Përgjigje ndaj zonjës Paunović
Ne, organizatat e nënshkruara të shoqërisë civile, të përkushtuara për mbrojtjen e të drejtave, avancimin e pozitës dhe fuqizimin e komunitetit serb në Kosovë, dënojmë fuqishëm deklaratën e fundit të ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila justifikoi dhe normalizoi idenë e spastrimit etnik në Kosovë. Një retorikë të tillë e konsiderojmë gjuhë urrejtjeje, diskurs dehumanizues dhe një përpjekje të rrezikshme për të normalizuar konceptin e spastrimit etnik në diskursin publik.
Është veçanërisht shqetësuese që deklarata të tilla vijnë nga bartës të funksioneve më të larta publike. Fjalët e tyre nuk janë thjesht qëndrime personale politike. Ato mbajnë peshë institucionale, formësojnë diskursin publik dhe ndikojnë në kufijtë e asaj që shoqëria e konsideron politikisht të pranueshme.
Pasojat më të rënda të deklaratave të tilla nuk i bartin politikanët që i bëjnë ato, por komuniteti serb në Kosovë. Narrativa të tilla thellojnë mosbesimin ndërmjet komuniteteve, e dobësojnë më tej pozitën e serbëve të Kosovës dhe shpesh përdoren për të justifikuar politika e masa që kufizojnë të drejtat dhe hapësirën qytetare të komunitetit tonë.
Komuniteti serb në Kosovë nuk ka nevojë për populizëm nacionalist apo retorikë nxitëse. Ai ka nevojë për politika të përgjegjshme nga Beogradi që në mënyrë të vazhdueshme vendosin interesat e komunitetit në plan të parë dhe kontribuojnë në krijimin e kushteve për një jetë të qetë, të sigurt dhe dinjitoze në Kosovë. Çdo politikë që prodhon efektin e kundërt nuk e mbron komunitetin serb, por e dobëson edhe më tej pozitën e tij dhe cenon të ardhmen e tij.
Si organizata që punojmë çdo ditë me qytetarët dhe jemi të përkushtuara ndaj mbrojtjes së të drejtave, sigurisë dhe dinjitetit të komunitetit serb në Kosovë, besojmë se kemi përgjegjësinë të reagojmë qartë dhe pa asnjë ekuivok ndaj çdo retorike që nxit urrejtje, thellon ndarjet ose dëmton perspektivat për bashkëjetesë paqësore.
Centre for Affirmative Social Actions (CASA)
New Social Initiative (NSI)
Institute for Territorial Economic Development – InTER
AKTIV