Një grumbull marrëveshjesh, një grumbull problemesh

Një grumbull marrëveshjesh, një grumbull problemesh

Në bazë të përvojës: është më e lehtë të arrihet një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sesa të zbatohet. Për të gjithë  njohësit e mirë të rrethanave politike në Kosovë, është e qartë se Kurti dhe Vuçiq do të bëjnë gjithçka që është e mundur (dhe munden shumë) për të blerë kohë dhe për të mos zbatuar “Marrëveshjen franko-gjermane ” ose të paktën ato pjesë që nuk u përshtaten atyre.

Supozoj se ndërmjetësuesit evropianë në dialog ishin të ngazëllyer me marrëveshjen për targat. Ndonëse bëhet fjalë për një problem banal, për shkak të tij gati sa nisi lufta, prandaj “ngazëllimi evropian” nuk duhet të na habisë, por edhe ne, konsumuesit e këtij vendimi, duhet të jemi të kënaqur.

Megjithatë, nëse i hedhim një vështrim sipërfaqësor  marrëveshjes, do të shohim se targat janë vetëm një nga temat e shumta, që duhet zgjidhur dhe sigurisht nuk janë ndër më të rëndësishmet. Nëse nisemi nga supozimi i saktë se Vuçiq dhe Kurti do të përpiqen të shmangin zbatimin e marrëveshjes, parashtrohet pyetja se çfarë hapash do të ndërmarrin për të pasur sukses në këtë drejtim.

Së pari Kurti. Detyra e tij më e vështirë, gjithsesi është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duke mos hyrë në meritumin e çështjes, Marrëveshja e Brukselit, e para dhe e dyta, përkrahja formale me ty të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës, presioni i madh i  Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës  – formimi i Asociacionit të Komunave  me Shumicë Serbe duket si një proces i pashmangshëm dhe i pandalshëm.

Mirëpo, rejtingun  e lartë Kurti ia detyron konfliktit me Serbinë dhe Serbët, mos pajtueshmërisë së tij kur bëhet fjalë për të drejtat e Serbëve në Kosovë, politikës së reciprocitetit (që jep rezultate) dhe në fund mospajtimit për formimin e Asociacionit. Një kujtesë e shkurtër e fushatave të Vetëvendosjes: “Zajednica nuk kalon” (zajednica neće proći), bosnjëzimi i Kosovës – Asociacioni si Republika Srpska, që do ta bënte Kosovën “një shtet jofunksional si Bosnja dhe Hercegovina”.

Ajo që kam dëgjuar nga, siç preferojnë të thonë gazetarët, nga burime të mirë informuara, është se Kurti dhe/ose Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për mendim rreth propozimit për Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo është një mënyrë që Kurti të blejë pesë, gjashtë muaj mosveprim, pavarësisht se çfarë do të shkruajë Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e saj.

Mosveprimi  ka të bëjë me  Asociacionin  Komunave Serbe, por jo edhe për masat e tjera, si rregull, anti-serbe të Qeverisë së Kosovës. Një masë e tillë do të ndodhë tashmë në shkurt – heqja e dinarit si mjet pagese në Kosovë.

Prandaj, tashmë jemi në përfundim të këtij viti kur ngadalë do të hyjmë ë fazën parazgjedhore në Kosovë, e në këtë fazë as optimistë më të mëdhenj nuk mund të presin një punë të madhe, siç është formimi i Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe.  Kujtojmë se këtë vit zgjedhje do të ketë edhe në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur faktorët kryesorë ndërkombëtarë do të jenë të zënë me prioritetet e tyre, e jo me Kosovën dhe Serbinë.

Pa formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, “Marrëveshja franko-gjermane” nuk ekziston dhe do të ishte një tjetër humbje e rëndë për administratën e Brukselit në Ballkanin Perëndimor. Dikush mund të thotë se Brukseli për  shkak të kësaj disfate nuk do të shqetësohej shumë, sepse ata nuk jetojnë në Ballkan, dhe se ai do të ketë të drejtë, por në marrëdhëniet e ndërlikuara të sotme globale, nuk do të thosha se ajo disfatë do të ishte plotësisht e parëndësishme.

Kurti, natyrisht e ka mundësinë për edhe një veprim, për ta shtyrë zbatimin e marrëveshjes. Ai mund të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe në këtë mënyrë ta kalojë vjeshtën e këtij viti. Kurti këtë do ta bëjë me zhvatje ekstreme, sepse dëshiron të jetë kryeministri i parë i Kosovës, që do të zgjasë gjithë mandatin katërvjeçar.

Albin Kurti dhe Vetëvendosja e tij nuk duan të bëjnë asgjë, që mund t’ua lehtësojë jetën serbëve në Kosovë. Këtë e kanë treguar me qeverisjen e tyre të mëparshme dhe nuk e kanë problem që Serbët të shpërngulen nga Kosova. Faktorët ndërkombëtarë duhet ta dinë këtë.

Tash Vuçiqi. Edhe pse partia e tij është (skeptikët  do ta quanin Ish) partia  catch-all, elektorati i saj është kryesisht e djathta dhe konservatore, unë do të shtoja gjithashtu populliste, dhe për rrjedhojë çdo marrëveshje me Shqiptarët (si dhe me Kroatët, Boshnjakët…) pritet me emocione negative, për të mos thënë diçka më të madhe.

Vuçiq tashmë e ka luajtur disa herë kartën e zvarritjes. Pranimi, por jo nënshkrimi i Marrëveshjes franko-gjermane, instrumentalizimit të Listës Serbe në kuptimin e largimit nga Qeveria e Kosovës, pastaj largimi i Serbëve nga policia dhe gjyqësori, komunat në Veri të Kosovës, rasti Banjska, çfarëdo që ai kishte apo nuk kishte të bënte me të) janë vetëm disa nga lëvizjet që kanë ndikuar në zvarritjen e zbatimit të marrëveshjes.

Ai ka ende formimin e Qeverisë së Serbisë dhe zgjedhjet, që priten në muajin maj si justifikime për zvarritje. Kurti dhe Vuçiq, duke përdorur fjalorin e bixhozit, duhet të luajnë kundër njëri-tjetrit për të mos e zbatuar marrëveshjen, por të duket  kinse bashkëpunojnë.

Ata përshtaten në mënyrë të përkryer me njëri-tjetrin.

Share:

Petar Miletić

Journalist

Share: