Kompromisi është gjë e mirë. Ai është një nga bazat e qytetërimit tonë modern. Historikisht, rezultatet diktoheshin nga pushteti, po do ta kishit do të ishit lart dhe po të mos e kishit do të ishit poshtë. Zëvendësimi i kësaj qasjeje me një qasje që i rregullon çështjet dhe i zgjidh mosmarrëveshjet në bazë të dialogut, mirëkuptimit dhe kompromisit, qëndron në thelbin e paqes dhe prosperitetit. Ai është thelbi i marrëdhënieve ndërmjet kombeve përparimtare, paqësore dhe demokratike.
Në Ballkan, duket se njerëzit në përgjithësi janë lodhur nga kompromiset. Kjo është pjesërisht për shkak se ne kurrë nuk e përqafuam plotësisht konceptin dhe pjesërisht për shkak se njerëzit nuk e zbulojnë vlerën e tyre të duhur, ata nuk i shohin përparësitë e tyre. Ky nocion po mbizotëron edhe në Kosovë. Një deklaratë e dëgjuar shpesh është se “ne kemi bërë shumë kompromise / koncesione dhe nuk kemi marrë shpërblime përkatëse për to; prandaj nuk ka vend për më shumë.” Kjo deklaratë është pjesërisht e vërtetë: që nga Rambujeja dhe gjatë gjithë ndërtimit të institucioneve të pasluftës, e deri tek Ahtisaari dhe ‘epoka e artë’ e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, udhëheqja e Kosovës me të vërtetë e ka zgjedhur rrugën e angazhimit konstruktiv. Megjithatë, pjesa që pretendon se përfitimet nuk kanë ardhur nga kompromiset nuk qëndron. Në aspektin më thelbësor, Kosova ka parë përfitim të madh nga të gjitha kompromiset historike.
Një dimension i përfitimeve që synon të ashkëlohet janë efektet e vendimeve të mëdha e të vogla, të nxitura nga kompromisi, që e kanë bërë dhe ende po e bëjnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe konsolidimin e brendshëm demokratik.
Të fillojmë me të drejtat e komunitetit, si një nga fushat më të ndërlikuara dhe më thelbësore të koncesionit në çdo vend, veçanërisht në një periudhë pas konfliktit. Siç dihet, përmes fazave të ndryshme, Kosova e ka ndërtuar një sistem të përparuar të mbrojtjes dhe të promovimit të dispozitave dhe mekanizmave institucionalë për të drejtat e komuniteteve. Ka institucione dhe ligje të posaçme që garantojnë përfaqësim të drejtë në të gjitha nivelet; ka dispozita për mbrojtjen e vendeve fetare, pronës dhe sigurisë personale, ka hapësirë të garantuar mediatike në gjuhët e komunitetit, ka dispozita dygjuhëshe dhe shumëgjuhëshe për institucione në çdo nivel, ka përqindje të ndara për komunitetet në zbatimin e ligjit dhe në administratën publike, prania në qeverinë qendrore garantohet me Kushtetutë, e cila, me që ra fjala, nuk mund të ndryshohet pa miratimin e deputetëve jo-shumicë, të cilët, me që ra fjala, kanë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Kjo është një arritje e madhe dhe një linjë e fortë e mbrojtjes për Kosovën ndaj akuzave të tepërta në arenën ndërkombëtare. Në të vërtetë, me përkatësinë etnike kundër qeverisjes, që janë në thelb të konfliktit të Kosovës, integrimi i një sistemi të përparuar për veprim afirmativ dhe përfaqësim të drejtë të komuniteteve në qeverisje – në krahasim me majorizimin etnik nga pala fituese – është një argument shumë i fortë kundër pretendimeve për mungesë të demokracisë dhe të drejtave të njeriut që kundërshtarët ndërkombëtarë e kanë bërë dhe mund ta bëjnë sërish.
E pamë kohët e fundit se si funksionoi ajo. Kur Europa Nostra e propozoi manastirin ortodoks serb të Deçanit për listën e Shtatë monumenteve më të rrezikuara të Evropës, Qeveria dhe shoqëria civile e Kosovës kishin në dispozicion një sërë argumentesh të gatshme. Në një letër të përbashkët të Presidentes Vjosa Osmani dhe të Kryeministrit Albin Kurti dërguar Europa Nostra-s nga gjysma e muajit mars, thuhet ndër të tjera se “…shteti i Kosovës ka miratuar të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve jo-shumicë në vendin tonë … Në mënyrë të veçantë dhe me dispozita kushtetuese e ligjore që ngërthejnë në vete edhe masa afirmative, shteti i Kosovës ka ndërtuar dhe zbaton kornizën e garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave kulturore të komunitetit serb. Në këtë kuadër, institucionet tona i kanë përfshirë në legjislacionin shtetëror të gjitha dispozitat e Planit të Ahtisaarit që lidhen me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Më saktësisht, institucioni i Kishës Ortodokse Serbe si dhe manastiret e kishat ortodokse në Kosovë i gëzojnë të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore dhe institucionale që sigurojnë respektim të plotë të të drejtave të tyre.” Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, përmendi më tej Ligjin e Kosovës për zonat e veçanta të mbrojtura dhe garancitë e tij për 45 vendet ortodokse serbe në Kosovë dhe organin e tij mbikëqyrës, Këshillin Zbatues dhe Monitorues.
Prandaj, ky është një shembull i qartë i një linje të mbrojtjes kundër një vendosjeje potencialisht të politizuar të manastirit në listën e vendeve të rrezikuara. Një pjesë e madhe e argumenteve që udhëheqja e Kosovës i zgjodhi bazohej drejtpërdrejt në dispozitat e Planit të Ahtisaarit për kishën ortodokse serbe, tani të ngulitura fort brenda kornizës ligjore të Kosovës. Këto dispozita dikur ishin kompromis i dhimbshëm, por tani janë kthyer në një argument të gatshëm kundër një lëvizjeje të padëshiruar në arenën ndërkombëtare. Sqarimet e dhëna nga Europa Nostra janë një tregues se argumentet e Kosovës u vunë re. Kur kjo organizatë ta dërgojë një ekip në Kosovë për të vlerësuar nëse manastiri është i rrezikuar, mbrojtja e avancuar ligjore dhe institucionale që ekziston në Kosovë për kishat ortodokse serbe do të jetë faktor vendimtar për ta dëshmuar të kundërtën. Në këtë drejtim, një këshillë e vogël për qeverinë, nëse ajo detyrohet të reagojë përsëri në të ardhmen: linja e argumentimit në letrën drejtuar Europa Nostra-s do të kishte qenë më e fortë sikur manastirit t’i referoheshit si ‘Visoki Dečani’ – emri i tij zyrtar që është dhënë në njërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës – e jo si ‘Manastiri i Deçanit’. Me sa duket, kjo do të kishte treguar më shumë përkushtim për të drejtat e kishës dhe komunitetit, një çështje kryesore e letrës së përbashkët.
Një pikë tjetër kryesore nga dispozitat e Ahtisaarit ishte decentralizimi, domethënë krijimi i komunave të reja të Kosovës me shumicë serbe. Procesi i themelimit të tyre në vitin 2009 përfshiu një fushatë të madhe dhe zëra të shumtë kundërshtues të cilët argumentonin se kjo do ta shpërbënte strukturën qeverisëse të Kosovës, do t’i forconte ndarjet etnike dhe do ta largonte edhe më tej komunitetin serb nga korniza institucionale e Kosovës. Prandaj, kritikët e panë decentralizimin e Ahtisaarit si një koncesion tjetër të madh e të pakuptimtë.
Për fat të mirë, udhëheqja institucionale e Kosovës, me mbështetjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të pranisë diplomatike në Kosovë, zgjodhi të vazhdojë përpara dhe tani është lehtë të shihet se si rezultati është krejtësisht i kundërt me atë që kritika përfshinte. Prandaj, shumë ndryshe nga situata para vitit 2009, serbët që jetojnë në Graçanicë, Novobërdë, Partesh dhe Ranillug janë qytetarë të plotë të Kosovës. Ata të gjithë kanë letërnjoftime të Kosovës dhe janë të regjistruar në regjistrin civil, automjetet dhe bizneset e tyre janë të regjistruara në institucionet e Kosovës, administratat komunale funksionojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës, komuniteti voton rregullisht në zgjedhjet qendrore dhe lokale të Kosovës, të hyrat tatimore të Kosovës janë në një normë të ngjashme si gjetiu në Kosovë, e kështu me radhë. Përtej këtyre veçorive administrative, gjithashtu është mjaft e dukshme që marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar nga decentralizimi, deri në atë pikë sa të ketë edhe elemente të kohezionit social: restorantet në komunat me shumicë serbe frekuentohen nga shqiptarët e komunave përreth, serbët blejnë gjësende në supermarketet dhe qendrat tregtare që janë afër komunave me shumicë shqiptare, janë hapur një sërë biznesesh në pronësi shqiptare dhe/ose ndërmarrje të përbashkëta serbo-shqiptare, dhe konteksti i përgjithshëm kur dikush e viziton cilëndo prej këtyre komunave është ai i sigurisë dhe normalitetit. Prandaj, e tërë kjo buronte nga koncesionet dhe kompromiset, por kjo është shndërruar në një storje të madhe suksesi për Kosovën. Kjo demonstroi aftësinë e Kosovës për ta integruar komunitetin serb – një sfidë e madhe duke e pasur parasysh trashëgiminë e konfliktit – përmes zgjidhjeve të mençura dhe paqësore të qeverisjes. Si e tillë, ajo duhet të jetë një pikë e krenarisë për Kosovën dhe një kornizë udhëzuese për çështje të ngjashme gjetiu në rajon.
Përveç koncesioneve të kthyera në suksese në lidhje me komunitetin, ekzistojnë edhe ato në fusha të tjera të politikave që e kanë prodhuar të njëjtin model. Zgjedhjet janë një shembull i tillë. Sistemi zgjedhor i Kosovës nuk është pjesë e ndonjë kornize historike të koncesionit, por në këtë kontekst kualifikohet si studim i rastit. Pra, korniza institucionale-rregullative zgjedhore e Kosovës është produkt i një përpjekjeje të përbashkët ndërkombëtare-vendore që buron nga koha e UNMIK-ut dhe vazhdoi edhe pas shpalljes së pavarësisë. Ajo është një strukturë e përparuar demokratike që siguron jo vetëm një platformë të thjeshtë mazhoritare zgjedhore, por edhe standarde të përparuara ndërkombëtare, si pavarësia e komisionit zgjedhor, listat e hapura zgjedhore, kuota gjinore, kuota e komuniteteve, prania e mediave dhe rregullat e pluralizmit, fleksibiliteti për ta akomoduar kontekstin në zhvillim e sipër politik dhe etnik në Kosovë, dhe kontrolle dhe balancime të shumta që sigurojnë konkurrencë gjithëpërfshirëse demokratike. Nuk ishte aq lehtë për t’i integruar këto dispozita në legjislacion. Ligji i Kosovës për zgjedhjet e përgjithshme – pjesa kryesore për rregullimin e zgjedhjeve – u shpall në vitin 2008. Ajo që i parapriu ishin vitet e debatit thelbësor, me ç’rast shumë veta argumentuan se zgjidhjet e avancuara, si listat e hapura dhe kuota gjinore, janë ndërlikime të panevojshme, të vështira për t’u absorbuar politikisht, dhe se demokracia e Kosovës nuk është në nivelin e dëshiruar për këto zgjidhje. Me fjalë të tjera, shumë veta i shihnin ato si një grup tjetër të koncesioneve potencialisht të pakuptimta që Kosova duhej ta ndërmerrte.
Megjithatë, “koncesionet” u inkorporuan në sistem dhe janë shndërruar në një storje tjetër të madhe të suksesit. Kështu, Kosova është shembull i ndritshëm i administrimit të suksesshëm të zgjedhjeve në një mjedis pas konfliktit dhe më vonë kalimtar, me një sërë zgjedhjesh qendrore e lokale të organizuara me sukses dhe me standard të lartë demokratik. Kjo përfshin periudhën që nga viti 2008, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori përgjegjësinë e plotë. Pas zgjedhjeve disi të diskutueshme të vitit 2009 dhe 2010, Kosova i ka mbajtur katër (4) palë zgjedhje parlamentare dhe dy (2) palë zgjedhje të qeverisjes lokale të organizuara me sukses, duke fituar spektrin e plotë politik dhe pranimin nga shoqëria civile të rezultateve dhe të raporteve pozitive të vëzhguesve ndërkombëtarë. Prandaj, kuptohet që është një burim i krenarisë dhe një vërejtje e dëgjuar shpesh në Kosovë se zgjedhjet e saj janë shembull i mirë i konkurrencës demokratike, pluraliste për tërë rajonin.
Suksesi i zgjedhjeve i përfshin edhe të gjitha aspektet që mund të kenë qenë të vështira për t’u pranuar në periudha të ndryshme kohore. Me rregullimet që janë bërë, sistemi i listës së hapur është ende efektiv dhe funksional. Posaçërisht kuota gjinore, e shoqëruar me çështjet e tjera të integrimit gjinor që Kosova i përfshiu gjatë viteve, ka çuar në rezultate të jashtëzakonshme. Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021, 42 gra u zgjodhën në parlament, me një numër rekord prej 33 grave që morën vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur pa ndihmën e kuotës gjinore. Në këtë drejtim, edhe struktura e qeverisjes është gjithashtu mbresëlënëse, përfshirë një presidente shumë të votuar, pesë ministre dhe dy zëvendëskryeministre. Kjo është një dëshmi edhe për partinë edhe për shoqërinë kosovare që lista fituese, Vetëvendosje! dhe Lista Vjosa, i zgjodhën 24 gra në mesin e 58 deputetëve të tyre dhe se asnjërës prej tyre nuk i duhej kuota gjinore për të hyrë në parlament.
Në aspektin etnik, sistemi zgjedhor i Kosovës gjithashtu ka përparuar. Të gjitha komunitetet jo-shumicë tani janë plotësisht të angazhuara në proceset zgjedhore dhe institucionale, përfshirë komunitetin serb në veri të Ibrit. Në vitin 2013, kur marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e lehtësuar nga BE-ja, përfshiu një proces zgjedhor të Kosovës në veri, përsëri u bënë koncesione për ta ndihmuar komunitetin serb që të merret me ndryshimin thelbësor. Janë ndërmarrë masa me Misionin e OSBE-së në Kosovë për lehtësimin e masave që kanë të bëjnë me votimin, regjistrimin e partive, organet e administratës zgjedhore lokale dhe formularët e ndryshëm të regjistrimit të zgjedhjeve, të gjitha në përputhje me fleksibilitetin e përmendur të ligjit të Kosovës për zgjedhjet. Nuk ishte punë e lehtë të hartoheshin këto dispozita. Janë mbajtur diskutime me muaj të tërë dhe ka pasur kundërshtime të forta që nga fillimi. Përfundimisht vendimet u morën dhe komuniteti serb në veri u përfshi në procesin zgjedhor të vitit 2013. Më pas, dhe në numër gjithnjë e më të madh, komuniteti serb i veriut të Kosovës vazhdoi të votojë në zgjedhjet e Kosovës në vitin 2014, 2017, 2019, 2020 dhe 2021. Çdo herë, dispozitat ‘speciale’ po zvogëloheshin deri në një pikë saqë asnjëra prej tyre nuk ishte e nevojshme. Në vitin 2021, zgjedhjet parlamentare të Kosovës u mbajtën edhe në veri të Kosovës, pa lehtësimin e OSBE-së dhe pa ndonjë masë ‘speciale’, pra njësoj si në Kaçanik ose Kamenicë, për shembull. Prandaj, është e qartë që përsëri koncesionet fillestare ishin për një qëllim të mirë dhe në favor të konsolidimit demokratik dhe ndëretnik të Kosovës.
Ka shumë shembuj të tjerë më të vegjël dhe më të mëdhenj që e dëshmojnë këtë. Ata që thonë se Kosova ka bërë shumë koncesione ndër vite dhe ato nuk kanë çuar askund, duhet të mendojnë për shembujt e mësipërm dhe shumë shembuj të tjerë përgjatë këtyre linjave. Ata që krenohen me zgjedhjet e Kosovës duhet ta dinë që suksesi nuk ka rënë nga qielli. Ishte rezultat i viteve të rregullimit dhe përshtatjes së mirë, përfshirë bërjen e koncesioneve të perceptuara dhe reale, të cilat e konsoliduan sistemin dhe ofrimin e tij. Ata që thonë se mekanizmat për të drejtat e komunitetit kanë qenë të tepërt dhe të pakuptimtë, duhet ta vizitojnë Graçanicën dhe të shikojnë përreth. Ata gjithashtu duhet t’i shohin praktikisht të gjitha komunitetet jo-shumicë të Kosovës të angazhuara plotësisht me institucionet e Kosovës në të dy nivelet e pushtetit. Ata që janë të tronditur nga vendosja e “Visoki Deçanit” në listën potencialisht të rrezikuar, të cilët kanë të drejtë t’i theksojnë mekanizmat e shumtë të mbrojtjes për sigurinë dhe mirëqenien e vendeve ortodokse serbe në Kosovë, duhet ta dinë se sistemi i avancuar i mbrojtjes gjithashtu nuk ka ndodhur vetëm, por u miratua me një qëllim dhe një vizion. Dimensioni i koncesioneve të demokracisë së pasluftës së Kosovës dhe i ndërtimit të institucioneve ka dhënë rezultate, si ndërkombëtarisht, ashtu edhe brenda. Përqafimi i tyre më i gjerë shoqëror do t’u jepte udhëheqësve rehati dhe besim për të kërkuar zgjidhje të tjera të qeverisjes së mençur nëse nevojiten për ta konsoliduar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës
Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.
Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.