Respektimi i Parimeve të Vetëqeverisjes Lokale si Parakusht për Decentralizim të Qëndrueshëm

Organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në komunitetin serb në Kosovë shprehin shqetësim serioz për rastet gjithnjë e më të shpeshta të veprimeve të institucioneve qendrore që kufizojnë mundësinë e vetëqeverisjeve lokale në veri të Kosovës për të ushtruar kompetencat e garantuara nga korniza ligjore në fuqi. Rasti më i fundit lidhur me emërtimet e rrugëve përfaqëson vetëm një shembull të një problemi më të gjerë që vë në pikëpyetje shtrirjen reale të kompetencave të vetëqeverisjes lokale në praktikë.

Ky rast tejkalon çështjen e vetë emërtimeve të rrugëve dhe hap një pyetje thelbësore lidhur me funksionimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale në Kosovë. Nëse vendimet që pa dyshim bëjnë pjesë në kompetencat ligjore të komunave mund të bëhen praktikisht të pavlefshme përmes ndërhyrjes së institucioneve qendrore, atëherë vihet në pikëpyetje përmbajtja reale e decentralizimit dhe autonomisë lokale. Në këtë kuptim, kontesti lidhur me emërtimet e rrugëve përbën një tregues të qartë të qasjes arbitrare të autoriteteve qendrore ndaj kompetencave kushtetuese dhe ligjore të komunave, si dhe ndaj parimeve të vetëqeverisjes lokale të garantuara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

Veçanërisht shqetësues është fakti se këto aktivitete po zhvillohen gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, gjë që me të drejtë ngre pyetje mbi motivet politike që qëndrojnë pas tyre. Në vend që çështjet që bien në kompetencën e vetëqeverisjes lokale të zgjidhen përmes dialogut dhe procedurave institucionale, ato po përdoren sërish për të krijuar tensione politike dhe për të mobilizuar elektoratin. Praktika e deritanishme ka treguar se veprime të tilla rrallëherë kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve konkrete të qytetarëve, por pothuajse gjithmonë thellojnë ndarjet dhe dëmtojnë besimin ndërmjet komuniteteve.

Dëshirojmë të rikujtojmë se Bashkimi Evropian e ka konsideruar funksionimin e institucioneve të reja lokale në veri të Kosovës si një nga treguesit kryesorë të stabilizimit të suksesshëm të situatës pas krizës politike që shoqëroi zgjedhjet lokale. Megjithatë, ky rast, si dhe një sërë zhvillimesh të ngjashme gjatë periudhës së fundit, tregon se vazhdon të ekzistojë një hendek i konsiderueshëm ndërmjet transferimit formal të pushtetit dhe ushtrimit real të kompetencave lokale.

Prandaj, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që të kërkojnë nga institucionet e Kosovës respektimin e vazhdueshëm të parimeve të vetëqeverisjes lokale dhe të kundërshtojnë qartë praktikat që kufizojnë ose e bëjnë të pakuptimtë ushtrimin e kompetencave të garantuara me ligj për komunat. Gjithashtu, u bëjmë thirrje që vlerësimin e progresit ta bazojnë në mundësinë reale të autoriteteve lokale për të ushtruar kompetencat e tyre, dhe jo vetëm në funksionimin formal të institucioneve.

CASA

Aktiv

Nisma e Re Sociale (NSI)

InTER

Share:

Share: