E vetme, e frikësuar, lutej që agonia e goditjeve dhe dhimbjeve të përfundonte, që gjithçka të ndalej dhe të binte në gjumë dhe që në fund të zhdukej çdo mendim, vështrim dhe ndjenjë e atij që në fund e vrau! Askush prej nesh ende nuk e di se çfarë ka ndodhur në banesën në Ferizaj “brenda katër mureve”, sepse kjo “është çështje private”! Këto ditë, të gjithë u nxituan të dalin me denoncime, ajo është temë, simbol i një jete të shuar për shkak të neglizhencës së shoqërisë, institucioneve, për shkak të mësimit me baza të këqija, i cili është trashëgimi i asaj që “grua ka për detyrë të vuajë dhe të lind”. E edhe kur lind duhet të mësojë të njëjtën gjë atyre pas saj, që as pahiri nuk duhet të dëgjohet zëri i saj, si rregullat e dikurshme në Afganistan (të cilat shumë shpesh mund të dëgjohen në ditët e sotme) që “gruaja nuk duhet të dëgjohet kur ecën”.
Ajo në fakt as nuk ec, ajo fluturon nga shporeti deri te rrobalarësja, me fëmijët që vetëm asaj i janë besuar për kujdes dhe edukim, ajo nuk ecën, është gati të shkojë te ai ashtu, duke fluturuar, sepse asnjëherë nuk e di kurrë kur është e nevojshme për të marrë një goditje. Nuk është dita e tij, është i dehur, i pakënaqur me përpjekjet e tij të dështuara jetësore për t’u rritur, është “i lodhur….pa gjumë”, ose thjesht dhe i sëmurë, thënë më mirë. Ajo nuk guxon të ja thotë këto sepse as toka nuk duhet të dëgjohet më nën këmbët e saj, derisa ai të mos kryej çdo gjë dhe kokulur të pres që ai të “lirohet nga stresi”, me frikë të presë një goditje tjetër derisa fëmijët janë prapa këmbëve të saj, duke i mbrojtur me trupin e saj, sepse ajo mundet, nuk e di pse, por do të durojë.
Qëndron në vend derisa ai e godet mizorisht, e shan, poshtëron. Duron sepse, siç e mësuan, ajo përmbush arsyen e vetme pse lindi dhe jeton. Nëse rastësisht duhet edhe të punojë jashtë shtëpisë, ajo mbulon me mjeshtëri mavijosjet dhe u buzëqesh stoikisht kolegëve të saj, e kalon ditën sikur të jetë personi më i lumtur në botë. Këta janë ata kolegë dhe fqinjë që në deklarime thonë: “me të vërtetë nuk e dimë se çfarë ndodhi, ata ishin një çift me shumë harmoni”. Ajo duhej ta mbronte këtë harmoni me jetën e saj sepse në një shoqëri aq patriarkale siç është këtu në Kosovë, jeni e detyruar të “ruani martesën” si grua, qoftë edhe me sakrificën tuaj, por duke sakrifikuar edhe fëmijët.
Për shumë vite jam përpjekur të kuptoj se si dikush bëhet dhunues, nëse studioni profilet e tyre ata shpesh janë shumë të ndryshëm. Nuk ka asnjë justifikim, unë thjesht po përpiqem të kuptoj se si një person i jep vetes të drejtën për të goditur, lënduar, vrarë dikë. Përgjigja e vetme e vërtetë është sëmundja, mendore, psikologjike ose ndonjë tjetër, por është sëmundje.
Në këtë shoqëri është më e lehtë të pranohet se në vitin 2020 kishim 2.069 raste të dhunës në familje, ndërsa vetëm në gjysmën e parë të vitit 2021 u regjistruan 1.132 raste të cilët kryesisht ishin drejtuar kundër grave, pavarësisht nëse ishin bashkëshorte, nëna, motra apo të njohura, sesa të thuash: në vitin 2021 kishim 1.132 persona me sëmundje mendorë të cilët janë në gjendje të lëndojnë dikë, ndërsa zakonisht këta dikush janë shumë më të dobët se ata. Ata 1.132 persona janë në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona, duke i ndjekur fëmijët tanë, duke i abuzuar dhe duke ua marrë jetën! Pse? Sepse ai është burrë, kush guxon t’ia ngjisë një etiketë të tillë?! Ndërsa dhunuesi është vetëm një frikacak i cili fsheh zhgënjimet e tij duke shkaktuar dhimbje ndaj atyre që janë më të dobët se ai.
Pastaj, pyetja më e zakonshme bëhet një pyetje hipokrite: pse, pse po na ndodh kjo? Si shoqëri, të gjithë i dimë përgjigjet, por me vetëdije i injorojmë ato! Nuk ka respekt të sinqertë për tjetrin, dashuri për të ndryshmin, për jetën, njerëzit, kafshët dhe gjithçka që na rrethon. Në dëshirën për privilegje, para dhe përvetësim të materiales u humb mësimi për norma themelore të moralit dhe etikës. Sepse edhe me tutje kemi të rrënjosur një edukim absolutisht të gabuar. E dini, ekziston edhe ajo që përdoret shpesh “ajo për të lindur, ai për të mbrojtur”, paramendojeni? Por së pari, “zotërinj”, na mbroni nga vetja e juaj.
Mediat vazhdojnë të na mësojnë “si të arrijmë te zemra e tij?” në tekstet që janë plot këshilla poshtëruese për bindjen e grave që të mbijetojë martesa, në seriale legjitimohet personazhi i një burri të pashpirt, të vrazhdë dhe autoritar që merr të drejtën për gjithçka sepse është “gjinia më e fortë”, abuzimi psikologjik vazhdon të “shitet mirë”. E kush janë “blerësit” e këtyre përmbajtjeve? Kryesisht vajzat adoleshente të cilat dikush i mëson se dashuria është barabartë me paqëndrueshmëri, prapa së cilës në seriale fshihet argëtimi dhe një fund i lumtur, ndërsa në jetën reale fatkeqësia dhe depresioni. Të gjithë ne që nuk e raportuam dhunën që pamë në rrugë jemi përgjegjës, madje edhe kur na hedhin një koment seksist nga makina, ne ulim kokën sepse do të jetë “ajo e provokoi me veshjen e saj”., Megjithatë, më përgjegjësit nga të gjithë, janë baballarët dhe nënat, veçanërisht ata që dështuan në edukimin e djemve.
E di, do të vazhdojmë të flasim për ndalimin absolut të gjitha të drejtave të grave në Afganistan, për shembujt e vrasjeve dhe rrahjeve të grave në Kosovë, do të numërojmë inicialet e viktimave në mënyrë që në fund të vitit të mund të konstatojmë sa ishin, sikur ato të ishin vetëm numra. Sikur ato gra, vajza, nuk kishin ëndrra dhe dëshira, sikur të mos linin pas vetës një valixhe plot kujtime, fëmijëri, sikur të mos ishin njerëz, por shishe të zbrazëta të cilat dikush i hodhi buzë rrugës.
Problemi më i madh është problemi institucional, sepse kur një viktimë e dhunës i drejtohet policisë, si të parët në zinxhirin e mbrojtjes nga dhunuesit, paraqitet edhe kjo fjali “po kjo nuk është asgjë, ai vetëm të do, kështu që është pak xheloz” – mu rrëfye një shoqe pasi kishte raportuar abuzim psikologjik nga partneri i saj. Kjo është arsyeja pse të gjitha dënimet e zyrtarëve të lartë që shoh në media më duken si tallje me viktimat dhe me ato gra për të cilat ende mund të ketë shpresë.
Më kujtohet tregimi i JM nga Graçanica, nënë e tre fëmijëve që më vite kishte vuajtur nga abuzimi fizik dhe më në fund me ndihmën e njerëzve të mirë gjeti forcën për të ikur nga dhunuesi bashkë me fëmijët. Ajo u ballafaqua me kërcënime edhe pasi u largua, policia është ndoshta mysafiri i saj më i shpeshtë edhe në ditët e sotme. Një jetë me frikë, mosbesim dhe dhimbje.
Nëse vendosni të qëndroni edhe atëherë kur ka rrugëdalje do të bëheni po të njëjtët persona që ju mësuan gabim. Do të bëhet e natyrshme për ju që një vajzë nuk ka vlerë sepse edhe juve ju kanë mësuar kështu gjatë gjithë jetës tuaj, madje me “metodat më bindëse” të frikës dhe goditjeve. Prandaj do të bëheni ato që ishin nënat, gjyshet, hallat tuaja, të cilat ju thoshin se “nuk bën të shkatërrohet familja” sepse është e shenjtë edhe kur në fakt është me kilometra larg asaj fjale. Juve ju takon që të mos i mësoni vajzat tuaja që dikush t’i shfrytëzojë dhe poshtërojë, sikur të ishin mallra për të cilat si shkëmbim merren dy metra mëndafsh ose një çift devesh. Varet nga ju që duke u dhënë jetën tua jepni lirinë për të menduar dhe për ta jetuar atë jetë në harmoni me veten e tyre dhe me një person i cili do t’i vlerësojë dhe respektojë me sinqeritet. Ndërsa atij do t’i takoj të ju pengoj në këtë, kështu që luftoni!
E nëse jeni ende të reja dhe të pasigurta, në një mjedis absolutisht patriarkal, shikoni gjithmonë historitë e grave që arritën t’ia dalin nga ferri i dhunës dhe të vazhdojnë jetën e tyre. Ky vazhdim asnjëherë nuk është i lehtë, por mund të bëhet i bukur, i lumtur dhe i përmbushur. Sidoqoftë, mos rreziko, arsimohu sepse dija i thyen të gjitha barrierat, me njohuri, vajza ime e dashur, ti merr një përvojë që do të të mbrojë nga dhunuesit, njerëzit e këqij dhe shoqëria e gabuar.
Një gjë është e sigurt, nëse të godet një herë, do ta bëjë përsëri, kështu që me guxim dhe me ndihmën e miqve të sinqertë, familjes dhe organizatave joqeveritare që me të vërtet merren me këto çështje, përpiquni të arratiseni sepse sistemi ende nuk mund të ju mbrojë. Unë e di që askush nuk do të ja u thotë këtë publikisht, sepse nuk është e popullarizuar, por dijeni që sistemi është burrë, sistemi është “klub burrash” nga i cili vetëm më guximtarët do të jenë në gjendje të ju ofrojnë mbrojtje, ndërsa këta janë ende të pakët në numër dhe janë shumë të vetmuar. Prandaj, ju bëj thirrje juve, sepse e di që ju jeni të guximshme, të mos duroni por të largoheni nëse vlerësoni që dikush nuk është i qëndrueshëm mendërisht. Mos i lini në amanet fëmijëve mësimin e gabuar të vuajnë dhe të heshtin, por tregojuni që një grua nuk është objekt për përmbushjen e dëshirave ose, sipas nevojës, një thes për pranimin e goditjeve. Ka shumë prej nesh që bashkë me juve do t’i dalin në vijë dhunuesit. Ne jemi gjithandej. Mos e harroni këtë!
Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës
Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.
Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.