Dialogu i ri, problemet e vjetra

Dialogu i ri, problemet e vjetra
26/07/2021

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ende rrëmujë. Vëmendja e privilegjuar ndërkombëtare dhe perspektivat e mira për anëtarësim në BE kanë bërë pak punë për ta inkurajuar udhëheqjen e Kosovës dhe të Serbisë për t’i zgjidhur grindjet e tyre. Javën e kaluar, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shkuan në Bruksel për ta vazhduar dialogun një dekadë të gjatë, të lehtësuar nga BE-ja. Kësaj radhe, qëllimi është të arrihet një numër i marrëveshjeve të veçanta që do të bëhen substanca e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme, e cila do t’i mundësojë Serbisë që ta mbyllë Kapitullin 35 dhe t’i ofrojë Kosovës një rrugë më të qartë drejt integrimit në BE dhe potencialisht ta sigurojë njohjen nga pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.

Përkundër nismave të shumta të BE-së dhe të SHBA-së gjatë 20 vjetëve të fundit, udhëheqësit serbë dhe kosovarë arritën ta shmangin një marrëveshje përfundimtare për paqe. Edhe pse u pajtuan t’i zgjidhnin një sërë problemesh konkrete, ata ngurruan ta përfundonin konfliktin dhe shpesh e përdornin atë për të fituar vota dhe popullaritet në shtëpi. Udhëheqësit politikë në Kosovë dhe Serbi vazhdojnë t’i hedhin pretendimet e tyre për pushtet dhe reputacion në patriotizëm, nacionalizëm dhe rivalitet etnik, duke kontribuar në copëtimin shoqëror dhe politik dhe duke i dëmtuar përpjekjet ndërkombëtare për përparim. Tensionet e brendshme politike synojnë të shfaqen sa herë që arrihet një kompromis në dialogun e Brukselit, kryesisht i bazuar në argumentin e shtrembëruar se janë duke u shitur interesat kombëtare. Të dytë, Albin Kurti i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiqi i Serbisë, i akuzuan paraardhësit e tyre për tradhti të interesave kombëtare sa herë që në Bruksel arrihej një marrëveshje, qoftë edhe e parëndësishme. Paraardhësit e Kurtit dhe të Vuçiqit përdorën argumente të ngjashme kundër paraardhësve të tyre, e kështu me radhë.

Udhëheqësit politikë në Kosovë dhe në Serbi vazhdojnë ta përforcojnë trashëgiminë etnike, t’i theksojnë të kaluarat dhe legjendat ‘e lavdishme’ dhe t’i shtypin ndryshimet në marrëdhëniet serbo-shqiptare brenda shoqërive të tyre, duke e krijuar kështu një mjedis të pafavorshëm për një marrëveshje për paqe. Por udhëheqësit politikë nuk janë vetëm në pengimin e negociatave. Në procesin e paqes përfshihen më shumë sesa dëshirat e politikanëve. Edhe nëse udhëheqësit do ta parapëlqenin një përparim, duart e tyre mbeten të lidhura nga besimet mjaft konservatore të votuesve të tyre, mbështetësve të partisë dhe aktorëve të tjerë – siç janë bizneset kontroverse – që mund të kenë interes në zgjatjen e konfliktit.

Për çudi, elitat e arsimuara, nga të cilat shumë prisnin se do t’i largonin shoqëritë e tyre nga konflikti, shpesh janë në ballë të tij. Dhe ata në pakicë që i parapëlqejnë kompromiset shpesh trajtohen me përbuzje për ‘tradhti’ të çështjes kombëtare. Marrëdhëniet Kosovë – Serbi karakterizohen nga keqkuptimet dhe keqperceptimet fundamentale, kështu që një kompromis politik nuk është i mundur në çdo kohë.

Megjithatë, lajmi i mirë është se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë mbeten të përkushtuar për t’i adresuar grindjet e tyre vetëm përmes dialogut, duke i përjashtuar mjetet e dhunshme. Ndryshe nga dialogu i vjetër i Brukselit, ku shumica e marrëveshjeve u arritën dhe u zbatuan në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, dialogu i ri udhëhiqet nga parimi “asgjë nuk është rënë dakord derisa gjithçka të bihet dakord”, gjoja i sugjeruar nga lehtësuesi i BE-së. Zyrtarët e Prishtinës dhe të Beogradit me kënaqësi e pranuan këtë parim, për arsye të volitshme. Ky parim mund t’u shërbejë zyrtarëve serbë dhe kosovarë për t’i zgjatur negociatat për një kohë të pacaktuar. Ata me siguri mund të jenë bashkëpunues për disa çështje duke e ditur se mund ta dëmtojnë procesin më vonë duke mos u pajtuar për një çështje tjetër, qoftë edhe të parëndësishme. Parimi nuk ka reputacion të mirë në negocimin e konflikteve ‘jo urgjente’, siç është ky. Përveç kësaj, lidhja e çështjeve humanitare, siç janë personat e zhdukur, me agjendat politike nuk është mjaft etike.

Beogradi dhe Prishtina u pajtuan t’i trajtonin tetë fusha në dialogun e ri në vitin 2020: 1) personat e zhdukur dhe të zhvendosur, 2) bashkëpunimin ekonomik, 3) pretendimet e ndërsjella financiare dhe pronësore, 4) të drejtat e komunitetit serb të Kosovës, 5) statusin e kishës ortodokse serbe, 6) marrëdhëniet e mira fqinjësore, 7) normalizimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe postare, dhe 8) kthimin e materialeve arkeologjike dhe etnologjike. Nuk është e qartë nëse qeveria e re e Kosovës synon ta negociojë sërish këtë listë, ta refuzojë atë, apo nëse ajo tashmë është pajtuar me të ashtu siç është.

Kosova dhe Serbia kanë arritur mbi 20 marrëveshje prej vitit 2011 deri në vitin 2020, mbi 80 për qind e të cilave janë zbatuar. Pavarësisht nga mangësitë e tij, dialogu i Brukselit tregoi se dikush mund të bënte shumë për konfliktin edhe pa e zgjidhur atë. Mbi 20 marrëveshje në vetvete ishin arritje e vlefshme. Dështimi për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mbi statusin nuk duhet ta zbehë rëndësinë e zgjidhjes së dhjetëra problemeve praktike, përfshirë dokumentet e udhëtimit, telekomunikimin, energjinë, tregtinë dhe integrimin e komunitetit serb. Që nga ajo kohë, mbi 127 mijë serbë të Kosovës kanë marrë letërnjoftime të Kosovës dhe 21 mijë të tjerë kanë marrë pasaporta të Kosovës.

Dialogu i vjetër i Brukselit bazohej në parimet e ‘koncesioneve reciproke’ dhe ‘zgjidhjeve me gjysmë masë’ dhe i përjashtonte diskutimet për njohjen e Kosovës nga Serbia. Këto parime luajtën rol të rëndësishëm në ndryshimin e kalkulimeve dhe sjelljes së negociatorëve kosovarë dhe serbë. Të dy palët i braktisën pozicionet e tyre radikale – asnjë diskutim me ‘institucione të paligjshme’ kundrejt ‘jo dialog pa njohje’, dhe u angazhuan në arritjen e zgjidhjeve që ishin të mundshme në atë kohë, duke prodhuar rezultate të dobishme, si ‘gjysmë njohja’ e letërnjoftimeve dhe targave të veturave. Përditësimi i këtyre marrëveshjeve në të ardhmen do të jetë shumë më i lehtë sesa trajtimi i tyre nga zeroja. Një element i rëndësishëm ishte se palët nuk ishin të motivuara për t’u përfshirë në dialog thjesht nga presioni ndërkombëtar, por kryesisht nga dëshira që Serbia të përparonte drejt BE-së dhe që Kosova ta integronte komunitetin e saj serb dhe të vendoste kontroll institucional mbi territorin e saj.

Edhe pse riinterpretimi i marrëveshjeve vazhdon vite më vonë, rezultatet duken të pakthyeshme. Megjithatë, marrëveshjet e pazbatuara – siç janë Asociacioni / Bashkësia dhe kadastri – ka të ngjarë të mbeten të tilla, posaçërisht e para. Aktorë të ndryshëm qeveritarë dhe joqeveritarë janë të përfshirë në interpretimin dhe riinterpretimin e dispozitave të Asociacionit / Bashkësisë, duke e ekzagjeruar ose nënvlerësuar atë për të cilën ishin pajtuar, shpesh duke krijuar më shumë hutim sesa qartësi. Mosmarrëveshja kryesore mbi Asociacionin / Bashkësinë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e saj, sepse ajo ka pak. Bëhet fjalë për frikë të fabrikuar, simbolizëm dhe manipulim politik. Debati publik jo vetëm që ka qenë joefektiv, por ka qenë edhe joproduktiv, duke e përkeqësuar atë të cilën kërkonte ta përmirësonte. Më shumë se gjithçka, debati më i dëmshëm sesa i dobishëm e zbuloi dobësinë dhe politizimin e shoqërisë civile.

‘Territori’ dhe ‘çështjet e brendshme’ janë linjat e kuqe të deklaruara të Prishtinës në dialog. E para është gjithashtu vija e kuqe e bashkësisë ndërkombëtare, por jo e dyta. Në një letër drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, shkroi se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “përqendrohet në njohjen reciproke”, por që ky qëllim do të kërkojë “fleksibilitet dhe kompromise të vështira”. Zyrtarët amerikanë lënë të kuptohet se ‘kompromisi i vështirë’ ka të bëjë me Asociacionin / Bashkësinë. Por ‘disa territore’ duket se janë çmimi i vetëm për të cilin Beogradi do ta njihte Kosovën. Dhe shumë ithtarë të ndarjes besojnë se pas asaj që ata i shohin si dialogë të njëpasnjëshëm të dështuar, një komunitet i dëshpëruar ndërkombëtar mund t’i kthehet opsionit të kufirit.

Integrimi i serbëve në Kosovë ndoshta do të jetë një pikë kryesore e dialogut të Brukselit. Kur Kosova e shpalli pavarësinë, serbët u bënë në mënyrë të pashmangshme pakicë në shtetin e ri. Siç pritej, ata nuk po përshtaten aq lehtë me këtë status të reduktuar. Pothuaj i parëndësishëm në qendër të shtetit të ri, Asociacioni / Bashkësia do t’u siguronte serbëve një mundësi për t’i vënë në veprim politikat preferenciale, së paku në periferi – në komunat në të cilat ata janë shumicë. Komuniteti serb nuk është garues në politikën dhe pushtetin qendror. Ai është më tepër një forcë periferike, por një forcë që ndonjëherë e bën ndikimin e saj të ndihet në qendër vetëm për shkak të mbështetjes që e merr nga Beogradi.

Por Prishtina nuk duhet të ketë frikë nga ndihma e Beogradit për serbët e Kosovës, sepse ajo nuk është ndihmë me armë për kryengritje ose lëvizje secesioniste, por ndihmë për arsim, kujdes shëndetësor dhe programe sociale për një komunitet të vogël. Ndihma e tillë nuk është kërcënim për Kosovën.

Fakti që konflikti serbo-shqiptar gradualisht po bëhet për të drejtat është lajm i mirë. Serbët janë duke e treguar gatishmërinë e tyre për ta negociuar akomodimin e tyre në një shtet të cilin nuk e njohin. Prishtina duhet të përgjigjet. Në fund të fundit, çfarëdo të drejte që Prishtina ua jep serbëve, ajo po ua jep qytetarëve të vet. Një komunitet më i lumtur serb është i mirë për serbët dhe për Kosovën. Prishtina nuk duhet të frikësohet nga një komunitet serb më i fortë dhe i lumtur.

Mosmarrëveshja Kosovë-Serbi duket mjaft e vështirë, por jo e pa shpresë.

Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës

Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.

Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.

Share:

Shpetim Gashi

Shpëtim Gashi është nënkryetar i Këshillit për Qeverisje Inkluzive, organizatë joqeveritare ndërkombëtare me seli në ShBA. Ai fokusohet në çështjet e qeverisjes dhe të zhvillimit politik në vendet në transicion. Mban MA në çështjet Ndërkombëtare nga Universiteti i Kolumbisë dhe BA në Shkencat Politike nga Universiteti i Massachusetts Boston.

Share: