Asociacioni i komunave me shumicë serbe: Ndërmjet ndërtimit dhe djegies së urave
Asociacioni / Bashkësia famëkeqe e komunave me shumicë serbe erdhi me Marrëveshjen e Parë të Parimeve që e Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në prill 2013. I ashtuquajturi dialog teknik kishte filluar dy vjet më parë, në mars 2011, por as Kosova as Serbia nuk ishin të gatshme t’i zgjidhnin çështjet e ndjeshme. Në gusht 2015, të dy vendet u pajtuan për Parimet e përgjithshme / Elementet kryesore të AKS-së, duke e çuar përpara antagonizmin dhe paqartësinë.
Kjo temë është aq e konsumuar dhe aq e politizuar sa që është tepër vështirë të diskutohet për të pa e ‘ngritur tonin’. Por të dalim përtej diskursit politik dhe t’i marrim parasysh perspektivat e krijimit të AKS-së: A ka më tepër të ngjarë që AKS ja / BKS-ja të ndërtojë apo të djegë ura ndërmjet komuniteteve në Kosovë?!
Sapo filloi procesi i dialogut, i udhëhequr nga BE-ja, Kosova dhe Serbia u angazhuan për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ato u pajtuan për disa çështje teknike, duke shpresuar që secila marrëveshje do t’i sillte ato një hap më afër Bashkimit Evropian. Të bashkuar për të njëjtin qëllim, vendet bënë shumë koncesione, shumica e të cilave erdhën përmes Marrëveshjes së Parë të Parimeve në vitin 2013 dhe më pas përmes Parimeve të përgjithshme / Elementeve kryesore të AKS-së në vitin 2015. Kjo e fundit e njohu AKS-në si person juridik me karakter të veçantë me të drejtën për të ushtruar mbikëqyrje të plotë në ofrimin e funksioneve dhe shërbimeve publike në fushën e shëndetësisë, arsimit, planifikimit rural dhe urban dhe zhvillimit ekonomik. Ky asociacion do t’i përfshinte katër komuna veriore dhe gjashtë komuna jugore me shumicë serbe në Kosovë dhe do të shpërbëhej vetëm me vendimin e Kuvendit të saj.
Serbia e paraqiti AKS-në si zgjidhje për të gjitha problemet e komunitetit serb në Kosovë. Bazuar në këtë rrëfim, AKS-ja do t’i mbronte dhe promovonte të drejtat e komunitetit serb, veçanërisht qasjen e tyre në shëndetësi, arsim dhe përfitime sociale, por gjithashtu do të mundësonte një ushtrim më efektiv të kompetencave të tyre komunale. E paraqitur si qasje e përkryer për t’i integruar serbët e veriut në sistemin e Kosovës dhe për t’i dhënë fund funksionimit të strukturave paralele të drejtuara nga Beogradi, ajo e hapi rrugën për mendime të ndryshme ndërmjet komuniteteve në Kosovë.
Terminologjia e dyfishtë e përdorur në Marrëveshje (bashkësia për Serbinë dhe asociacioni për Kosovën) ishte motori kryesor për ta nxitur këtë polarizim. Me formimin e AKS-së, disa do të thoshin, ne e hapim rrugën për pajtim ndërsa Serbia e braktis idenë e ndarjes. Të tjerët e panë atë vetëm si një ‘mbulesë’ që nuk i kontribuon përmirësimit të situatës, por që e dobëson vendin përbrenda.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, disa nga nenet e Parimeve të përgjithshme / Elementeve kryesore të AKS-së nuk i përmbushin plotësisht standardet kushtetuese, posaçërisht kur bëhet fjalë për kornizën e saj ligjore, objektivat (veçanërisht paqartësinë e shprehjes: ushtron mbikëqyrje të plotë), strukturën organizative (shqetësimet për mosreflektim të diversitetit), marrëdhëniet me autoritetet qendrore, buxhetin, mbështetjen dhe dispozitat përfundimtare. Ky vendim krijoi një polarizim shtesë për këtë çështje. Serbia, për shembull, duke parë që AKS-ja po perceptohet si antikushtetuese, ishte edhe më bindëse dhe e solli AKS-në në qendër të tërë procesit. Për dallim, Kosova ishte e gatshme të diskutonte gjithçka përveç asociacionit.
Marrëveshja thekson qartazi se AKS-ja bazohet në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Kjo Kartë, në të vërtetë, e njeh të drejtën e autoriteteve lokale që ‘të bashkohen për realizimin e detyrave me interes të përbashkët, por vetëm nën kushtet e parapara me ligj’. Ajo nuk bën thirrje për asociacionin e komunave me bazë etnike. AKS-ja, vërtet, do t’i rrezikonte vlerat thelbësore dhe parimet e demokracisë sonë.
Akti themelor i Kosovës, ose Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përmes nenit 3, e përcakton Kosovën si shoqëri shumetnike. Parimi i shumë-etnicitetit përcaktohet nga Plani i Ahtisaarit, sipas së cilit, vendi do të bëhej shembull i tolerancës dhe pajtimit ndërmjet të gjitha komuniteteve.
Ligji i Kosovës për vetëqeverisjen lokale bën thirrje për promovimin e bashkëjetesës dhe paqes ndërmjet qytetarëve të tyre dhe për krijimin e kushteve të përshtatshme që u mundësojnë të gjitha komuniteteve t’i shprehin, ruajnë dhe zhvillojnë identitetet e tyre kombëtare, etnike, kulturore, fetare dhe gjuhësore.
Sipas së njëjtit ligj, komunat tashmë kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive për sa u përket interesave lokale, përfshirë fushat e zhvillimit lokal ekonomik, planifikimin urban dhe rural, arsimin dhe shëndetësinë. Kur bëhet fjalë për komunat me shumicë serbe, ligji tashmë jep kompetenca të zgjeruara në kujdesin dytësor shëndetësor për komunat e Mitrovicës Veriore, Graçanicës dhe Shtërpcës; kompetenca të zgjeruara për arsimin e lartë për komunën e Mitrovicës Veriore; dhe kompetenca të zgjeruara në fushën e kulturës për të gjitha komunat me shumicë serbe. Komunat mund të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën (për të siguruar ndihmë teknike dhe financiare) kur bëhet fjalë për fushat e kompetencave të tyre, si dhe për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta. Format e bashkëpunimit përfshijnë partneritete dhe asociacione me komuna të tjera në Kosovë, por edhe partneritete ndërkufitare me komuna ose institucione të huaja (përfshirë ato të Serbisë). Kur bëhet fjalë për komunikim të rregullt me Qeverinë e Kosovës, komunitetet, si autoritet qendror, mund ta ushtrojnë këtë të drejtë përmes Këshillit konsultativ për komunitete.
Pavarësisht nga keqkuptimet dhe / ose mungesa e njohurive, korniza ekzistuese ligjore ia mundëson komunitetit serb që t’i bashkojë forcat e tyre për ta përmirësuar cilësinë e shërbimeve. Është besim i orkestruar se komuniteti serb do të përfitojë vetëm me krijimin e një asociacioni ose bashkësie të komunave me shumicë serbe, në përputhje me Parimet e përgjithshme / Elementet kryesore. Në të vërtetë, as popullata serbe, e as popullata shqiptare nuk e dinë çka është AKS-ja në të vërtetë ose çka ofron korniza aktuale ligjore. Shumica janë thjesht viktima të konotacioneve politike që i kanë ngjyrosur gjykimet e tyre. Prandaj, duhet ta pyesim veten nëse AKS-ja ka më tepër të ngjarë t’i shërbejë mirëqenies së komunitetit serb në Kosovë apo interesit të elitave politike në Serbi?!
Veriu i Kosovës është shkëputur nga pjesa tjetër e vendit që nga përfundimi i konfliktit. Me zbatimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve në vitin 2013, strukturat paralele gjyqësore, policore dhe të mbrojtjes civile u integruan në institucionet e Kosovës. Megjithatë, kur bëhet fjalë për shëndetësinë, kujdesin social dhe arsimin, këto shërbime financohen përmes Serbisë dhe ofrohen nga institucionet paralele. Arsyetimi prapa kësaj vazhdon të jetë fakti që Kosova nuk është në gjendje të sigurojë arsim cilësor, shëndetësor dhe kujdes social. Shkurt, komuniteti serb në Kosovë ka mungesë të besimit në institucionet e Kosovës.
