaluar edhe vizitat e zyrtarëve serbë, sportistëve dhe punëtorëve humanitarë Ndalimi i fundit, edhe pse jo i pari, erdhi së fundmi kur policia e Kosovës vendosi të mos lejojë patriarkun serb Porfiri
të qëndroj në Kosovë. Atij dhe shtatë peshkopëve iu ndalua, pa shumë shpjegime, të vinin në selinë e Kishës Ortodokse Serbe, në Patrikanën e Pejës, ku kishin planifikuar të marrin pjesë në liturgjinë e Kuvendit të rregullt të majit të Kishës ortodokse serbë.
Ndonëse Patrikana e Pejës është selia e patriarkëve serbë, Porfirije nuk kishte në plan ta mbante Kuvendin e rregullt vjetor në këtë manastir mesjetar, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Synimi ishte që ata të kryenin vetëm një ceremoni fetare, liturgjinë dhe personalitetet e kishës të ktheheshin në Beograd, ku në ditët në vijim do të mbahej ky kuvend vjetor. Me fjalë të tjera, ata do të kalonin vetëm disa orë në Kosovë.
Mirëpo, edhe sikur të kishin planifikuar të kuvendojnë me ditë të tëra në Patrikanë, lind pyetja pse kjo do t’i shqetësonte autoritetet e Kosovës dhe çfarë do të bënin priftërinjtë ortodoksë, liderët fetarë, për t’i rrezikuar?
Duke mos dashur të mbajë anën, por Patriarku Porfirije është një nga të paktët dinjitarë të Kishës serbe, që haptazi avokoi për paqen dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë, veçanërisht atij shqiptar dhe atij serb. Sa herë që ka qëndruar në Kosovë, por edhe gjatë fjalimeve në vende të tjera, ka theksuar nevojën e pajtimit, jetës së përbashkët dhe dashurisë, duke përdorur një fjalor shumë selektiv, kur fliste për shqiptarët, ndryshe nga paraardhësi i tij që dinte edhe të ofendonte. Mirëpo, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk duan apo nuk do të dëgjojnë mesazhet e paqes që vijnë nga patriarku. Madje as takimet jo të rralla të përbashkëta dhe marrëdhëniet e mira të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri me Patriarkun serb, gjatë pushimeve në Patrikanë, nuk ndikojnë që përfaqësuesit e institucioneve qendrore të Kosovës të tregojnë vullnet të mirë dhe të mundësojnë ardhjen e qetë të Patriarkut.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në arsyetimin e arsyeve të këtij vendimi thekson se ndalimi do të jetë në fuqi përderisa Serbia shkel Marrëveshjen e Brukselit. Megjithatë, është interesante se është Kosova ajo që shkel të njëjtën marrëveshje, me këtë dhe me ndalesa të tjera.
Se vendimi nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës në kuadër të dialogut, na kujtojnë përfaqësuesit e ambasadorëve të vendeve të Kuintit në Kosovë, si dhe të Bashkimit Evropian, i cili është ndërmjetësues në bisedimet Prishtinë-Beograd.
Ky vendim, përveç që është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit, bie ndesh edhe me dispozitat e planit të Ahtisarit, të cilin Kosova e ka inkorporuar në Kushtetutën e saj.
Pikërisht ky plan nënkupton respektimin e të drejtave, por edhe privilegje dhe imunitet për klerikët e Kishës Ortodokse Serbe.
Në këtë mënyrë, Kosova nuk e përmbush standardin e të drejtave të njeriut në kornizën e saj ligjore.
Dhe ky, për fat të keq, nuk është ndalimi i vetëm gjatë kësaj jave. Menjëherë pas vendosjes së ndalimit për patriarkun, mbërriti një i ri. Autoritetet në Kosovë kanë ndaluar shpërndarjen e skenografisë dhe pajisjeve tjera të nevojshme për shfaqjen e teatrit “Zvezdara Teatar” nga Beogradi në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq. Përsëri, lind pyetja, kujt dhe pse i pengon të luajë një shfaqje apo të sjellë pajisje? Si mundet një shfaqje të cenojë sovranitetin e Kosovës dhe çfarë lidhje ka kjo me politikën?
Edhe pas këtij ndalimi nuk ka asnjë reagim nga shoqëria civile shqiptare, e aq më pak nga punëtorët e kulturës në Kosovë. Heshtja e regjisorëve dhe drejtuesve kosovarë të teatrit është interesante, duke pasur parasysh se edhe Kosova kujton disa momente të bukura të bashkëpunimit të ndërsjellë me kolegët nga Beogradi. Le të kujtojmë shfaqjen e përbashkët “Romeo dhe Zhulieta”, e cila u interpretua së bashku dhjetë vjet më parë nga Workshop-i i Integrimit nga Beogradi dhe Qendra Multimedia nga Prishtina, pra Predrag Miki Manojloviq dhe Jeton Neziraj. Përveç interpretimit në Prishtinë dhe Beograd, një trupë e aktorëve kosovarë dhe serbë e performuan këtë pjesë edhe në rajon, dhe aktiviteti u mirëprit nga të dy popujt. Sigurisht që pati kritika, por që nuk e lanë në hije as shfaqjen dhe as idenë e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Pyetja është, çfarë ndodhi pas dhjetë vjetësh? Edhe atëherë, kur Kosova udhëhiqej nga ish-udhëheqësit e UÇK-së, nuk ishte mirë, por nuk kishte aq shumë
pengesa dhe ndalime të pakuptimta për serbët në Kosovë, apo ata që vinin nga Serbia. Çfarë ndodhi me shoqërinë civile dhe reagimet? Çfarë ndodhi me shqiptarët e mendimit të lirë në Kosovë? Pse e gjithë kjo heshtje? A ka mundësi që askush të mos ketë mendim për ndalimin e ardhjes së patriarkut? Si ka mundësi që artistët në Kosovë të mos kenë qëndrim për ndalimin e luajtjes së shfaqjes? Çfarë ndodhi me lirinë e mendimit?
Ndoshta ai mendim nuk do të arrinte tek ata që marrin vendime në Prishtinë, por besoj se qytetarët e thjeshtë do ta dëgjonin dhe ndoshta do të mendonin se sa e papërshtatshme dhe e panevojshme është ta ndaloni një prift të lutet në kishë ose një aktori për të qeshur apo shkaktuar ndonjë lloj tjetër emocion, madje edhe duartrokitjet e publikut në sallën e një Qendre kulturore lokale.
Kjo përmbajtje u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.
Share:
Zorica Krstić Vorgučić
Journalist
Zorica Krstić Vorgučić, gazetare dhe redaktore e Radio Kim në Çagllavicë. Ajo merret me gazetari që nga viti 2003. Përveç Radio Kim, ajo raporton edhe për Al Jazeera Balkans dhe gazetën javore NIN. E martuar, nënë e tre vajzave. Ajo jeton në Graçanicë.