Prezantimi i rezultateve të hulumtimit mbi perceptimin e marrëdhënieve ndër-etnike në Kosovë

Prezantimi i rezultateve të hulumtimit mbi perceptimin e marrëdhënieve ndër-etnike në Kosovë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Iniciativa e Re Sociale (NSI), në një event për media, publikuan sot rezultatet e një ankete me 1200 të anketuar në mbarë Kosovën mbi perceptimet e qytetarëve për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndëretnik në Kosovë. Anketa është realizuar në kuadër të projektit “FIERC” financuar nga Fondi i Paktit të Stabilitetit të Ministrisë së Jashtme Federale Gjermane.

Anketa u implementua nga 28 tetori deri më 2 nëntor nga një ekip multietnik hulumtuesish dhe mbuloi rajonet kryesore të Kosovës, duke përfshirë komunat multietnike, zonat rurale dhe urbane, dhe për këtë arsye ofron një pasqyrë shumë të besueshme dhe gjithëpërfshirëse të asaj që qytetarët mendojnë për marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë dhe si mund të përmirësohen tutje ato.

Papunësia dhe mungesa e vendeve të punës janë shqetësimet kryesore për shqiptarët e Kosovës (51%) si dhe serbët e Kosovës (46%), e pasuar nga sistemi i dobët shëndetësor dhe korrupsioni në institucionet publike.

Kur bëhet fjalë për sigurinë, 84% e shqiptarëve të Kosovës deklaruan se ndjehen të sigurt si anëtarë të grupit të tyre etnik, krahasuar me 44% të serbëve të Kosovës që ndihen të sigurt dhe 39% prej tyre që nuk ndihen të sigurt. Kjo tregon se përkatësia etnike përceptohet si një rrezik më i madh për sigurinë tek serbët e Kosovës sesa shqiptarët e Kosovës.

Sa i përket perceptimeve të qytetarëve për gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, rezultatet tregojnë se qytetarët kosovarë që kanë një pikëpamje mjaft optimiste janë në shumicë në krahasim me ata që kanë një pikëpamje më pesimiste. Megjithatë, për shkak se anketa është kryer gjatë tetorit të vitit 2022, rezultatet mund të jenë të ndryshme në kontekstin aktual, duke marrë parasysh tensionet e rritura në veri të Kosovës.

Shpat Balaj, koordinator i projektit FIERC tha se rezultatet janë çuditërisht pozitive. Sipas z. Balaj, rezultatet mbi perceptimet e qytetarëve për gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë “tregon se komuniteti në Kosovë mund të jetë më rezilient ndaj diskursit radikal politik në vija etnike, sesa që besohet në mënyrë konvencionale”.

Sa i përket bashkëpunimit ndëretnik, rezultatet janë më pesimiste. Jovana Radosavljevic, drejtore ekzekutive e Iniciativës së Re Sociale (NSI) theksoi se “marrëdhëniet ndëretnike përmirësojnë narrativën politike dhe veprimet që mund ta mundësojnë ose ta përkeqësojnë atë. Shoqëria civile dhe media nuk duhet të jenë mundësues të veprimeve të qeverisë dhe zmadhues të retorikës së qeverisë në rastet kur këto veprime janë polarizuese dhe nxitëse. Ata që janë në qendër të këtyre proceseve si qytetarët, iniciativat me bazë në komunitet, udhëheqësit e komuniteteve, inciativat politike që janë konstruktive dhe shoqëria civile, duhet të fuqizohen në përpjekjet e tyre për të nxitur pajtimin dhe bashkëpunimin ndëretnik. Niveli i demokracisë së një shoqërie matet nga mënyra se si ajo trajton grupet e saj më të cenueshme, veçanërisht komunitetet jo-shumicë.”

Këto rezultate të anketës do të pasohen nga dy raporte të tjera që analizojnë gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, që do të publikohen deri në fund të vitit.

Share:

Share: