AKUZA TË RREZIKSHME DHE TË PABAZA NDAJ OJQ AKTIV DHE SHOQËRISË CIVILE SERBE
Organizata joqeveritare AKTIV dënon fuqishëm dhe hedh poshtë kategorikisht deklaratat e fundit të Gurakuç Kuçit, bashkëpunëtor i lartë i “Institutit për Studime të Luftës Hibride Oktopus”, të publikuara nga agjencia e lajmeve Kosovapress më 18 maj 2025.
Akuzat që Kuçi i drejton ndaj OJQ AKTIV dhe organizatave të shoqërisë civile nga veriu i Kosovës, përfshirë pretendimet për zhvillim të një “lufte hibride”, lidhje me struktura terroriste dhe përpjekje për “delegjitimim të Policisë së Kosovës”, janë krejtësisht të pavërteta, dashakeqe dhe të rrezikshme. Bëhet fjalë për shpifje të rënda të qëllimshme, që paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e përfaqësuesve të shoqërisë civile në veri të Kosovës, me synim të qartë delegjitimimin e punës shumëvjeçare të organizatave që trajtojnë shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe diskriminim sistemik të komunitetit serb.
Këto akuza nuk përbëjnë vetëm shpifje të rënda dhe të pabazuara, por edhe përpjekje për të rrezikuar sigurinë e anëtarëve të ekipit tonë, për të dëmtuar reputacionin profesional të organizatës dhe për të kriminalizuar punën legjitime dhe transparente të shoqërisë civile serbe, si në veri, ashtu edhe në pjesët tjera të Kosovës.
Veçanërisht skandaloze dhe e rrezikshme është pretendimi se OJQ AKTIV, pa asnjë provë, lidhet me konfliktin e armatosur tragjik në Banjskë në shtator të vitit 2023. Një gënjeshtër e tillë shkel çdo standard të etikës dhe paraqet nxitje të drejtpërdrejtë për një fushatë shoqërore dhe institucionale kundër organizatës sonë dhe aktorëve të tjerë në veri.
Po aq e turpshme është deklarata se shfaqja e dëshmive të grave të nacionalitetit serb, të cilat raportojnë ngacmime dhe frikësime të vazhdueshme në Mitrovicën e Veriut, përbën mbështetje për struktura paralele ose terroriste. Këto deklarata jo vetëm që targetojnë organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por edhe minimizojnë dhe viktimizojnë më tej grate, përfshirë të miturat, që kanë përjetuar ngacmime verbale dhe seksuale. Ato dekurajojnë çdo përpjekje për të adresuar mangësitë institucionale dhe thellojnë mungesën e besimit të grave ndaj Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera përkatëse.
Akuza të tilla nuk janë vetëm përpjekje për diskreditim të shoqërisë civile, por kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e një atmosfere linçimi, nxisin urrejtjen dhe dhunën dhe përkeqësojnë situatën e sigurisë, tashmë të brishtë. Në një kohë kur veriu i Kosovës përballet me incidente të vazhdueshme, arrestime dhe frikësime, kjo lloj retorike mund të ketë pasoja të rënda për jetën dhe sigurinë e aktivistëve që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Veçanërisht shqetësues është targetimi etnik i organizatës sonë përmes fyerjeve ndaj përbërjes së ekipit tonë, gjë që përbën diskriminim të qartë dhe është në kundërshtim me vlerat themeloretë një shoqërie multietnike, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë.
Për më tepër, këto akuza përdoren si mjet për të shmangur vëmendjen nga problemet reale dhe serioze me të cilat përballet komuniteti serb në Kosovë dhe për të diskredituar shqetësimet legjitime të qytetarëve të tij. OJQ AKTIV e sheh këtë sulm si të drejtuar jo vetëm kundër integritetit të saj, por edhe kundër gjithë shoqërisë civile.
Theksojmë gjithashtu se agjencia Kosovapress nuk ka kontaktuar OJQ AKTIV për të kërkuar koment ose sqarim, e as për të verifikuar faktet lidhur me akuzat serioze të publikuara. Me këtë rast janë shkelur rëndë parimet e gazetarisë profesionale, përfshirë dispozitat e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodit të Sjelljes së Komisionit të Pavarur për Media (KPM).
Në këtë kontekst, OJQ AKTIV kërkon që:
• Gurakuç Kuçi dhe organizata “Oktopus” të kërkojnë falje publike për deklaratat e pavërteta, dashakeqe dhe të rrezikshme ndaj OJQ AKTIV dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile. Kjo falje duhet t’i dërgohet agjencisë Kosovapress dhe mediave të tjera që i kanë publikuar ose mund t’i publikojnë këto pretendime;
• Portali Kosovapress të heqë menjëherë deklaratën nga platforma e tij dhe të publikojë një kërkim falje publik, në përputhje me standardet e gazetarisë së përgjegjshme;
• Mediet që raportojnë në gjuhën shqipe në Kosovë të publikojnë këtë deklaratë dhe të tregojnë përkushtim ndaj gazetarisë së vërtetë dhe të pavarur, duke mbrojtur integritetin e tyre profesional dhe hapësirën për informim të paanshëm;
• Bashkësia ndërkombëtare të reagojë urgjentisht dhe të dënojë publikisht sulmet e tilla ndaj shoqërisë civile, të cilat po bëhen gjithnjë më të shpeshta dhe po vijnë nga individë dhe organizata të papërgjegjshme. Këto sulme përbëjnë një kërcënim serioz për lirinë e veprimit të organizatave joqeveritare dhe e kufizojnë më tej hapësirën tashmë të ngushtë të veprimit të sektorit civil në Kosovë.
OJQ AKTIV mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe përmirësimit të pozitës së komuniteteve jo-shumicë. Nuk do të lejojmë kriminalizimin e punës sonë, dhe nuk do të heshtim përballë përpjekjeve për frikësim dhe delegjitimim të organizatave që veprojnë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Organizatat në vijim qëndrojnë së bashku pas kësaj deklarate:
OJQ Aktiv
Iniciativa e Re Shoqërore (NSI)
Qendra për Veprim Shoqëror Afirmativ (CASA)
Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER)
Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC)
Gracanica Online
UPZH Avenija
Komunikimi për Zhvillim Shoqëror (CSD)
Qendra për Iniciativa Sociale (CSI)
Qendra Humane Mitrovica (HCM)
Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT)
Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik (FDMC)
Grupi Ekspertësh për Mjedisin dhe Mjekësinë (EMEG)