Duke e pranuar këtë fakt, ekziston një shqetësim i arsyeshëm se me jetësimin e AKS-në do të tërhiqeshin linja etnike të cilat do t’i shpërbënin më tej komunat e jugut. Kjo na bën të besojmë se AKS-ja mund të bëhet kërcënim i vërtetë për situatën tashmë të brishtë etnike në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht po ushtrojnë presion mbi Kosovën për ta zbatuar AKS-në si çështje jo-alternative. Ato duket të jenë si mbi gjemba, sidomos pas deklaratave të Kurtit për të mos e përfillur zbatimin e AKS-së. Megjithatë, popullata shqiptare nuk dëshiron ta rihapë këtë temë. Ata qëndrojnë prapa vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të bindur se AKS-ja do të bëhej një nivel tjetër i qeverisjes ndërmjet nivelit lokal dhe qendror, që në fakt është në mospërputhje me parimin e subsidiaritetit: ofrimi i shërbimeve më afër qytetarëve.
Në rrethanat e dhëna, është thelbësore të arrihet në një mirëkuptim. Palët duhet ta gjejnë një zgjidhje të zbatueshme, duke u bazuar në opsionet në dispozicion, në vend se ta ndjekin një koncept që e rrezikon sistemin, si dhe marrëdhëniet edhe ashtu të brishta ndërmjet komuniteteve. Për këtë qëllim, komunat me shumicë serbe duhet ta mbështesin një model të bashkëpunimit që u mundëson t’i forcojnë lidhjet me Beogradin dhe Prishtinën. Kjo është rruga më efektive drejt integrimit, zhvillimit dhe stabilitetit afatgjatë. Ngjashëm, edhe Kosova duhet t’i rrisë përpjekjet për promovimin e të drejtave të komuniteteve në praktikë.
Kosova duhet të përqendrohet në ndërtimin e urave të bashkëpunimit, posaçërisht kur bëhet fjalë për pjesën veriore. Një asociacion i tillë mund të ndërtojë mure ose ta shkatërrojë çdo përpjekje drejt bashkëpunimit, pajtimit dhe bashkëjetesës. Ai mund ta dezintegrojë popullatën serbe. Dhe kjo nuk është as në interes të komuniteteve serbe dhe as në interes të komunitetit shqiptar në Kosovë. Komuniteti serb në Kosovë është i vendosur se AKS-ja do të ishte zgjidhja për të gjitha problemet e tyre dhe do të shërbente si mjet për integrim. Ajo që ata nuk marrin parasysh është se AKS-ja, në të vërtetë, mund t’i ngrejë tensionet ndëretnike.
Përveç kësaj, nëse komunitetit serb i jepet ky nivel i autonomisë, ç’të bëhet me komunitetet e tjera në Kosovë? Kosova nuk është vend dy etnik. AKS-ja do të mund të bëhej kërcënim i vërtetë për parimin e diversitetit, sepse ndërsa këto dhjetë komuna përfshijnë një popullatë me shumicë serbe, ato kanë edhe pakica të tjera, shqiptare, rome, gorane ose boshnjake.
Kur shkëputemi nga rrëfimet politike, duhet objektivisht ta marrim parasysh arsyen e krijimit të një asociacioni / bashkësie një etnike. Kosova është vendi i vogël që supozohet të bëhet model i bashkëjetesës shumetnike; madje edhe flamuri ynë reflekton mbi këtë element.
Nëse duam zgjidhje të qëndrueshme, duhet të mendojmë në mënyrë proaktive. Konceptet e kombeve etnikisht homogjene i përkasin shekullit të kaluar. Prandaj, në vend se të ndjekim koncepte të vjetruara, le t’i përqafojmë vlerat e reja dhe të punojmë drejt kësaj të ardhmeje të larmishme etnike para nesh.
Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës
Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.
Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.