Serbët në Kosovë: Mes premtimeve zhgënjyese dhe margjinalizimit politik

Serbët në Kosovë: Mes premtimeve zhgënjyese dhe margjinalizimit politik

Nëse jeni serb që jeton në Kosovë, është gati e pamundur që në muajt, madje edhe vitet e fundit, të paktën një herë të mos jesh ndier i tradhtuar dhe i zhgënjyer, duke bërë në të njëjtën kohë pyetje për të ardhmen. Komuniteti serb në Kosovë përballet me një ndjenjë të thellë të pasigurisë politike, veçanërisht pas negociatave shumëvjeçare politike, që ndonëse synojnë normalizimin, kanë lënë shumë serbë pa rezultate konkrete. Që nga fillimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në mars të vitit 2011, deri në Marrëveshjen e Parë për Parimet e Normalizimit në vitin 2013, serbët në Kosovë nuk ishin pjesëmarrës aktivë në atë proces. Marrëveshja e Brukselit, të cilën serbët e Kosovës e konsiderojnë si një proces jo gjithëpërfshirës dhe jo transparent, ndonëse u paralajmërua si një pikë kthese, thjesht ndodhi brenda natës dhe e la komunitetin në konfuzion dhe pasiguri.

“Demokracia nuk është vetëm pushtet i shumicës, por mbrojtje e të drejtave të pakicave ,” tha presidenti amerikan Lyndon B. Johnson. Në Kosovë, ky parim duket i largët. Komuniteti serb jo vetëm që nuk pati mundësi të ishte pjesë e dialogut në kuptimin demokratik, por u bë viktimë e interpretimeve të ndryshme dhe zbatimit selektiv të marrëveshjeve të arritura. Për shumë serbë, procesi i Brukselit ishte fillimi i asaj që mund të quhet integrim i imponuar – pa të drejtë për t’u shprehur, pa pjesëmarrje demokratike dhe pa mundësi për të ruajtur elementet kyçe të autonomisë së tyre dhe specifikën e veriut të Kosovës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, jeta e serbëve në Veri të Kosovës ndryshoi rrënjësisht, por në drejtim të kundërt nga ai që prisnin. Një premtim i paplotësuar mbeti formimi i Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), i cili duhej të ishte mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave specifike dhe autonomisë së serbëve. Ato premtime të paplotësuara ngadalë rrënuan besimin e komunitetit, derisa paralelisht proceset politike në Prishtinë merrnin vendime, që nuk pasqyronin interesat e serbëve, por i margjinalizuan edhe më shumë.

Kur komuniteti serb u largua nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022, autoritetet e Prishtinës e përdorën atë për margjinalizimin e mëtejshëm të komunitetit, përmes vendimeve jo legjitime, në nivel qendror dhe lokal. Vendimet në lidhje me jetën e përditshme të serbëve – nga ndalimi i importit të mallrave nga Serbia, deri te mbyllja e bankave dhe shërbimeve postare, pastaj autoritetet e përkohshme komunale dhe një sërë aspektesh të tjera, që ishin vendimtare për funksionimin e komunitetit – vetëm sa e përkeqësuan më tej situatën.

Sot serbët në Kosovë janë të përjashtuar nga jeta politike. Ata kanë përfaqësues që nuk i kanë zgjedhur, vendimet për jetën e tyre merren pa pjesëmarrjen e tyre dhe dialogu i zhvilluar në emër të tyre shihet me skepticizëm të thellë. “Ne populli”, fjalia që hap Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtu nuk ka të njëjtën forcë, të paktën jo në kuptimin pozitiv, sepse serbët në Kosovë nuk e ndjejnë se janë pjesë e ndonjë procesi politik apo demokratik.

Kjo ndjenjë e zhgënjimit nuk është vetëm rezultat i premtimeve të papërmbushura. Është një plagë e thellë, që është rënduar më tej nga zbatimi selektiv i marrëveshjeve, interpretimi i papërgjegjshëm i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe imponimi i zgjidhjeve pa proces demokratik. Komuniteti serb, tani i zhgënjyer dhe i margjinalizuar, shtron një pyetje kyçe: si të rivendoset besimi në proceset që janë tradhtuar kaq shumë herë? Nëse demokracia nuk kthehet në këto procese, dikush do të duhet të krijojë përsëri një pamje të demokracisë – siç

është përpjekur komuniteti ndërkombëtar me marrëveshjet dhe integrimin e mëparshëm, por siç thotë Mahatma Gandi: ” Fryma e demokracisë nuk mund të imponohet nga jashtë. Ajo duhet të rritet nga brendësia e popullit.” Pra, pyetja kryesore është nëse shoqëria kosovare mund të ndërtojë vlera demokratike mbi baza të shëndosha, apo tashmë kemi hequr dorë nga kjo dhe sipas të gjitha gjasave do të kemi përsëri një iluzion të demokracisë, që gjithmonë ka një afat të kufizuar.

Share:

Marko Milenković

Program Manager

z. Milenković është aktivist i shoqërisë civile nga Leposaviqi. Ai ka përvojë në shkencat teknike, pasi ka studiuar në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicë si dhe në Shkollën Teknike në Leposaviq. Me një përvojë disavjeçare në menaxhimin e projekteve, Marko e ka fokusuar punën e tij në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes vendore dhe sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes vendore. Nëpërmjet aktivizmit të tij, Marko përpiqet të fuqizojë komunitetin dhe të promovojë drejtësinë dhe barazinë sociale.

Share: