Sa marrëveshje duhet të nënshkruhen për marrëdhënie të normalizuara ndërmjet dy fqinjëve?

Sa marrëveshje duhet të nënshkruhen për marrëdhënie të normalizuara ndërmjet dy fqinjëve?
23/07/2021

Kanë kaluar pothuaj dhjetë vjet që nga fillimi i dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të dy vendet ende synojnë ta arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kjo marrëveshje synon t’i adresojë të gjitha çështjet e tyre të pazgjidhura, t’i lejojë ato të përparojnë në rrugët e tyre drejt Bashkimit Evropian, të krijojë mundësi të reja dhe ta përmirësojë jetën e qytetarëve të tyre.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja synon ta ndihmojë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve, por edhe brenda komuniteteve në Kosovë: pra për vendin dhe qytetarët e tij serbë etnikë, duke e lehtësuar qasjen e tyre në arsim dhe punësim, dhe duke i bërë ata të ndihen më të sigurt dhe më të mbrojtur. Megjithatë, në praktikë, kjo nuk i ka dhënë rezultatet e pritura. Procesi i dialogut kishte mungesë transparence, që nga fillimi, dhe nuk ka arritur të fitojë mbështetje publike në të dy vendet, në Kosovë dhe në Serbi. Sipas një studimi të kryer nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Qendra e Beogradit për Politikën e Sigurisë (2021), 80 për qind e të anketuarve kosovarë dhe 92 për qind e të anketuarve serbë nuk mendojnë të kenë pasur ndonjë përfitim personal nga dialogu.

Në të vërtetë, janë arritur 38 marrëveshje, pesëmbëdhjetë prej të cilave konsiderohen marrëveshje dhe njëzet e tri nën-marrëveshje. Por pyetja që mbetet është: Sa marrëveshje të tjera duhet të nënshkruhen në mënyrë që marrëdhëniet ndërmjet dy etnive të konsiderohen si marrëdhënie të “normalizuara”? Nga ana tjetër, pajtimi mbetet ëndërr e largët.

Prej këtyre 38 marrëveshjeve, pesë mbeten të pazbatuara: Njohja e ndërsjellë e diplomave universitare; Asociacioni / Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë; Të dhënat kadastrale; Energjia; dhe Heqja e barrikadave dhe Revitalizimi i urës në Mitrovicë. Megjithatë, edhe marrëveshjet që shihen si të zbatuara ose pjesërisht të zbatuara nuk u shërbejnë gjithmonë nevojave të qytetarëve dhe një sërë shkeljesh vazhdojnë të ndodhin nga të dy palët.

Për shembull, përkundër ekzistimit të një marrëveshjeje të thjeshtë, si Liria e lëvizjes, e cila supozohet ta lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë dhe kosovarë, (duke i përdorur dokumentet e tyre përkatëse zyrtare, përfshirë njohjen e patentë shoferëve dhe targave të automjeteve) ata ende ngurrojnë ta kalojnë kufirin. Në këtë drejtim, 67 për qind e kosovarëve pohojnë se nuk do të ndiheshin të sigurt të udhëtonin në Serbi me targa të Kosovës1. Edhe kur i përdorin aeroportet serbe, si tranzit për vende të treta, ekziston pasiguria nëse ata do të jenë në gjendje të arrijnë në destinacionin e tyre pa hasur në ndonjë problem kur pasaporta e tyre të verifikohet në dalje.

Në shumë raste – nëse lejohet – ata do të vendosin të shkojnë në një rrugë më të gjatë / më të shtrenjtë vetëm për t’iu shmangur ndonjë problemi që do të mund të ndodhte në kufi / aeroport.

E njëjta marrëveshje synon normalizimin e lirisë së lëvizjes brenda Kosovës, posaçërisht ndërmjet territoreve të saj veriore dhe jugore, përkatësisht për sa i përket funksionalizimit të urës së Mitrovicës. Mirëpo, për shkak të sulmeve dhe çështjeve që ndodhin në Mitrovicën Veriore, kosovarët nuk ndihen të sigurt ta vizitojnë atë pjesë të vendit. E njëjta gjë vlen edhe për serbët e Kosovës. Perceptimi i përgjithshëm për sigurinë për të udhëtuar dhe vizituar të afërmit e tyre në territoret me shumicë shqiptare, mbetet i ulët ndër ta. Një studim i kryer nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (2020) konkludon se ekziston një mungesë e ndjenjës së përkatësisë midis komuniteteve serbe që jetojnë në Kosovë, e kjo po e pengon krijimin e një kombi gjithëpërfshirës. Nga ana tjetër, shqiptarët etnikë në Serbi gjithashtu ndihen të lënë jashtë procesit të dialogut dhe kanë filluar të pretendojnë kohëve të fundit se Beogradi po i shpërfill adresat e qytetarëve të Luginës së Preshevës në një proces të heshtur të spastrimit etnik.

“Normalizimi i marrëdhënieve ekonomike” ishte një rezultat tjetër pozitiv i dëshiruar i këtyre negociatave. Hapat fillestarë drejt arritjes së një bashkëpunimi të tillë ndërmjet dy vendeve janë ndërmarrë me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbi vulën doganore, e cila synon ta lejojë shkëmbimin normal të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje përparoi në shkurt 2020, me ndërmjetësimin e SHBA-së nën administratën e Trumpit, Kosova dhe Serbia u pajtuan ta krijojnë një linjë të drejtpërdrejtë fluturimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe një lidhje hekurudhore ndërmjet këtyre dy vendeve. Edhe pse është bërë një përmirësim i dukshëm në rritjen e eksporteve të Kosovës për në Serbi (dhe anasjelltas), ka ende boshllëqe të mëdha që e pengojnë normalizimin ekonomik ndërmjet këtyre dy vendeve. Për shembull, eksportuesit e Kosovës hasin në pengesa në doganë, ku ndalohen për disa orë për të hyrë në Serbi. Për të mos i përmendur rastet kur autoritetet doganore paralele serbe i përdorin vulat provokuese ku thuhet ‘Doganat e Prishtinës dhe Mitrovicës së Kosovës’. Ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë shpresuar se arritja e këtyre marrëveshjeve ekonomike nga këto dy vende do të ketë efekt pozitiv të përhapjes në arenën politike. Edhe pse kjo do të kishte qenë strategji e mirë, për fat të keq, ashtu si me shumicën e marrëveshjeve, kjo gjithashtu është përdorur nga të dy qeveritë për qëllimet e tyre politike apo edhe populliste. Çështjet e lartpërmendura, si dhe vendosja e tarifës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si kundërpërgjigje ndaj lobimit agresiv të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, mund të konsiderohen si provë.

Për sa u përket takimeve të nivelit të lartë, mund t’i vërejmë disa përpjekje për vazhdimin e dialogut, por për çfarë qëllimi? Është e qartë se deri më tani, jo vetëm që nuk ekziston një gjuhë e përbashkët, por edhe i ashtuquajturi “normalizim i marrëdhënieve” – ​​që thjesht tregon krijimin e një mjedisi jokërcënues për të dy komunitetet – nuk është arritur. Derisa qytetarët ndihen të pasigurt dhe të kërcënuar për të lëvizur lirshëm brenda territorit të tyre, si dhe përtej kufirit, është vështirë të pranosh që marrëdhëniet janë normalizuar.

Një gjë që mund ta konfirmojmë me siguri është se procesi i dialogut është politizuar nga të dy qeveritë. Deri më tani kemi parë që të dy elitat në pushtet, në Kosovë dhe në Serbi, e kanë përdorur dialogun dhe marrëveshjet e tij për t’u shërbyer qëllimeve të tyre politike dhe interesave personale. Derisa Kosova refuzon t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, veçanërisht AKS-në, do të duket sikur Serbia është plotësisht e angazhuar në proces dhe e gatshme për kompromis. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, po e përdor këtë strategji për ta kontrolluar gjendjen publike e cila mund t’i fitojë atij kohë për ta fituar edhe një mandat tjetër pesëvjeçar në zgjedhjet presidenciale të planifikuara për vitin 2022. Duke marrë parasysh që 64 për qind e qytetarëve serbë mbështeten në televizion, veçanërisht në transmetuesin publik (RTS), qeveria mundet dhe është duke manipuluar dhe formësuar lehtë opinionin e qytetarëve, por vetëm për përfitime të tyre dhe për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy komuniteteve.

Për ta shmangur bllokimin ose përkeqësimin e situatës, e ardhmja e të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre nuk duhet të përcaktohet nga një rreth i vogël i elitave politike në pushtet, qoftë kombëtare apo ndërkombëtare.

Ajo që tashmë dihet është se normalizimi i marrëdhënieve (së paku në këtë rast) nuk qëndron për pajtim, duke marrë parasysh se edhe bashkëjetesa paqësore nuk mjafton për ta arritur një harmonizim ndërmjet dy etnive. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është hapi fillestar të cilin duhet ta synojnë qeveritë dhe qytetarët e saj. Qeveritë duhet të përqendrohen maksimalisht dhe t’i vënë përpjekjet e tyre në zbatimin e vërtetë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, pa nxituar në një marrëveshje përfundimtare.

Nuk kam dyshim se nismat poshtë-lart, përfshirë një proces të konsultimeve dhe pjesëmarrjen e qytetarëve, do të mund ta lehtësonin këtë proces. Edhe Serbia edhe Kosova kanë nevojë për diskurs të brendshëm. Vuçiqi e ka filluar një diskutim të brendshëm publik në Serbi, por qasja e tij është kritikuar brenda vendit dhe kryesisht nuk ia ka dalë ta arrijë qëllimin e saj ose të prodhojë rezultate. Nga ana tjetër, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i është dhënë mundësia për ta filluar jo vetëm një dialog ndëretnik në Kosovë, por edhe një dialog ndërmjet forumeve të ndryshme shqiptare dhe individëve, si dhe për ta krijuar një konsensus ndërpartiak në Kosovë.

Edhe OSHC-të mund të luajnë rol në këtë proces, duke organizuar diskutime mes vete, por edhe me qytetarë të rëndomtë. Këto lloje të diskutimeve do të shërbenin si urë lidhëse ndërmjet dy komuniteteve për ta avancuar zbatimin e dialogut përmes kontakteve të drejtpërdrejta të ndërsjella, si dhe për t’ia komunikuar shoqërisë më të gjerë përfitimet e mundshme të dialogut. Përveç kësaj, ato do t’u ndihmonin qytetarëve jo vetëm të mbështeten në media dhe të manipulohen nga qeveritë e tyre përkatëse, por edhe t’i formësojnë mendimet e tyre dhe t’i avancojnë marrëdhëniet dhe lidhjet me komunitetin tjetër.

Heqja e të gjitha pengesave tregtare dhe promovimi i lidhjes ekonomike ndërmjet dy kombeve, dhe më gjerë, do të kontribuojë, pa dyshim, në normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike. Marrëdhëniet politike ose diplomatike nuk duhet ta pengojnë asnjë fushë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve, veçanërisht të atyre që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Kjo më pas do të shpinte në një proces të pa-nxitur politikisht ndërmjet elementëve të ndryshëm të shoqërisë, i cili duhet të forcohet dhe të mbështetet nga BE-ja në mënyrë që të bëhet më gjithëpërfshirës, potencialisht si mënyrë për të shkëmbyer mendime kundërshtuese dhe për ta zhvlerësuar gjuhën nacionaliste.

Pajtimi është një proces që do të fillojë si rezultat i përfundimit të normalizimit të marrëdhënieve. Ky është pa dyshim një proces shoqëror më i ndërlikuar dhe më gjithëpërfshirës, ​​i cili do të kërkonte njohje reciproke të vuajtjeve të kaluara dhe krijimin e mekanizmave specifikë bilateralë për t’u marrë me të kaluarën antagoniste rajonale. Duhet bërë më tepër përpjekje në nivelin institucional për t’i hetuar shkeljet e kaluara; për të sjellë drejtësi për viktimat; për t’i zgjidhur rastet e personave të zhdukur; për t’i rishikuar dhe harmonizuar tekstet shkollore të historisë e kështu me radhë. Por, para se të arrihet në këtë pikë, nevojitet një udhëheqje autentike dhe e ndershme, dhe kjo me përpjekje të thjeshta për ta përgatitur publikun për kompromis.

Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës

Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.

Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.

Share:

Festina Kabashi

Festina ka diplomë Master në studime për Paqe dhe Konflikte nga Universiteti Umeå në Suedi. Ajo bëri studimet e saj të shkëmbimit në KU Leuven ku kishte mundësinë të ndiqte kurse në lidhje me studimet evropiane. Në 2015, ajo fitoi një Bachelor të Arteve në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Epoka në Tiranë, Shqipëri. Festina kaloi disa vjet duke punuar me organizata të ndryshme të shoqërisë civile në Kosovë kryesisht si studiuese. Ajo ka monitoruar zhvillimet politike, sociale dhe zhvillime të tjera që ndikojnë në dialogun Kosovë-Serbi si dhe ka ndjekur zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Festina ka punuar me institucionet e qeverisjes vendore për të rritur transparencën, përgjegjshmërinë e tyre dhe për të përfshirë qytetarët - veçanërisht gratë - në procesin e vendimmarrjes. Ajo është gjithashtu e pajisur me një njohuri të konsiderueshme praktike në acquis të BE-së, të cilën ajo e ka fituar gjatë punës në një OJQ në Bruksel.

Share: