Vetëm pak orë pas torturës që kaloi Millosh Subotiç në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi të arriturat e Qeverisë së Kosovës në fushën e zhvillimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kontradikta në mes demokracisë, që e lavdëron presidentja Von der Leyen dhe asaj se si jetojnë serbët e Kosovës, ilustron në mënyrë të përkryer dikotominë në mes të lëvizjeve gjeopolitike, të bëra nga Komisioni Evropian dhe vlerave themelore mbi të cilat u themelua Bashkimi Evropian.
Ndoshta Ursula mendon se serbët nuk kanë të drejtë t’i gëzojnë frytet e demokracisë së Kosovës?! Serbët sigurisht që nuk votuan për pavarësinë e Kosovës dhe as nuk u pajtuan për integrim të detyruar në kushtet e vendosura nga Prishtina, prandaj arsyetimi se ata nuk kanë të drejtë të gëzojnë mbrojtjen universale të të drejtave të njeriut dhe demokracisë, gjendet lehtësisht. Atyre u lejohet që të jenë të huaj të padëshiruar në shtëpitë e tyre mbi të cilat nuk kanë më të drejta pronësie, të paguhen për (mos)punë, për punët që ndërkohë janë ndërprerë dhe të vuajnë të gjitha format e maltretimeve institucionale, ligjore dhe ndonjëherë fizike nga institucionet demokratike të Qeverisë së Kosovës, të cilat znj. Von der Leyen me një buzëqeshje të gjerë i lavdëron aq shumë.
Rasti i rrahjes së Millosh Subotiqit nuk është shembull i izoluar i brutalitetit policor ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në Veri të Kosovës. Kjo lloj sjelljeje e policisë së Kosovës u intensifikua veçanërisht gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, dhe brutalitetit të autoriteteve që duhet të ruajnë rendin nuk i shpëtoi as fëmijët dhe të miturit më të vegjël. Në qershor të vitit të kaluar, pjesëtarët e policisë së Kosovës ndaluan një vëlla (15) dhe një motër (17) në një rrugë lokale afër fshatit Zherovnicë, me ç’rast iu shkaktuan lëndime të rënda trupore. Në prill të këtij viti, policia e Kosovës rrahu brutalisht Vladan Stevanoviqin në fshatin Bube mbi Zubin Potok. Një vit më parë, në prill 2023, policia e Kosovës plagosi Milan Jovanoviq në Urën e Bistricës. Në shtator të këtij viti katër të rinj serbë u arrestuan pranë monumentit të Knez Llazarit dhe më pas u rrahën në stacionin policor “Veriu”. Këto janë vetëm disa nga shembujt e përdorimit të tepruar të autorizimeve policore, që janë të njohura për publikun. Në jetën reale, ka shumë incidente të tjera, që kanë mbetur të rrënjosura thellë në intimitetin e atyre që i kanë përjetuar, duke krijuar pakënaqësi dhe zhgënjim të përhershëm, që përjetojnë jo vetëm ata, por edhe familjet e tyre dhe komuniteti serb në përgjithësi.
Asnjë nga policët nuk ishte përgjegjës për veprimet e tyre të kundërligjshme në Veri të Kosovës. Si rregull, gjithmonë ka ndonjë gabim në procedurën, në bazë të së cilës kërkesa refuzohet. Disa raste të sjelljes potenciale të pandërgjegjshme dhe të paligjshme policore janë hetuar nga Avokati i Popullit, disa prej tyre janë hetuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, por opinioni i gjerë, veçanërisht komuniteti serb, i cili është më i prekur nga kjo çështje, nuk është në dijeni për rezultatet e këtyre hetimeve. Prandaj, nuk duhet për t’u habitur që mosbesimi i komunitetit serb në punën e institucioneve të Kosovës është thelluar, duke përfshirë një rënie të besimit në institucionet e pavarura, që rezulton në tërheqjen më të thellë të komunitetit serb nga jeta publike dhe politike në Kosovë.
Madje, edhe njohësit e mirë të rrethanave në Kosovë kanë harruar se para se të heqin uniformat, pjesëtarët e policisë rajonale nga radhët e komunitetit serb vazhdimisht kanë vënë në dukje brutalitetin e pjesëtarëve të forcave speciale të policisë në Veri të Kosovës. Nëse do të kishte pasur parandalim të vendosur të kësaj sjelljeje të dhunshme të pjesëtarëve të njësive speciale të policisë të dërguar nga Prishtina për të ruajtur rendin në komunat në veri, policët serbë ndoshta nuk do ta kishin lënë punën e tyre.
Po të kishte pasur pak më shumë urtësi në Bruksel, nuk do ta lejonin Kurtin të zbatojë programin e Lëvizjes Vetëvendosje, që synon rrënimin e Kosovës multietnike dhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave kolektive të serbëve, të krijuar me shumë mund përmes Planit të Ahtisaarit dhe Dialogut të Brukselit. Por është gjithmonë më e sigurt të fshihesh nën lavdërimet e arritjeve demokratike të Kosovës sesa të kritikosh sjelljen represive të së njëjtës qeveri ndaj një grupi etnik.
Po të kishte pasur pak më shumë guxim në Bruksel, do të kishin folur më me vendosmëri për faktin se baza e demokracisë së Kosovës është ndarja e pushtetit në atë mënyrë, që policia lokale të monitorojë përbërjen etnike të komunitetit dhe Policia rajonale në veri ka specifikën e saj, e cila përbën bazën e normalizimit të marrëdhënieve që po diskutohen në negociatat në kuadër të dialogut të Brukselit. Gjithashtu, më shumë do të flitej për sjelljen represive të policisë së Kosovës në zonat serbe në Veri të Kosovës. Por gjithmonë është më e lehtë të gjesh justifikim për braktisjen e serbëve të institucioneve, sesa të mbrosh vlerat themelore të Marrëveshjes së Parë të Brukselit.
Ky është imazhi i vlerave demokratike, që Ursula lavdëron aq shumë me një buzëqeshje të gjerë dhe një gojë plot dhëmbë të bardhë porcelani, derisa bën deklarata që më shumë të kujtojnë konkursin e Mis Universe se sa i ka hije një institucioni, që ajo përfaqëson. Pilati lau duart, ndërsa Ursula vlerësoi përkushtimin demokratik të Qeverisë së Kosovës për të rrahur brutalisht Millosh Subotiçin, të lidhur, në një dhomë të errët të stacionit policor në Mitrovicën Veriore.