Akti i parë
Të shpresuarit
Lindim dhe vdesim me shpresë. Shpresojmë kur festojmë dhe vajtojmë. Shpresojmë çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje para gjumit. Shpresa vdes e fundit. Jetojmë në shpresë e cila përkufizon ndjenjat tona dhe aspiratat tona. Shpresa na mban në jetë dhe na motivon. Kështu, para disa ditësh u zgjova dhe kuptova që së shpejti do të festoj ditëlindjen e 40. Solemnisht shënoj jubileun e 40 vjet shpresë. Nganjëherë pyes veten çfarë shpreson një bashkëmoshatar i imi nga për shembull Lozana apo Reikjaviku ose ndoshta Budapesti. Sa janë realisht të arsyeshme friket e tyre e sa në thelb janë të arritshme shpresat e tyre. Kuptoj që friket dhe shpresat e mia nuk kanë roming. Nuk mund të lidhen dhe zbatohen tek shokët imagjinar nga qytetet e afërta evropiane. Ndoshta friket dhe shpresat e mia më shumë mund të përafrohen me friket dhe shpresat e shokëve, të themi nga Sudani apo Siria. Shpresat e mia, kishim thënë, janë të thjeshta, ndërsa prapë më duken të paarritshme. Kuptoj që pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në shpresën e pandërprerë se nuk do të ketë luftë, ndërsa kam përjetuar tri deri më tani. Se do të ndalet urrejtja, se do të jem i lirë, fëmijët e mi të sigurt. Tash kuptoj se do të festoj përvjetorin e 40 të improvizimit të jetës. Duket se kemi fituar aftësinë e jashtëzakonshme të amortizimit dhe përshtatjes ndaj rrethanave të jashtëzakonshme, jostablitetit politik. Kemi ndërtuar vetëm aftësinë për të toleruar budallaqe të ndryshme, urrejtje dhe padrejtësi përderisa me ngulm na helmojnë me tema të ndryshme artificiale, probleme të trilluara dhe urrejtje në sasi çmendurisht të madhe. Pyes veten, çfarë ndodh me njeriun kur ndalet së shpresuari. A ndalet së ekzistuari ose bëhet urrejtës i rëndomtë dhe pse kemi kaq shumë të tillë.
Akti i dytë
Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon traun që është në syrin tënd? (Mateu 20.3).
Jeta në Kosovë është gjithçka përveç e thjeshtë. Kam jetuar në katër shtete e të mos jem zhvendosur në asnjë moment. Nga një sistem jofunksional kemi hyrë në tjetrin. I keq po aq sa ai paraprak, vetëm se i zbukuruar më shumë me paragjykime të jashtëzakonshme dhe fatkeqësi. Merremi me tema përbuzëse siç janë ndryshimet klimatike, mungesa e parkingut dhe budallaqet tjera, derisa në frikë, gati ceremoniale, luajmë si paganët rreth flakës e cila kërcënon të na gllabërojë dhe me neve të marrë linjën e parë e cila na bënë si persona unik, të lirë dhe krenar. Tashmë një kohë të gjatë jemi mësuar me matricat e sjelljes dhe shabllonët e të menduarit. Paradigmat e tilla janë bërë të vetmet forma sociologjike për të njohur. Ose jemi nacionalistë ose fashistë ose jemi tradhtarë e kuislingë. Rrallë jemi të lirë. E edhe më rrallë merremi me zgjidhjen e problemeve esenciale dhe assesi nuk mundohemi të zgjidhim problemet e grumbulluara por të zgjidhshme të marrëdhënieve tona shoqërore brenda njërit apo shumë etnoseve tanë. Aftësia e vetëkritikës, respektivisht të ballafaquarit me mangësitë personale. Si duket gjithnjë është më lehtë të drejtojmë gishtin. Nxjerrim argumente historike, flirtojmë me fakte pasi gjithnjë fajësojmë dikë tjetër. Popujt në këto hapësira me sukses i kanë shkaktuar njëri tjetrit një sasi tepër të madhe të së keqes dhe padrejtësive. Nënat në lot, gratë e dhunuara, fëmijët pa drejtë, varrezat dhe shenjtoret e rrënuara, ja këto, mu këto janë produkt i kundërshtimeve tona. Në thelb nuk ka ndërruar asgjë. Përkundër shitjes mend dhe mostolerancës të cilën e gjenerojnë politbyrotë tona, realiteti është që në thelb nuk kemi avancuar krahasuar me të gjitha problemet që na ishin shtruar në formë të të pashmangshmëve ideologjike në të cilat ishim detyruar të renditim të jetuarit tonë modest në këto hapësira.
Akti i tretë
Komploti
Përfaqësuesit tanë politik të gjeneratës së re i riciklojnë temat e vjetra, por të suksesshme, me të cilat pandërprerë nxisin mosdurimin, pabarazinë dhe jotolerancën. Fjalët si: gjenocid, krim, territor, pushtet, janë bërë floskula të rëndomta me të cilat urrejtja nxitet edhe më shumë dhe gjenerohet ndjenja e përgjithshme e të rrezikuarit, ndërsa krijohet klima e linçit. Kjo atmosferë ekziston vetëm për të arsyetuar paaftësinë ose mungesën e dëshirës që të zgjidhen problemet, respektivisht të zgjidhen në vazhdimësi sistematikisht. Është fakt se marrëdhëniet shoqërore në Kosovë janë sjellë në nivelin e urrejtjes dhe mosbesimit. Po ashtu është fakt se institucionet e linjës nuk zbatojnë ligjet e veta, që mund ta shohim në rastin e Deçanit. Është krejtësisht paradoksale që Kisha ortodokse serbe të insistoj që Kosova të respektoj ligjet e Kosovës. Tani as nuk di më si të përshkruaj performancën krejt të çmendur rreth kishës së Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë. Në vend se t’ia urojmë festat njëri-tjetrit, të shkëmbejmë bakllavë dhe vezë të Pashkëve, ne, në shekullin 21, në mes të Evropës, qëndrojmë mbi gurët e shkatërruar të varreve duke u ushqyer me urrejtje si përgjigje e dhembshme ndaj mossuksesit të përgjithshëm sistematik. Nga urrejtja e gjeneruar artificiale dhe jotoleranca, më e keqe është vetëm mungesa e reagimit të shoqërisë qytetare dhe të intelektualëve në zë. Duket se të gjithë heshtim derisa nuk ia plas vaji edhe para derës sonë. Deklaratat paradash të përfaqësuesve politik në të cilat, gati si në ëndrra, përshkruajnë të ardhmen e Kosovës ngjashëm me një Zvicër, shërbejnë vetëm sa për të fshehur faktin empirik që jo vetëm jemi larg nga ajo Evropë por edhe po largohemi me sukses. Mbase, nxitja kryesore për të luftuar sistemin është ideali që qytetarët të menaxhojnë me institucionet e veta, të miratojnë dhe zbatojnë ligjet të cilat mbrojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe ndërtojnë shoqërinë të bazuar në besim, tolerim të dallimeve. A e dimë edhe më tutje çfarë duam. A ka mbet shpresë apo ka mbijetuar vetëm urrejtja.
Akti i katërt
Power to the People
Ndoshta bashkëjetesa në tolerancë është e mundur, i them vetes më shumë sa për të inkurajuar veten. Si poet konkludoj se duhen dy për tango. Duhet të mësojmë veten të respektojmë ligjet tona jo vetëm për të vendosur në mesin e popujve evropian veten me deklarata, por për të rregulluar në esencë shoqërinë në të cilën jetojmë. Sistemi i sundimit në Kosovë nuk është i mirë. Ligjet tona nuk janë të mira. Sintagma që kemi ligje të mira të cilat nuk zbatohen është vetëm arsyetim servilësh për ligje të këqija të cilët nuk përmbajnë masa të duhura ndëshkuese të cilat do të stimulonin zbatimin. Korniza kushtetuese e Kosovës parasheh, respektivisht ofron hapësirë për decentralizim të gjerë të komunave të Kosovës sipas modeleve perëndimore. Decentralizimi i pazbatuar deri në fund vazhdon të ngulfat funksionalitetin e institucioneve lokale dhe sistematikisht largon qytetarët nga ato. Natyrisht se ky problem ka të bëjë me të gjitha komunat dhe të gjitha kombësitë. Është fakt se më herët ose më vonë do të na duhet të merremi seriozisht me tema serioze të rregullimit të shoqërisë tonë dhe jo vetëm nga pozita e kombësisë, por edhe nga pozita e qytetarëve të cilët menaxhojnë sistemin në të cilin jetojë. Institucionet duhet të mbrojnë të drejtat e qytetarëve të vet, e jo të luftojnë me ata. Vetëqeverisjet lokale duhet të disponojnë me pronën e tyre, të vendosin për investimet. Zyrtarët civil duhet të bëhen edhe zyrtar edhe civil, gjithsesi të zëvendësueshëm. Shkurt, përkundër negociatave, zbatimi i ligjit dhe rregullimi i shoqërisë nuk mund të jenë subjekt i pazarit e as arsyetim për mospunë. Thjesht, nuk shkon kështu. Mediat në Kosovë duhet të bëhen të përgjegjshme ndaj shoqërisë, e jo kanale partiake të cilat shtrojnë banalitet për shpirtrat tashmë të varfëruar. Në fund, historia jonë nuk fillon me Millosheviqin e as nuk përfundon me të, por, e ardhmja jonë fillon tani.
Akti i pestë
Utopia
Mbase jemi mjaft të vetëdijshëm se më e rëndësishmja është si do të jetojnë fëmijët tanë. Çfarë rregullimi shoqëror u lëmë gjeneratave të reja. Dua të besoj se dialogu qenësor është i mundshëm dhe është parakusht për të luajtur në ekipin e njëjtë. Për të luajtur në ekipin e njëjtë duhet ndërtuar besimin, e për të ndërtuar besimin urrejtja duhet të ndalet. Unë ende shpresoj. Shpresoj se kam dy fëmijë të cilët i kam edukuar në kundërshti nga franshiza e imponuar e histerisë momentale e cila na imponohet pa mëshirë në narrativë socio-politik. Populli i im ka kryer krime ndaj popullit tënd. Populli yt ka kryer krime ndaj popullit tim. Institucionet tona nuk i mbrojnë të drejtat e mia. Ti hesht. Kur institucionet tona fillojnë të shkelin të drejtat tua dhe të miat, nuk do të ngelet askush për të ngritur zërin kundër kësaj sepse nuk do të kemi më për çfarë të shpresojmë. E kur vdes edhe shpresa e fundit do të mbeten vetëm varrezat e ardhmërive tona të imagjinuara, mbi të cilat nuk do të mbetet më askush për të ngulitur flamurin e fitores.
Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës
Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.
Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.