Loja e fajësimit: BE-ja nuk është e besueshme? Po Kosova është?

Loja e fajësimit: BE-ja nuk është e besueshme? Po Kosova është?
13/12/2021

Kosova po bëhet gjithnjë e më e mirë në lojën e fajësimit, një rreth vicioz në të cilin të gjithë herët a vonë bien, e gjithmonë kjo po shkon në dëm të tyre. Në rastin e Qeverisë aktuale të Kosovës, ka faktor të mjaftueshëm për nxitjen e kësaj loje- nga njëra anë, në fakt kjo qeveri nuk është fajtore për shumë çështjet që po has. Mirpo, nga ana tjetër, një dekadë e gjysmë e aktiviteteve të ashpra, shpesh jokonstruktive opozitare për pothuajse çdo politikë qeveritare po i lë në një pozitë të pasigurt pasi tani as ata vetë nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të zbatojn të njëjtën politikë – kjo më së miri ilustrohet tani me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, i cili tani është duke pranuar * dhe kushtet e marrëveshjes së përfaqësimit rajonal në vizitat e tij zyrtare në BE.

BE-ja e humbi besueshmërinë e saj me dështimin e realizimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. BE-ja nuk ka kredibilitet për të udhëhequr negociatat me Serbinë për shkak të pesë mosnjohësve; SHBA duhet të marrë një rol më të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve për ta korrigjuar atë.

Këto janë dy kritikat më të zakonshme që i drejtohen BE-së nga përfaqësuesit politikë të Kosovës, si ata në pozitë ashtu edhe ata në opozitë. Mirpo për çfarë hesht Kosova kur i bën këto kritika?

E vërtet se Këshilli i Bashkimit Evropian po dështon të arrijë një konsensus për ta vendosur çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në agjendën e tij. Por, kush ishte ai që bllokoi ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, një nga dy kushtet e nevojshme politike për liberalizimin e vizave, për gati tre vjet? Po të mos ishin veprimet e opozitës AAK-së dhe LVV-së, para së gjithash me mjete jodemokratike, situata në Këshillin e BE-së mund të ishte më e favorshme në vitin 2016, kur ishte dashur të votohej demarkacioni, sesa në vitin 2018, kur u votua përfundimisht në Kuvendi i Kosovës.

Glauk Konjufca i cili tash flet me plot përbuzje për ata që nuk vijnë në seancat e Kryesisë dhe rrezikojnë kuorumin, ka ndërprerë seancën e të njëjtit organ duke hedhur gaz lotsjellës në sallë për të penguar thirrjen e seancës plenare për të votuar këtë çështje. Kolegët e tij partiakë, në mesin e tyre edhe ministri aktual i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tani është kaq i shqetësuar për sundimin e ligjit, përdorën të njëjtën pajisje në seancën plenare dy vite më vonë, kur në sallë ishte e pranishme shumica e dy të tretave të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit dhe kur ata ishin të gatshëm të ushtrojnë të drejtat dhe detyrat e deputetëve dhe të votojnë

Protesta paqësore, vënia në dyshim e drejtësisë së përfshirjes së zgjidhjes së çështjeve dypalëshe në kriteret për liberalizimin e vizave janë mënyra legjitime për të luftuar proceset e perceptuara si të pafavorshme. Ato mund të ishin adresuar përmes kanaleve diplomatike, të paktën kjo e fundit. Mirëpo, ndalimi i votimit nga një shumicë dërrmuese duke përdorur gaz lotsjellës la pasoja afatgjata për imazhin e Kosovës, ashtu siç bënë edhe njoftimet e qeverisë së Haradinajt lidhur me rishikimin e marrëveshjes për demarkacionin pasi ajo u ratifikua me kaq bujë dhe zvarritje.

BE-ja gjithashtu nuk është një palë e besueshme apo e aftë për të udhëhequr Dialogun – ajo nuk ka fuqi dhe është e paaftë të bindë shtetet e veta anëtare të njohin Kosovën, e lëre më Serbinë.

Kësaj kritike i mungon diçka, Kosova nuk po e kupton se po të mos ishte BE-ja dhe ky Dialog, situata në Kosovë do të ishte ende e njëjtë si në vitin 2010. Kjo do të thotë se nuk ka IBM me Serbinë, nuk ka +383 për Kosovën, Gjykata Themelore dhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës do të ishte ende në Vushtrri dhe asnjë institucion lokal i Qeverisë së Kosovës nuk do të ishte në veri. Asnjë nga këto nuk janë arritje të Kosovës apo gjëra që Serbia është pajtuar vullnetarisht; ato ishin rezultat i diplomacisë dhe presionit të BE-së ndaj Serbisë. Asnjë veprim diplomatik nuk është pa kosto, qoftë presion, apo nxitje dhe Kosova ende dështon të japë llogari për sa përpjekje diplomatike BE ka investuar tashmë në të gjatë dekadës së fundit. Përkundrazi, Kosova nuk arrin të bëjë pjesën e saj dhe të zbatojë pjesë të marrëveshjes që nuk e favorizon por e ka ratifikuar, siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ashtu si lufta për ratifikimin e demarkacionit, një marrëveshje teknike në të cilën morën pjesë ekspertë të Kosovës, duke refuzuar zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që qeveria nënshkroi dhe kuvendi miratoi, gjithashtu lë pasoja të rënda për imazhin dhe besueshmërinë e Kosovës.

Në vend që të përpiqet të rregullojë ngërçin në Dialog me qasjen e tyre, politikanët kosovarë presin ta zgjidhin atë duke bërë thirrje për përfshirjen e SHBA-së. Por a ka dëgjuar dikush ndonjëherë një zyrtar amerikan të thotë se SHBA dëshiron të përfshihet në këtë proces, por është bllokuar disi nga dikush? Përkundrazi, SHBA-të premtuan partneritet me BE-në në këtë proces, por e bënë të qartë se BE-ja është lider. SHBA-ja nuk ka gjasa të lidh ngushtë reputacionin e saj diplomatik me një proces që mund të përfundojë për dhjetë vjet të tjera. Nëse Kosova dëshiron përfshirjen e plotë të SHBA-së, do të duhet të jetë e gatshme të ndërmarrë hapa seriozë përpara dhe të fillojë zbatimin e A/CSM.

LVV bëri një fitore historike në zgjedhjet kombëtare të vitit 2020, por një mandat i fortë nënkupton edhe presion për të marrë vendime të vështira. Kosova kishte mbështetjen e ndërkombëtarëve për të zbatuar vendimin e saj në lidhje me targat në veri, por mbështetja nuk erdhi falas – tani është koha për të treguar se sundimi i ligjit është i rëndësishëm edhe në rastin e Manastirit të Deçanit dhe A. /CSM.

Nuk është detyrë e BE-së apo e SHBA-së të lobojnë për njohjen e Kosovës. Fakti që ata mund ta kenë bërë këtë në të kaluarën ose mund ta bëjnë ende është diçka për të cilën Kosova duhet të jetë mirënjohëse, por jo ta marrë si obligim ndaj Kosovës. Nuk është në interesin e BE-së që ta shtyjë Prishtinën të negociojë me Beogradin. Nuk mund të themi se dialogu gjithsesi të çojë drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës, mirpo mungesa e tij me siguri se nuk do ta bëjë.

Nuk është në interesin e BE-së që të ushtrojë presion të jashtëzakonshëm mbi Serbinë në emër të Kosovës – jo tani kur kompanitë e mëdha gjermane kanë objekte dhe interes ekonomik në Serbi dhe veçanërisht jo në të ardhmen kur industria e saj e makinave mund të mbështetet ndjeshëm në litium nga Serbia.

Nga ana tjetër, është në interes të Kosovës që të tregojë vazhdimësi dhe besueshmëri, jo vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në marrëdhëniet me investitorët potencial. Nëse çdo qeveri e re shkel marrëveshjet e qeverive të mëparshme, pse një investitor do të mendojë të negociojë me ndonjë qeveri në Kosovë? Nëse çdo marrëveshje bilaterale duhet të rishikohet, si mund vendet e tjera të mbështeten te Kosova?

Është gjithashtu në interes të Kosovës që të marrë përgjegjësi të plotë për veten. Kjo nuk do të thotë të jesh një sovranist apo legalist ekstrem, por të marrësh parasysh kontekstin e pozicionit tënd ndërkombëtar. Nuk mund të hipotezosh një referendum për bashkimin me Shqipërinë që do të kërkonte një ndryshim kushtetues, ndërkohë që refuzon çdo mundësi ndryshimi të Kushtetutës për të përshtatur ASM-në dhe madje shkon më tej për të fshehur mungesën e guximit për të vepruar pas një rishikimi kushtetues. Një aktgjykim i cili para së gjithash konstatoi se “Asociacioni/bashkësia e komunave me shumicë serbe duhet të krijohet siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të shpallur nga Presidenti i Republikës së Kosovës”.

Ndryshimet e Kushtetutës nuk janë të pamundura, siç e ilustron Kuvendi i Kosovës, i cili e ndryshoi atë pesë herë që nga viti 2008, rishikimet kushtetuese mund të shihen gjithashtu si një udhërrëfyes i ndryshimeve të nevojshme për të bërë diçka kushtetuese, jo vetëm si ndalim i një veprimi. Nëse Kushtetuta do të trajtohet si Libër i Shenjtë apo diçka që mund të rregullohet është çështje e vullnetit politik të shumicës dhe arsyeshmërisë së ndryshimeve të kërkuara, por cilado qoftë qasja, ajo është e dëmshme për pozitën dhe popullin e Kosovës nëse është e tillë, selektive.

Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës

Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.

Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.

Share:

Milica Andrić Rakić

Milica Andrić Rakić është pjesë e shoqërisë civile që nga viti 2015. Ajo ka punuar si hulumtuese dhe analiste e politikave për organizata të shumta joqeveritare dhe kompani konsulente deri në vitin 2018 kur u bë gazetare. Si analiste e politikave ajo është marrë gjerësisht me zbatimin e kornizës ligjore lidhur me komunitetet joshumicë në Kosovë, veçanërisht me qasjen në dokumente dhe lirinë e lëvizjes, arsimimin në gjuhën serbe dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Milica Andrić Rakić aktualisht është duke punuar si menaxhere e projektit në Iniciativën e Re Sociale.

Share: