Më kujtohet mirë 19 Prilli 2013. Udhëtonim për në Ohër, në një nga seminaret për proceset e monitorimit të punës së vetëqeverisjes lokale, dhe kur arritëm atje, na priti ky lajm i rëndësishëm – u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit.
Sinqerisht, ne nuk e dinim saktësisht se çfarë do të thoshte dhe çfarë efektesh do të kishte në jetën tonë. Në fakt, edhe sot e kësaj dite, ne serbët, në jug të Ibrit, ende nuk e kemi zbuluar këtë. Asociacioni i Komunave Serbe është përmendur atëherë, dhe ka vazhduar të përmendet edhe sot e kësaj dite, meqëse ne atëherë nuk dinim asgjë për të, nuk jemi në dijeni edhe sot e kësaj dite – çfarë është në të vërtetë dhe çfarë kompetencash do të ketë. U përmend edhe integrimi i veriut. Për ketë çështje e dinim menjëherë se do të ishte një dhimbje. Ashtu si e paramenduam edhe ndodhi.
Kur flitet publikisht për Marrëveshjen e Brukselit, gjithçka drejtohet drejt veriut. Kështu ka qenë që nga 19 prilli 2013. Zgjedhjet, proceset zgjedhore, çështja e energjisë, çështja e targave, çështja e kthimit, e drejta, çështja e gjyqësorit, gjithfarë çështjesh, dhe askujt nuk i bëhet vonë për ne – serbët në jug të Ibrit. U zhdukëm nga radari, sikur të jetonim në trekëndëshin e Bermudës, e jo në Kosovë (dhe në Metohi). Na përmendin herë pas here, vetëm për ta bërë këtë, për ta bërë të ditur se ata e dinë që ne jemi këtu, por askush nuk po lufton për ne – as Beogradi, as Prishtina, as bashkësia ndërkombëtare që kanë ulur kokën e tyre dhe qëndrojnë të heshtur. Edhe ne heshtim, nuk dimë çfarë të themi, as kujt t’ia themi.
Marrëveshja e Brukselit nuk na solli asgjë, por na mori gjithçka – në radhë të parë lirinë tonë. Jemi ne ata që jetojmë nga e djeshmja në nesër dhe e sotmja është veçanërisht e frikshme për ne, sepse nuk e dimë se çfarë sjell e sotmja, vetëm e dimë se do të na marrë më shumë. Dhe kështu shkon!
Megjithatë, herë pas here zëri ynë degjohet nga disa se si jemi të privuar nga gjithçka – drejtësia, dinjiteti, gjumi i mirë, e ardhmja, perspektiva…
Thuhet se dikush po i rrah fëmijët tanë, si kur tre shqiptarë të rritur rrahën Lukën e vogël në mes të Graçanicës. Policia e përjashtoi si “keqkuptim verbal” dhe në vend që të ndiqte sulmuesit, ndëshkoi babanë e djalit të rrahur, pasi kishte guxuar të protestonte. Të dënuar u dënuan edhe ata që e mbështetën protestën e tij dhe që kërkuan respektimin e ligjit dhe drejtësisë, sepse me sa duket nuk ka as ligj e as drejtësi për ne. Tani bëni një shëtitje me të dashurën tuaj nëse guxoni.
Thuhet se jemi duke u gjykuar me një përkthim të posaçëm serbisht të ligjit, në të cilin nuk ka mundësi të gjobitet për disa kundërvajtje (një opsion që ruhet në versionin shqip të të njëjtit ligj). Pra, shkoni në gjykatë nëse guxoni, dënimi me burg është i garantuar…
Ata mund të dëgjojnë se serbët mbi 65 vjeç janë “turistët pensionistë”, të cilëve u hiqet e drejta për përfitime sociale prej 90 euro në muaj, sepse nuk kanë shtëpi në emër të tyre. Sipas shumicës janë barrë, e “keqpërdorin” buxhetin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, ata e shpërfillin faktin se serbët në jug të Ibrit janë kryesisht persona të zhvendosur “brenda-brenda” që ikën nga pogromi i vitit 2004 dhe humbën shtëpitë dhe të gjitha gjërat e tyre. Pa shtëpi – pa “pension pleqërie”, mund të jetosh nga ajri.
Thuhet se po na hiqet e drejta e votës, sepse dikujt nuk i pëlqen mënyra se si kemi votuar. Ata e dinë se kjo nuk është me vullnetin tonë të lirë. Ata e dinë! Epo prapë shkoni në qendrat e votimit nëse guxoni.
Thuhet se për 17.000 nxënës tanë nuk ka tekste nga Serbia, edhe pse Ligji për Arsimin në Kosovë parasheh qartë kompetencat ekskluzive të Ministrisë së Arsimit të Serbisë për arsimin në gjuhën serbe, veçanërisht në aspektin e kurrikulës dhe shpërndarjes së teksteve shkollore, por kujt i intereson për ligjet në Kosovë. Nuk lejohet importi i librave, por jo me vendim të Qeverisë së Kosovës, por në bazë të një emaili të Ministrit të Arsimit të Kosovës dërguar drejtorit të Doganës, dhe me kërkesë të një shtetasi shqiptar të Serbisë, i ndjeri Jonuz Musliu. Tani dërgojeni fëmijën tuaj në shkollë nëse guxoni, ai do të mësojë nga YouTube, nuk ka asgjë të keqe me këtë…
Ata mund të dëgjojnë kërcënime se nuk do të ketë serb në Kosovë, sepse Interpoli ka arrestuar një politikan kosovar, por nuk do të dëgjojnë për kërkim falje për ato kërcënime të drejtuara ndaj qytetarëve të Kosovës, serbëve, të cilët kinse janë të barabartë sipas Kushtetutës. Pra, bëni një gjumë të mirë nëse mundeni.
Dëgjojnë se po konfiskohet prona e kishës, po shpallen manastiret ortodokse anti-katolike, se manastirin e Visoki Deçanit e kanë ndërtuar shqiptarët, jo Nemanjiqi, se kështu thotë një shoqatë e historianëve të Deçanit, se e dinë! Historia 8-shekullore dhe të gjitha të dhënat historike të vlefshme duhet të hidhet poshtë dhe bashkë me të edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që konfirmon pronësinë e të njëjtit manastir mbi pronën e tij. Ata gjithashtu mund të dëgjojnë se Kisha e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë është një simbol i së keqes, dhe Kisha Ortodokse Serbe është një provokator për të shërbyer një liturgji në kishë në ditën e Ngjitjes… Imagjinoni guximin! Tani mashtrohu dhe beso në liritë fetare o rob i Zotit.
Ata mund të dëgjojnë se gjuha serbe dhe shqipe dhe alfabeti i tyre janë të barabartë në Kosovë, por ju do të dëgjoni serbisht vetëm nëse guxoni të ankoheni për shkeljen e të drejtës së përdorimit të gjuhës në Zyrën e Komisionerit për Gjuhët. Dhe vetëm sepse në krye të kësaj zyre është një serb që lufton kundër mullinjve të erës për të ruajtur statusin e gjuhës serbe në institucionet e Kosovës. Alfabetin cirilik do ta shihni vetëm në fshatrat tuaja, të ashtuquajturat komuna serbe, sepse atje na lejohet të jemi vetëm serbë. Provoni të kërkoni serbisht dhe cirilik në Gjakovë nëse guxoni.
Dhe duke folur për Gjakovën, mund të dëgjohet për Dragicën që nuk mund të blejë bukë e as ilaçe, sepse nuk kërkoi falje për diçka që nuk e bëri dhe që nuk ka të drejtë të jetë atje dhe do të duhet të largohet, nëse jo bukur. – pastaj me dhunë, sepse kështu thonë 11 organizata joqeveritare nga Gjakova. Pra kthehu të jetosh në Kosovë nëse do, mirpo nuk ka bukë për ty. Nga ana tjetër, mund të mbështeteni në plaçkitjen dhe thyerjen e xhamave.
Ata gjithashtu mund të dëgjojnë se të rinjtë largohen çdo ditë – herë për shkak të arsimit, herë për shkak të politikës, herë për shkak të inatit, por më shpesh për shkak të mjerimit dhe varfërisë. Pavarësisht kësaj, ata largohen dhe nuk kthehen më. “Ne kemi mbetur aq pak sa nuk do të mbetet asnjë pas nesh”, siç ka shkruar një poet i ri nga Graçanica.
Mund të dëgjohej shumë më tepër për jugun – vjedhje, gurëzime, rrahje, keqbërje, shkatërrime politike dhe vetëshkatërrim… Ka shumë pak fjalë për të përshkruar atë që jeta mund të na sjellë në vetëm një ditë. Por ne e ngremë zërin në një rast të rrallë sepse kemi mësuar se në këtë jetë duhet të luftojmë vetëm. Për çdo padrejtësi që na ndodh, për çdo “rast” luftojmë të vetëm, me ligjet e mësuara përmendësh të Kosovës, duke u shpjeguar “patriotëve” dhe “baballarëve të kombit” të Kosovës se jemi qytetarë të barabartë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. . Por ata nuk na shohin si të tillë, sepse jemi serb, sepse jemi kërcënim, sepse u kemi “borxh”, sepse ne duhet të bëjmë gjithçka që të tjerët nuk duhet ta bëjnë, sepse ne paguajmë faturën për gjithçka, sepse ne jemi objektiva të lehtë, sepse ne jemi këtu dhe sepse ata munden. Dhe me çdo qeveri të re të Kosovës, gjërat përkeqësohen. Për ta ne jemi topa që duhen gjuajtur për të fluturuar sa më larg dhe për të bërë sa më shumë zhurmë. Sa më keq të jenë ata ndaj nesh, aq më të mëdhenj janë patriotët në sytë e publikut. Sjellje e turpshme dhe e padenjë e gjoja përfaqësuesve të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Megjithatë, problemet tona nuk tingëllojnë sirena të mbrojtjes civile, as helikopterë që ngrihen, nuk ka gatishmëri luftarake, por nuk rregullohen. Ne nuk jemi as objekt negociatash, rrallëherë dikush na përfaqëson në institucione; ne jemi një zë që të gjithë kanë vënë në MUTE. Megjithatë, ndonjëherë, ata lexojnë nga buzët tona – ky është realiteti ynë dhe mundimi ynë. Marrëveshja e Brukselit nuk ishte për ne. Jemi të kënaqur kur dinë t’i listojnë me saktësi të gjitha fshatrat tona – Plemetin, Graçanicë, Novobërdë, Kamenicë, Ranillug, Partesh, Kllokot, Vitinë, Shtërpcë. .. Ata e dinë, është mirë, do të thotë se jemi këtu. Të paktën edhe për një kohë…
Nga rojtarët e vatrave shekullore do të mbetet vetëm vatra, dhe jo kjo shekullore, por “vatra” në Graçanicë ku ndonjëherë mblidhemi për t’i kujtuar vetes pse jemi ende këtu, për të gjetur justifikim për veten tonë. dhe pse i mbajmë fëmijët tanë të burgosur në geto, pa një shans për një fëmijëri të shkujdesur. Cfare po bejme? Pse po e bëjmë? Më e keqja është se ne jemi të vetëdijshëm se po vuajmë nga sindroma e Stokholmit, jemi të vetëdijshëm se jemi peng – të Prishtinës, të Beogradit, të vetes dhe të dëshirave e shpresave tona… Dhe shpresojmë vetëm që një nga këto ditë , gjithçka përfundon, bëhet një e djeshme, një ëndërr e shëmtuar. Se vjen një ditë kur nuk do të jemi më njerëz të pagdhendur në Kosovë, por qytetarë, dinjitoz dhe të barabartë, por pa u çuditur – pse nuk jemi?
Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës
Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.
Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.