Kemi harruar ta dëgjojmë njëri-tjetrin

Kemi harruar ta dëgjojmë njëri-tjetrin

Më 8 shkurt, një grup aktivistësh nga Kosova u takuan në Graçanicë për një diskutim jozyrtar rreth dialogut të udhëhequr nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Titulli i diskutimit ishte “Dialogu Kosovë-Serbi në vitin zgjedhor?”, – Sa kohë kemi vërtet?”, ndërsa gjuha e punës ishte në anglisht. Diskutimet u organizuan për një diskutim të drejtpërdrejtë dhe cilësor mbi zhvillimet politike në një mjedis miqësor dhe respektues.

Është viti i trembëdhjetë (13!) që marr pjesë në cilësi dhe vende të ndryshme, nga organizatorë të ndryshëm, në temën e dialogut. Kësaj here u ndjeva si më i vjetri, ngase shumica e njerëzve të tjerë ishin më të rinj, mirëpo diskutonin të njëjtën temë dhe proces. Natyrisht, si në të gjitha takimet e kësaj natyre, u përgatitën një sërë pyetjesh që synonin të drejtonin diskutimin tonë.

Por, ndryshe nga herët e tjera, këtë herë mbizotëronte një atmosferë e zymtë. Më 1 shkurt, kishte hyrë në fuqi një vendim i ri administrativ i Bankës Qendrore të Kosovës, i cili publikisht është quajtur si “ndalimi i përdorimit të dinarit”. Kjo u bë e ditur më 27 Dhjetor 2023. Çështja u bë e njohur publikisht vetëm pas 15 janarit, kur një zyrtar i lartë i qeverisë së Kosovës deklaroi publikisht se “nuk do të kishte më dinarë”. Ose diçka e tillë. Dhe kështu filloi gjithçka. Liderët e Serbisë deklaruan se ky vendim do të rrezikonte serbët e Kosovës të cilët marrin paga, ndihma sociale, pensione dhe ndihma të tjera financiare nga Serbia. BE dhe SHBA kërkuan një periudhë tranzitore për zbatimin e pjesës së rregullores së BQK për ndalimin e të gjitha transaksioneve të tjera financiare përveç euros. Siç zakonisht ndodh, kryeministri i Kosovës deklaroi se nuk do të ketë pezullim të rregullores, sepse BQK është një institucion i pavarur dhe që qeveria e tij nuk mund të ndërhyjë. Dhe kështu nisi konflikti i fundit ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit. BQK doli me një plan prej 10 pikash për të lehtësuar “tranzicionin” dhe e zgjati periudhën në 3 muaj. Shpresojmë se brenda këtij afati kohor do të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme në dobi të qytetarëve.

Siç është e zakonshme në Ballkan, duhet t’i drejtohemi historisë. Në verën e vitit 1999, Kombet e Bashkuara vendosën që marka gjermane të ishte monedha kryesore në Kosovë dhe në vitin 2002 ajo u bë Euro. Serbia vazhdoi të financonte institucionet e saj, ato që quheshin “institucione paralele”, në vendbanimet serbe të Kosovës – “komunat paralele”, të gjithë sistemin e arsimit dhe shëndetësisë, asistencën sociale, pensionet, etj.

Në qendër të kësaj krize nuk është përdorimi i monedhës, por mungesa e zgjidhjes gjithëpërfshirëse për akomodimin e serbëve dhe institucioneve që financohen dhe kontrollohen nga Serbia, në kuadër të Kosovës dhe garantojnë parimet e financimit transparent dhe të ndihmës financiare të Beogradit për serbët e Kosovës.

Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me veriun e Kosovës, por me të gjithë popullatën serbe të Kosovës, pasi ndikon drejtpërdrejt në pagat, pensionet dhe ndihmën sociale për rreth 95.000 njerëz. Besoj se ka ndikuar seriozisht negativisht edhe në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Pra, e gjithë situata nuk mund të shihet përmes lenteve të thjeshtuara, ose vetëm përmes prizmit të sigurisë.

Mendoj se është shumë më e rëndësishme të shihet nëse qeveria e Kosovës do të dalë me një zgjidhje gjithëpërfshirëse për problemin. Tashmë është bërë e ditur se do të propozojë “10 pikat” e veta.

Të gjithë e dimë se shumë nga ky problem duhet të trajtohet në kontekstin e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por mendoj se kjo tregon gjithashtu se qeveria nuk i beson procesit të dialogut të drejtuar nga Brukseli. Por ajo që duhet t`i kushtojmë vëmendje është se në këtë periudhë tranzicioni disamujore, të gjitha këto çështje të ndërlikuara, duhet të trajtohen dhe zgjidhen.

Kosova tashmë po përballet me pasoja negative në marrëdhëniet me Perëndimin, qoftë përmes “sanksioneve” të BE-së, qoftë përmes paralajmërimit publik të SHBA-së për ndryshimin e cilësisë së marrëdhënieve me Kosovën dhe ripërcaktimin e partneritetit me Kosovën. Unë personalisht i frikësohem pasojave të përkeqësimit të marrëdhënieve, sepse ato janë ekzistenciale për Kosovën.

Dialogu i BE është një proces shumë sfidues, por është i vetmi që kemi dhe që do të jetë në të ardhmen e afërt. Nëse ky proces dështon, e ardhmja e afërt do duket e errët. Pyetjet në një rast të tillë janë alarmante – si mund të ruhet paqja dhe stabiliteti duke pasur parasysh zgjedhjet për Parlamentin e BE-së dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA? Kjo është thelbësore, pasi kemi ardhur në një pikë ku status quo-ja nuk mund të ruhet apo të mbahet pa një përfshirje të vendosur, të besueshme dhe vizionare të Perëndimit për të mbyllur kapitullin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Diskutimet në Graçanicë përfunduan me një darkë, ku të gjitha temat e rëndësishme u shtjelluan dhe pati dialog të sinqertë. Do të doja që më shumë njerëz të kishin dëgjuar këtë dialog. Kur bëhet fjalë për jetën e qytetarëve, dimensioni njerëzor është – ose duhet të jetë – mbizotërues. Zhurma shurdhuese e prodhuar nga politikanët, debatet publike dhe propaganda, i bën njerëzit të harrojnë të flasin me njëri-tjetrin. Dhe më e rëndësishmja, ta dëgjojnë njëri-tjetrin.

Share:

Ilir Deda

Europe's Futures Fellow, Institute of Humanistic Sciences, Vienna

Share: