Çfarë nuk kupton Kosova lidhur me paditjen e Serbisë për gjenocid

Çfarë nuk kupton Kosova lidhur me paditjen e Serbisë për gjenocid
16/07/2021

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi para pak kohësh se qeveria e tij po planifikonte të inicionte një padi ndaj Serbisë për gjenocid për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe politikat e “aparteidit dhe ndarjes etnike”.

“Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera” kishte thënë Kurti gjatë një vizite në fshatin Poklek në mesin e muajit qershor gjatë përkujtimit të serisë së sulmeve ndaj civilëve, të njohura si masakrat e Drenicës. “Ne duhet të padisim Serbinë për vrasjet e civilëve të pafajshëm, fëmijëve dhe grave shtatzëna, të moshuarve, për përdorimin e përdhunimit si një metodë lufte. Të gjitha këto gjëra janë të dokumentuara dhe do të dokumentohen.”

Konventa e Gjenocidit e Kombeve të Bashkuara nga viti 1948, teksti i së cilës përdoret si bazë për të gjitha gjykimet që përfshijnë gjenocidin, përcakton gjenocidin si “veprim i kryer me qëllim që të zhduket plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar” dhe përfshin “vrasja e anëtarëve të grupit, lëndimi i rëndë fizik ose mental i anëtarëve të grupit, vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës që duhet të sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij.”

Që nga aplikimi në gjykimet e Nurembergut në të cilat u ndoqën penalisht anëtarët e shquar të udhëheqësve politikë, ushtarakë, gjyqësorë të Gjermanisë Naziste për planifikimin dhe kryerjen e Holokaustit dhe krimeve të tjera të luftës, askush në Evropë nuk u akuzua për gjenocid deri kur Gjykata Ndërkombëtare i Krimeve për ish Jugosllavi nisi një seri gjykimesh që përfshinë udhëheqjen politike dhe ushtarake të Republika Serbe dhe përfshirjen e tyre në pastrimin etnik në Bosnjë.

GJNKJ-ja konfirmoi dënimet për gjenocid dhe/ose qëllime gjenocidale ose ndihmë për përkrahjen e gjenocidit për shtatë individë, të njohur në zhargon si rastet Kërstiq, Karaxhiq, Mlladiq, Popoviq, Beara, Nikolliq dhe Tollimir. Në thelb, këto raste ishin kundër individëve edhe pse shumë prej tyre ishin akuzuar në të njëjtën kohë edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale – ose dënimin e atyre që treguan qëllim të përbashkët edhe pse ndoshta nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në to dhe mbështetja e të cilëve për qëllimin e përbashkët çoi në gjenocid ose pastrim etnik.

Është e rëndësishme të kuptohen rastet e gjenocidit në Bosnjë që të jeni në gjendje të parashikoni rezultatin e mundshëm të çdo pretendimi për gjenocid kundër Serbisë në të ardhmen. Gjëja e parë që duhet të merret parasysh është që përbërja politike e Bosnjës është e ndryshme nga ajo e Kosovës. Ushtria e Republikës Serbe ose “Vojska Republike Srpske” (VRS) paraqiti veten si përfaqësuese legjitime ushtarake e parashtetit etnik serb në Bosnjë (çfarë ishte para Dejtonit), ndërsa pranonte mbështetje ushtarake, teknike, morale dhe mbështetje tjetër nga Serbia – GJNKJ-ja ka liruar Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocidin në Bosnjë.

Por të kthehemi prapa – në vitin 1993 Bosnja inicioj një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër pjesës tjetër të Jugosllavisë (në atë moment ishte reduktuar në Serbi dhe Mal të Zi), me të cilën kërkonte që gjykata të vendoste nëse Konventa për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit ishte shkelur nga veprimet e Jugosllavisë kundër Bosnjë dhe Hercegovinës. Gjenocidi, duke qenë një krim aq i rëndë sa ka juridiksion ndërkombëtar, mund të paraqitet në paditë e paraqitura në GJND. Përveç përmendjes së Konventës në padinë e saj, Bosnja përfshiu pretendime edhe për konventa të tjera ndërkombëtare të cilat ishin shkel nga Jugosllavia (përgjegjësia ligjore më vonë u trashëgua nga Serbia dhe Mali i Zi, dhe pastaj vetëm Serbia), përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara për agresionin, Deklaratën universale të të drejtave të njeriut për krimet kundër njerëzimit të kryera nga VRS dhe krime të tjera masive dhe kërkoi pagesë për “kompensimin e plotë për dëmet dhe humbjet”.

Jugosllavia ngriti një kundërpadi, duke vënë në pikëpyetje juridiksionin e gjykatës për të vendosur mbi të gjitha shkeljet. Gjykata kurrë më parë nuk kishte pranuar një padi për gjenocid, duke u ndalur vetëm në një rast tjetër në të cilin Pakistani u thirr në të njëjtën bazë në një proces gjyqësor kundër Indisë pas secesionit të Pakistanit, megjithatë palët ranë dakord dhe padia u tërhoq.

Gjykata vendosi të hedhë poshtë të 17 pretendimet tjera në padinë origjinale të Bosnjës në lidhje me agresionin e Jugosllavisë kundër Bosnjë dhe Hercegovinës, rolin e saj në krime kundër njerëzimit përveç gjenocidit, agresionit, shkeljes së konventave, rezolutës ndërkombëtare dhe çështjeve të dëmshpërblimeve për shtetin dhe qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Gjyqtarët vendosën që ata do të konsideronin vetëm nëse Jugosllavia ka kryer, ishte bashkëkryese ose dështoi në parandalimin ose ndëshkimin e gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Serbia shkeli Konventën e gjenocidit duke mos bërë gjithçka për të parandaluar gjenocidin dhe më pas duke mos gjykuar ata që morën pjesë në të dhe duke mos i dorëzuar ata në GJNKJ (kjo ishte para se Serbia të dorëzonte Mlladiqin dhe Karaxhiqin).

Serbia mbetet vendi i parë në histori i dënuar pasi nuk ka bërë sa duhet për të parandaluar gjenocidin. Bakir Izetbegoviq, njëri nga anëtarët e presidencës trepalëshe në atë kohë, kërkoi në vitin 2017 rishikimin e vendimit, por kurrë nuk u ankimua zyrtarisht dhe GJND-ja nuk e shqyrtoi kurrë sepse dy anëtarët e tjerë të presidencës nuk ishin dakord që ankesa të paraqitej në emër të Bosnjës.

Çështja themelore e padisë së Bosnjës dhe çdo padie tjetër për gjenocid është se pragu për një dënim për gjenocid është jashtëzakonisht i lartë. Të provuarit përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ishte planifikuar shfarosja e pjesshme ose e plotë e një kombi duhet të mbështetet nga një sasi e madhe dokumentesh dhe provash. Kosova ka një avantazh ndaj Bosnjës në një padi të mundshme – që është fakti që masakrat në Kosovë, siç janë ato në Mejë, Suharekë, Krushë të Vogel, Drenicë, Qyshk dhe të tjera u kryen nga forcat ku mund të bëhet një lidhje e drejtpërdrejtë drejt institucioneve të Serbisë (brenda Jugosllavisë në atë kohë). Po ashtu ka avantazhin që Serbia ishte përgjegjëse për mirëqenien e këtyre qytetarëve – në kohën e krimeve, të gjithë ishin shtetas të Serbisë. Nëse qytetarët e një grupi etnik vriten, torturohen ose zhvendosen me forcë nga “vendi i tyre”, atëherë është shumë më lehtë për të provuar gjenocidin.

Problemi është që shumica e këtyre dokumenteve, nëse ekzistojnë, janë në Beograd. Aktualisht nuk ka kanale diplomatike ose të tjera ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që do ta lehtësonin këtë, për më tepër, bashkësia ndërkombëtare ka të ngjarë të qëndrojë larg përfshirjes në mosmarrëveshjen midis të dyve – pasojat në Serbi do të ishin të mëdha. A do të rrezikonte bashkësia ndërkombëtare të zemërojë Serbinë – ose për të qenë të saktë, duke rrezikuar presidentin Aleksandër Vuçiq dhe kontrollin e partisë së tij mbi vendin, i cili nëse asgjë tjetër gjithnjë ka bashkëpunuar lidhur me dialogun për një padi për gjenocid? Shumë analistë do të thoshin jo.

Gjenocidi është një pretendim i paqartë për tu trajtuar – nga njëra anë për shkak të peshës së akuzave, ai kurrë nuk vjetërsohet. Kjo do të thotë që edhe 40 vjet pas konfliktit, Kosova mund të inicioj një padi. Nga ana tjetër, dëshmitarët dhe palët tjera që Kosova mund të përdorë në përgatitjen e rastit të saj po plaken dhe pas shumë vitesh mund të ngrihen pikëpyetje në lidhje me vlefshmërinë e pretendimeve të tyre.

Nëse i lëmë mënjanë parakushtet ligjore, duhet të zhvillohet një debat i rëndësishëm rreth motiveve politike që qëndrojnë pas paralajmërimit të Kurtit. Siç kanë theksuar shumë persona, disa administrata të mëparshme të Kosovës – përfshirë ato të udhëhequra nga Thaçi dhe Haradinaj – kanë filluar hetime përgatitore për një padi të mundshme. Kurti padyshim që po e përdor këtë padi për të fituar poena politik ose për t’i dhënë atij më shumë fuqi në dialog ose për të fshehur faktin se para se të vinte në pushtet ai u zotua se nuk do të merr pjesë në dialog derisa “Serbia të kërkonte falje për krimet e kryera në Kosovë.” Pra, do të ishte logjike të konkludojmë se ai dëshiron që njerëzit të harrojnë premtimin e tij dhe të përqendrohen në këtë padi për gjenocid.

Një gjë tjetër të cilën shumë analistë në rajon kanë vërejtur është edhe “vrazhdësia” me të cilën Kurti filloi të flasë për këtë temë. Ata kanë arritur në përfundimin se ai nuk është i vetëdijshëm për seriozitetin që përfshin padia për gjenocid nëse e hedh temën në çdo konferencë për shtyp. Ne kemi shumë pak njohuri sa larg ka arritur pala kosovare në përgatitjen e padisë, ndërsa edhe më pak për mënyrën si synojnë të vazhdojnë. Problemi i dukshëm që të gjithë vazhdojnë të përsërisin është fakti që Kosova nuk është anëtare e KB-së dhe si e tillë nuk mund ta paraqesë pretendimin vetë para GJND-së. Ka thashetheme që padia do të mund të paraqitet nga Shqipëria, por qeveria në Tiranë gjithashtu ka qëndruar e heshtur për çdo përfshirje të mundshme.

Pastaj është aspekti emocional. Sa herë që Bosnja njoftonte se do të aplikonte për një ankesë ose rishikim të vendimit të GJND-së, një valë masive shprese mbulonte familjet e të mbijetuarve dhe viktimave, madje edhe popullsinë në përgjithësi. Në të njëjtën kohë, reagimet nga politikanët nga entiteti i Republikës Serbe, si Millorad Dodik, do të pretendonin se ishte një veprim destabilizues që kishte për qëllim demonizimin e serishëm të serbëve. Antagonizmat midis boshnjakëve dhe serbëve të Bosnjës do të rriteshin, ashtu si retorika vizavi Bosnjës dhe Serbisë.

Për më tepër, koha për një njoftim të tillë nuk mund të jetë e rastësishme. Derisa Dhomat e Specializuara përgatiten të fillojnë gjykimet e tyre për krimet e luftës të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, padia për gjenocid mund të shërbejë si një kundërpeshë për sa i përket argumenteve kundër Serbisë – shih, ne po gjykojmë njerëzit tanë por tani edhe ju duhet të bëni këtë. Madje, Serbia nuk do të gjykohej vetëm për krimet e luftës dhe NPK, do të gjykohej për një krim shumë më të tmerrshëm. Në këtë mënyrë, Kosova do të fitonte argumentin moral – kosovarët do të mund të thoshin, po, populli ynë bëri krime lufte, por i juaji bëri gjenocid.

Reagimet nuk kanë qenë shumë intensive në Kosovë. Mjaft interesant, ekziston një konsensus i gjerë në mesin e opinionit shqiptar të Kosovës se Serbia padyshim kishte kryer gjenocid në Kosovë, deri në pikën që shumë nuk janë të befasuar se po ndodh kjo. Ky është një tregues sesa i shkëputur ka qenë publiku shqiptar i Kosovës nga debatet në rajon në lidhje me këtë çështje gjatë së kaluarës – në fakt, nëse janë të zgjuar, Qeveria e Kosovës do të duhej të punësonte avokatë nga Bosnja që i dinë të gjitha specifikat e rastit të Bosnjës për t’i ndihmuar ata të ndërtojnë padinë e tyre. Të mos qenit të njoftuar me rastin e Bosnjës do të rrënonte padinë që nga fillimi.

Për të mbijetuarit dhe familjet e të vrarëve ky mund të jetë një traumatizim i serishëm, për të cilin nuk kanë nevojë pas kaq shumë vitesh. Ata do të mendojnë se kjo padi – dhe në sytë e tyre, perspektiva e suksesit është e qartë – do të jetë një vërtetim për vrasjen e pakuptimtë të anëtarëve të familjeve të tyre. Imagjinoni zhgënjimin e tyre nëse dështon.

Gjithashtu do t’i antagonizojë ata (në disa raste edhe më shumë) ndaj serbëve me të cilët e ndajnë vendin e njëjtë dhe një pjesë e fajit për dështimin e rastit do t’ia hidhnin edhe atyre. Sepse qëllimi kryesor i dënimit për gjenocid është satisfaksioni moral. Krimet kundër njerëzimit – një rast që Kosova me siguri do ta fitonte – nuk e ka peshën e njëjtë.

Dënimet për gjenocid janë në krye të listës së dënimeve më të tmerrshme me të cilat mund të përballet një vend ose individ dhe për ata që bartin dhimbjen e të dashurve të humbur – satisfaksioni që ata ndoshta presin gjithë këto vite është të shohin Serbinë të akuzuar. Dënimi për gjenocid do të provonte që të dashurit e tyre ishin shënjestruar qëllimisht për shkak të anëtarësisë së tyre të vërtetë ose të perceptuar në një grup – duke provuar pretendimin e përhapur gjerësisht në mesin e shqiptarëve të Kosovës se qeveria serbe kishte për qëllim zhdukjen e tyre. Për shkak të kësaj mund të jetë një nga vendimet më serioze që Kosova ka ndërmarrë ndonjëherë kundër Serbisë – një, që, duke gjykuar nga rrethanat aktuale, ka të ngjarë të mos jetë i suksesshëm në përfundim.

Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës

Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.

Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.

Share:

Una Hajdari

Una është një gazetare e pavarur e përqendruar në Evropën qendrore dhe lindore dhe Ballkanin. Ajo kryesisht kontribuon në daljet në SH.B.A., duke u përqëndruar në tema të tilla si ekstremi i djathtë, populizmi, nacionalizmi, pakicat dhe identiteti në vendet e mëparshme socialiste. Kohët e fundit ajo ishte një bashkëpunëtore me Projektin Theound Truth dhe Fondacionin Ndërkombëtar të Grave për Media.

Share: