Ekspozita “Gjithë lotët tanë” qëndron deri të hënën

Ekspozita “Gjithë lotët tanë” qëndron deri të hënën

Ekspozita “Të gjithë lotët tanë” u mbajt në Beograd dhe Shkup, para se të përfundonte udhëtimin e saj në Prishtinë këtë javë në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Nëse nuk e keni vizituar deri tani, keni ende kohë.  

Kjo ekspozitë unike u dedikohet rrëfimeve të viktimave të luftërave në rajon. Qëllimi i kësaj ekspozite është të njoftohet publiku më i gjerë me rrëfimet e tyre dhe të bëj apel për përkrahje për viktimat dhe grupet e tjera të prekura në rajon, në kërkimin e tyre për të vërtetën dhe drejtësinë. 

Ekspozita përbëhet prej 34 fotografive origjinale, të bëra nga katër fotografë në vende të ndryshme në, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut. Fotografët edhe pse nuk njiheshin më parë arritën të krijojnë një tregim universal, por edhe t’i bashkojnë kujtimet e dhimbshme të njerëzve të rëndomtë dhe vuajtjet e tyre. 

Rrëfimet paraqesin më tepër aspekte të luftërave në ish-Jugosllavi – fotografi familjare të të zhdukurve, vende të krimeve, varre masive, persona të zhvendosur brenda vendit dhe memoriale, por gjithashtu edhe pasojat e stërzgjatura të konflikteve që ndjehen edhe sot, duke treguar tërë tragjedinë dhe kompleksitetin e luftës. 

Ekspozita “Gjithë lotët tanë” ka për qëllim ta zhvillojë kuptueshmërinë e përbashkët në nivel kolektiv dhe individual, si dhe ta ngritë zhvillimin social dhe kohezionin. 

Procesi i krijimit u bë në bashkëpunim me shoqatat e familjarëve të të zhdukurve dhe të vdekurve nga Kosova dhe Serbia, si dhe familjarëve të të vdekurve civilë dhe PZhBV nga Maqedonia e Veriut, me qëllim të krijohet hapësirë për mundësi të reja dhe iniciativa të përbashkëta për ndërtimin e paqes dhe pajtimit në rajon. 

Ekspozitën mund ta vizitoni deri më 19 dhjetor, në katin e tretë të Hotel Grand, çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 17:00. 

Në hapje të ekspozitës folën Marinko Đurić, nga Shoqata e Familjeve të Viktimave të Kosmetit, Bajram Qerkini, nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, si dhe Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. 

Organizuar nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, Integra, Iniciativa e Re Sociale, Aksioni Paqësor dhe Iniciativat Qytetare, me përkrahje nga PAX dhe ICTJ, kjo ekspozitë rajonale do të ketë hapjen e saj të tretë në Prishtinë, pas hapjes së saj në Beograd dhe Shkup. 

Fotografët: Atdhe Mulla, Arbnora Memeti, Nake Batev dhe Borislav Pesiç 

Kurator për ekspozitën në Prishtinë: Atdhe Mulla

Share:

Share: