Marrëveshja e propozuar nga BE-ja për Kosovën dhe Serbinë i ndihmon të dyja vendet të ecin në drejtimin e duhur dhe është në të mirë të rajonit
Më 18 mars, liderët kosovarë dhe serbë do të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar “Marrëveshjen e propozuar nga BE-ja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, si dhe udhërrëfyesin e zbatimit i cili i bashkëngjitet marrëveshjes. Në një liqen tjetër, jo shumë larg Ohrit, në vitin 2018 Greqia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshjen historike të Prespës, që çoi në anëtarësimin në NATO dhe përparim vendimtar në procesin e integrimit evropian, derisa Franca vendosi frenat në tetor të vitit 2019, duke bllokuar fillimin e bisedimeve zyrtare të anëtarësimit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Bazuar në muhabetin e Prishtinës, duket se vetë teksti i marrëveshjes nuk është pika më serioze e mosmarrëveshjes – të paktën mes liderëve – por më tepër udhërrëfyesi i zbatimit, apo më saktë, rrjedha e ngjarjeve në udhërrëfyes. Me fjalë të tjera, kur dhe çfarë hapash pritet të ndërmarrë secila palë në drejtim të zbatimit të detyrimeve që ka marrë në bazë të marrëveshjes. Kjo i referohet, ndër të tjera, aktiviteteve si kur themelohet Komiteti i Përbashkët, njohja e simboleve dhe dokumenteve kombëtare, ose kur ekipi menaxhues mblidhet për të çuar përpara draft statusin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Do të ishte shumë për të ardhur keq dhe një dëshmi e “epokës politike Trumpiane” aktuale në rajonin tonë, nëse të dy liderët dështojnë të arrijnë marrëveshjen e propozuar nga BE, sepse nuk mund të bien dakord për rrjedhën e ngjarjeve për zbatim.
Arsyet se pse mund të ketë shqetësime mbi udhërrëfyesin e zbatimit dhe rrjedhojën e ngjarjeve janë të dukshme dhe rrjedhin nga mosbesimi i thellë midis dy liderëve, i cili ishte një tipar i vazhdueshëm i dialogut të normalizimit që kur filloi në 2011. Qeveria e Kosovës ndoshta ka frikë se nëse bën hapa konkret drejt themelimit të ASM-së, para se Serbia t’i përmbushë zotimet e saj në marrëveshje, ajo do të humbasë çdo ndikim mbi procesin, e kështu me radhë. Në këtë kontekst, shpresojmë se BE-ja dhe akterët e tjerë e kanë bërë të qartë se kjo nuk është punë si zakonisht, në lidhje me zbatimin e marrëveshjes.
Ka pasur edhe shqetësime të tjera të rëndësishme nga perspektiva e Kosovës në lidhje me rezultatet e marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, kryesisht nëse ajo do të çojë në njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së (Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia)? Kjo është një çështje madhore, sepse pa ndryshime në pozicionin e pesë vendeve që nuk e njohin, aspirata e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE mbetet e pasigurt. Përveç kësaj, nëse pesë vendet qe nuk e njohin do të ndryshonin pozicionin, kjo do ta bënte njohjen formale nga Serbia, më pak të rëndësishme për Kosovën. Do të ndryshonte rrjedhoja e njohjes nga Serbia, duke e kthyer atë, kryesisht në një çështje mes BE-së dhe Serbisë, e jo siç është tani mes Kosovës dhe Serbisë.
Diskutimet në Kosovë sugjerojnë se vetëm Greqia ka shumë gjasa të shkojë drejt njohjes pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndërkohë që ka kujdes apo pesimizëm për Sllovakinë dhe Rumaninë, ndërsa Qiproja dhe Spanja shihen si më shumë gjasa që të mos ndryshojnë qëndrim, por ka disa lajme të mira në këtë drejtim. Pas takimit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq më 27 shkurt, gjatë deklaratave për shtyp, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se marrëveshja e propozuar nga BE-ja është miratuar nga të 27 shtetet anëtare, që do të thotë edhe pesë . Zoti Borell tha: “Ky është një propozim i miratuar nga Këshilli Evropian: të cilin e mbështetën 27 shtete anëtare”. Ky është një lajm i rëndësishëm pozitiv për Kosovën, pasi do të thotë se potencialisht të pesë vendet qe nuk e njohin mund të ndryshojnë qëndrimin e tyre, nëse marrëveshja nënshkruhet. Do të jetë në dorën e Komisionit Evropian dhe Kosovës që të ndjekin dhe të bëjnë mirë miratimin e marrëveshjes nga të gjithë. Do të ishte më mirë që Kosova të insistonte që Këshilli Evropian ta miratojë marrëveshjen pas nënshkrimit të saj, por edhe ky është një zhvillim i mirë.
Gjithashtu, nuk do të ishte racionale nga ana e Qipros dhe Spanjës, apo edhe të tjerëve, që të vazhdojnë të kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, pas nënshkrimit të marrëveshjes nga të dyja palët, që nënkupton qartë një njohje praktike ose të punës të statusit të Kosovës nga ana e Serbisë. Në këtë kontekst, nëse Spanja dhe Qipro nuk mund të lëvizin drejt njohjes formale, duhet të paktën të miratojnë një politikë të ngjashme të njohjes de-facto ose njohjes së punës, në mënyrë që të mos e bllokojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO.
Shqetësimet e tjera, në një kontekst më të gjerë, kanë të bëjnë me agjencinë e BE-së si një akter të sigurisë, dhe se si marrëveshja e propozuar ka të bëjë më shumë me menaxhimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sesa zgjidhjen e tij. Megjithatë, nga leximi im, duket se kjo është një fushë ku shtetet anëtare kanë më shumë faj, sesa vetë BE-ja dhe institucionet e saj. Agjencia e BE-së, në disa raste duket se është e kufizuar nga interesat, rendet e ditës apo thjesht qasjet e ndryshme të shteteve anëtare, dhe kjo në disa raste ka dëmtuar ndjeshëm besueshmërinë e Bashkimit në Ballkanin Perëndimor, të tilla si kur u bllokuan bisedimet e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut në vitin 2019, apo si u trajtua Kosova në procesin e liberalizimit të vizave. Do të ishte skandaloze, nëse marrëveshja nënshkruhet nga liderët më 18 mars, por BE-ja e ka të vështirë ta zbatojë për t’i afruar vendet në procesin e integrimit, ose të qëndrojë e distancuar gjatë zbatimit.
Në vitin 2010, Bashkimi Evropian (BE) u ngarkua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) “për të lehtësuar procesin e dialogut mes palëve”, dhe shpresojmë që 18 marsi të shënojë një hap vendimtar drejt përmbushjes së objektivit të dialogut të normalizimit. Qytetarët në të dy vendet kanë nevojë që liderët e tyre të bien dakord, në mënyrë që pjesa tjetër të mund të ecë përpara. Prandaj, gishtat e kryqëzuar që liderët nga Kosova dhe Serbia të arrijnë një kompromis dhe të nënshkruajnë marrëveshjen e propozuar nga BE-ja.
Autori është udhëheqës i hulumtimit në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Ky Op-ed është publikuar si pjesë e projektit “Forcimi i pjesëmarrjes qytetare të të rinjve në proceset politike” zbatuar nga New Social Initiative (NSI), financuar nga National Endowment for Democracy (NED).