Nevojiten sqarime për veprimet e Policisë së Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore në kampin Rezala

Roli i Policisë së Kosovës gjatë hyrjes së përfaqësuesve të ndërmarrjes publike të menaxhimit të ujërave “Ibar-Lepenac” në kampin Rezala ngre pyetje serioze lidhur me bazën ligjore, procedurat dhe shtrirjen e veprimeve dhe operacioneve policore në komunitetet me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Duke pasur parasysh rastet e mëparshme në të cilat veprimet e policisë dhe institucioneve të tjera kanë ngritur dilema lidhur me ekzistimin e urdhrave apo autorizimeve përkatëse të lëshuara nga organet kompetente gjyqësore, është e nevojshme të përcaktohet nëse Policia e Kosovës, gjatë veprimit në kampin Rezala, ka poseduar urdhër gjykate, vendim përmbarimor apo ndonjë akt tjetër të organit kompetent që autorizonte hyrjen në objekte private, kontrollimin e tyre ose largimin e pasurisë së luajtshme.

Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, hyrja në kamp është kryer pa njoftim paraprak dhe pa praninë e pronarit, ndërsa publikut nuk i është paraqitur asnjë urdhër gjykate apo dokument tjetër përmbarimor. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që të shpjegojë publikisht dhe në mënyrë të saktë mbi bazën e cilit akt juridik ka ofruar asistencë për përfaqësuesit e ndërmarrjes “Ibar-Lepenac”, si dhe të sqarojë nëse ka ekzistuar një urdhër gjykate që autorizonte veprimet konkrete të ndërmarra në kamp.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje EULEX-it, OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që mbështesin zhvillimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës që, në kuadër të mandateve të tyre, të shqyrtojnë këtë dhe raste të ngjashme dhe të vlerësojnë publikisht nëse veprimet e policisë kanë qenë në përputhje me parimet e sundimit të ligjit, mbrojtjen e pronës private dhe standardet e veprimit policor në shoqëritë demokratike.

Veçanërisht theksojmë se një numër i madh objektesh private përreth Liqenit të Gazivodës, si dhe në pjesë të tjera të Kosovës, mund të ndodhen në një pozitë të ngjashme juridike dhe pronësore. Prandaj, është e rëndësishme që të gjitha paqartësitë dhe kontestet të zgjidhen ekskluzivisht përmes procedurave gjyqësore dhe përmbarimore të përcaktuara me ligj, duke respektuar plotësisht të drejtat e pronarëve dhe përdoruesve të pronës. Përndryshe, krijimi i një praktike të zgjidhjes së kontesteve pronësore pa mbikëqyrje të qartë gjyqësore mund të rrezikojë sigurinë juridike dhe të drejtat pronësore të një numri të madh qytetarësh.

Nisma e Re Shoqërore (NSI)

Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER)

Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA)

Aktiv

Share:

Share: