Dialogu, i kuptuar si mjet për tejkalimin e problemeve nga të dyja palët, do të ndikojë për shumë vite në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës . Para formatit aktual – negociatat e udhëhequra nga Bashkimi Evropian (2011-), “Negociatat e Vjenës” (2005-2007) dhe Rambuje (1999) nuk ishin të suksesshme.
Si produkt i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i negociatave të tilla, në kontekst të (mos)suksesit të tyre, ishte një ndryshim i gjendjes faktike në terren. Megjithatë, përderisa “komuniteti ndërkombëtar” i përfshirë në dialog, dhe në një kuptim të kufizuar përfaqësuesit serbë dhe shqiptarë, kishin përgjegjësinë më të madhe për shpalosjen e rrethanave, komuniteti serb i Kosovës, ishte pothuajse plotësisht i përjashtuar nga procesi, madje edhe kur u përfshi, në parim, ndikimi i saj në rezultatin përfundimtar ishte inekzistent. Në këtë kuptim, “struktura” institucionale mbizotëroi “agjencinë” e aktorëve vendorë.
Problemi në relacion “strukturë” – “agjenci”, është pjesë e një debati të njohur brenda studimeve sociologjike. Për shembull, në “Rregullat e metodave sociale” (1895), sociologu francez Émile Durkheim (Emile Durheimpërkufizon “faktet shoqërore”, bazën e strukturës, si “çdo mënyrë veprimi, qoftë ‘fikse’ ose jo, e aftë për të ushtruar presion të jashtëm mbi individin”.[1] Në anën tjetër, Anthony Giddens (Anthony Gidens në veprën e tij “Organizimi i Shoqërisë” (1984), vuri në dukje se “agjencia” i referohet “ngjarjeve në të cilat individi është kryesi, në kuptimin që individi mundet, në çdo fazë, duke pasur parasysh sekuencat e sjelljes, të veprojë më ndryshe”.[2] Duke thjeshtuar përkufizimet e lartpërmendura në kontekstin e studimit tonë të rastit, “struktura” do të kuptohet përmes aranzhimeve institucionale, të imponuara apo negociuara pa përfshirjen/konsultimin aktiv të komunitetit serb të Kosovës, duke i mohuar kështu “agjencisë”, d.m.th. mundësinë/aftësinë për vendimmarrje të pavarur ose autonome.
Megjithatë, duke pasur parasysh se në praktikë nuk ka kurrë një model të tipit ideal të mbizotërimit të “strukturës” ose “agjencisë”, shumë autorë pajtohen se më së shpeshti është marrëdhënia e ndërlidhjes së këtyre variablave, në të cilën “struktura” kufizon në një masë më të madhe ose më të vogël “agjencinë” një grup ose individ. Në këtë kuptim, siç do të ilustrohet në pjesën tjetër, “agjencia” e komunitetit serb në Kosovë u mohua gradualisht nga “shtrëngimi” i unazës strukturore, ndër vite.
Pra, me përfundimin e konfliktit të armatosur në Kosovë (1999), i ashtuquajturi “administrim i përkohshëm ndërkombëtar” mbi këtë territor, gjë që shkaktoi pakënaqësi te pjesëtarët e komunitetit serb por edhe te ai shqiptar. “Rezoluta 1244” e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara garantoi zyrtarisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës Federale të Jugosllavisë mbi Kosovën, por në praktikë qeveria serbe humbi çdo kontroll real në terren.[3] Njëkohësisht, “administrata e përkohshme ndërkombëtare” mundësoi vetëqeverisje të konsiderueshme për komunitetin shqiptar, por nuk e përcaktoi qartë rrugën drejt statusit përfundimtar të Kosovës, të cilin popullata shqiptare e pranoi vetëm në formën e pavarësisë.
Shumë shpejt, një perceptim i tillë u pranua nga “komuniteti ndërkombëtar”, duke e justifikuar vendimin duke iu referuar parimit të “vetëvendosjes”. Në këtë kuptim, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, në nenin 1, thekson se “në bazë të kësaj të drejte, popujt (vërejtje e autorit) lirisht përcaktojnë statusin e tyre politik…”[4]
Qasja e përmendur u inkorporuar në kontekstin e “Negociatave të Vjenës” që rezultuan në “Planin e Ahtisaarit”.[5] Ndonëse Beogradi zyrtar dhe as serbët e Kosovës nuk e pranuan atë, “bashkësia ndërkombëtare” e mbështeti Kosovën në shpalljen e njëanshme të pavarësisë (2008). Përveç kësaj, “Plani i Ahtisaarit” si model i dizajnit institucional të shtetit të ri përmbante disa dispozita në kontekstin e statusit të veçantë të komunitetit serb në Kosovë, por në fund të fundit është se aranzhimi në fjalë nuk ishte mbështetur nga popullsia vendase, e cila, në një farë mënyre, pasqyronte politikën e “standardeve të dyfishta” – perceptimi ishte se parimi i “vetëvendosjes” nuk vlen për serbët e Kosovës. Në këtë kuptim, pjesëtarëve të komunitetit serb iu imponua një “strukturë” institucionale, të cilës duhej t’i përshtateshin, në të njëjtën kohë duke ua mohuar “agjencinë”, pa respektuar vizionin e tyre për zgjidhje gjatë zbatimit të një plani të parapërgatitur.
Vazhdimësia e kësaj qasjeje u ruajt edhe pas “transferimit” të negociatave në kuadër të Bashkimit Evropian. Ndërsa, gjatë “negociatave të Vjenës” “struktura” u imponua nga “bashkësia ndërkombëtare” dhe u zbatua nga autoritetet në Prishtinë, këtë herë Beogradi zyrtar ishte përgjegjës për ngufatje pothuajse absolute të “agjencisë” së serbëve të Kosovës, me ç’rast aftësia për vendimmarrje autonome e komuniteteve u reduktua në minimum, duke u bërë vetëm një pjesëmarrës pasiv i vendimeve të dakorduara në nivelin e Dialogut.
Në këtë kuptim, një shembull i qartë i kësaj praktike mishërohet përmes integrimit të komunitetit serb në Veri në sistemin e Kosovës, duke përfshirë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, si rezultat i Marrëveshjes së Parë mbi Parimet që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve,përkatësisht të ashtuquajturën Marrëveshje e Brukselit.[6] E prezantuar nga ndërmjetësi i Dialogut si simbol i suksesit, bashkëpunimit dhe normalizimit ndërmjet palëve, marrëveshja u zbatua në terren me metoda jashtëzakonisht jodemokratike. Duke mbyllur sërish ndaj “agjencisë” së mohuar të serbëve të Kosovës, duke pranuar njëkohësisht “bashkëpunimin” në të njëjtën , aktorët ndërkombëtarë të përfshirë në Dialog u mundësuan autoriteteve në Beograd që, si një koncesion për zbatimin e zellshëm të marrëveshjes nga Dialogu, të vendoset një sistem autokratik, mono-partiak në mjediset serbe, që do të shënojë fillimin e fazës terminale të ngulfatjes së “agjencisë” së serbëve të Kosovës.
Pra, “kriza e përhershme” e tanishme në Veri të Kosovës inicioi shpërbërjen e disa “strukturave”, të krijuara më parë, duke liruar zyrtarisht “agjencinë” e komunitetit serb. Megjithatë, intensiteti i ngulfatjes së vendimmarrjes autonome, ose më mirë me thënë, mundësia për të ndikuar në vendimet e drejtuara ndaj komunitetit, në mënyrën e përshkruar më sipër, shkaktoi paralizë të njëjtë, të reflektuar përmes një ndjenje kolektive të pajtimit, që u manifestua përmes pasivitetit të përgjithshëm dhe indiferencë. Duke luajtur vetëm rolin e pjesëmarrësit të luhatjeve “strukturore” në nivelet më të larta vendimmarrëse, serbët e Kosovës u atrofizuan si subjekt autonom, pra si një grup subjektesh autonome.
Në këtë kuptim pasiviteti është shndërruar në dëshirë për emigrim. Me serbët e Kosovës, numri i të cilëve është në rënie të theksuar gjatë periudhës së përshkruar, po largohet edhe karakteri multietnik i Kosovës. Në qoftë se do të ndalej trendi i lartpërmendur, duhet t’i mundësohet komunitetit serb të vendosë për fatin e tij, sepse në esencë, dëshira për emigracion është në fakt dëshira për “agjenci”. Megjithatë, edhe nëse këto kufizime hiqen plotësisht në të ardhmen, do të duhej shumë kohë, që komuniteti sërish të aktivizohet. Ndërkaq për këtë komunitet, i cili çdo ditë është më i vogël, nuk ka shumë kohë.
[1] Émile Durkheim, The Rules of Sociological Method, trans. W. D. Halls (New York: Free Press, 1982), 50.
[2] Anthony Gidens, The Constitution of Society: Outline of the Theory of Structuration (Berkeley, University of California Press, 1984), 9.
[3] United Nations Security Council, Resolution 1244 (1999), S/RES/1244, adopted June 10, 1999, https://undocs.org/S/RES/1244(1999)
[4] International Covenant on Civil and Political Rights: United Nations, “International Covenant on Civil and Political Rights,” 16 December 1966, https://www.ohchr.org/en/instruments-mechanisms/international-human-rights-instruments/international-covenant-civil-and-political-rights
[5] United Nations, Comprehensive Proposal for the Kosovo Status Settlement, S/2007/168/Add.1, submitted by Martti Ahtisaari, March 26, 2007, https://undocs.org/S/2007/168/Add.1
[6] European Union, First Agreement of Principles Governing the Normalisation of Relations, April 19, 2013, https://eeas.europa.eu/sites/default/files/brussels_agreement.pdf