Ky raport eksploron sfidat dhe mundësitë për integrimin e komunitetit serb të Kosovës në sektorët kyç si arsimi, shëndetësia, trashëgimia kulturore dhe ekonomia. Gjetjet bazohen në të dhënat primare të mbledhura përmes dy diskutimeve në fokus grupe me komunitetin serb të Kosovës në Mitrovicën e Veriut në muajin gusht të vitit 20 24 dhe me komunitetin shqiptar të Kosovës në muajin shtator të vitit 2024, krahas një analize të burimeve dytësore, duke përfshirë dokumentet ligjore, raportet dhe analizat e ekspertëve.
Analiza jonë tregon se integrimi kuptimplotë i serbëve të Kosovës është i lidhur ngushtë me normalizimin më të gjerë politik të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pa përparim të dukshëm në këtë fushë, përpjekjet për integrimin e serbëve të Kosovës me shumë gjasa do të përballen me rezistencë nga ky komunitet. Qasja e qeverisë së Kosovës ndaj komunitetit serb të Kosovës duhet të shkojë drejt një diskursi që promovon të drejtat ekzistuese të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe planin e Ahtisarit.