Me shumë gjasa Albin Kurti do t’i fitojë zgjedhjet. Për shumë arsye, por ndoshta për më kryesoren, që ai dhe partia e tij nuk ka qenë kurrë në pushtet. Njerëzit nëpër Kosovë janë vërtetë të lodhur. Ata duan një ndryshim. Gjendja e rënduar shoqërore, politike e ekonomike i ka vënë njerëzit në një situatë ku ata do të votojnë duke shpresuar, por edhe duke qenë shumë skeptik njëkohësisht. Kurti nuk është shpresa e pastër, nuk është drita në fund të tunelit për të cilin je i sigurtë se është dalja nga tuneli i errët, është më tepër si drita e cila të gëzon, por të cilës i druhesh se mund të jetë edhe treni që po vjen në drejtimin tënd.
Këtë përshtypje timen, ma fuqizoi familjari i një dëshmoreje grua të familjes Hetemi që jeton në Leposaviq e të cilën familje e takoi Kurti në ditën e parë të fushatës. Këtë familje të kësaj gruaje dëshmore të UÇK-së nuk e paska vizituar asnjë politikan kosovar që nga paslufta. Ndonëse qytetarët serbë të Kosovës mund të mendojnë se në Kosovë, veteranët, familjet e dëshmorëve dhe civilëve të vrarë nderohen e respektohen, e vërteta është krejt e kundërt. Ata kryesisht instrumentalizohen për qëllime politike, por, në fund të ditës ata mbesin të braktisur në varfëri.
Një burrë që foli në emër të familjes Hetemi të cilën e vizitoi Kurti në Leposaviq, e cila paska 4 vëllezër, të gjithë të papunë dhe në një gjendje të rëndë ekonomike, tha se ëndërra e tij kishte qenë liria e Kosovës (nga regjimi i Millosheviqit), mirëpo ishte zhgënjyer shumë. Nuk e la me aq, ai vazhdoi para Kurtit, pa u ndrojtur siç zakonisht ndruhen qytetarët para politikanëve: “ëndërra ime tjetër është ta shoh Vetëvendosjen në pushtet, por nëse vazhdon edhe ajo (Vetëvendosje) si të tjerët, atëherë na faroi dreqi të gjithëve”. Pra, shpresë dhe frikë në një fjali shumë të fuqishme. Numri i këso lloj njerëzish në Kosovë, me këso gjendje ekonomike e këso mendime është jashtëzakonisht i madh, çka edhe ia rritë Kurtit gjasat për fitore.
Njerëzit në Kosovë nuk duket se kanë alternativë tjetër. Moralisht është e justifikueshme ta provosh atë që s’e ke provuar, por racionalisht vendimi është shumë i vështirë. Kurti është një orator i madh, edhe njeri me kulturë e me dije të jashtëzakonshme, por ai, sa herë paraqitet në medie për të folur për qeverisjen e tij të mundshme, mungon konkretja. Kurti flet bukur, të njejtën gjë është në gjendje ta përsëritë me 7 fjali të ndryshme secila më e bukur se tjetra, por konkret nuk arrin të jetë. Sipas të gjitha gjasave sepse atij i mungon plani i detajuar, apo ajo që i thonë programi qeverisës. Kjo e frikëson secilin që mendon të veprojë moralisht drejt duke votuar për ndryshimin, pasi frika që përfaqëson racionalen është e madhe. E megjithatë, sado racionale të jetë frika, ajo mbetet frikë dhe nuk do të duhej ta ngjadhënjente vullnetin për liri, drejtësi e barazi. Mendoj se kjo do të ndodhë. Aq e vështirë është situata për qytetarët e Kosovës saqë ata nuk mund t’i mbajë më nën kontroll frika. Ata s’kanë çfarë humbin pos varfërisë dhe shtypjes strukturore.
Përballë Kurtit është kundërkandidatja grua Vjosa Osmani. Ne kosovarët, duhet të jemi krenarë, që jemi në një stad ku një grua dhe një burrë, të dy të rinj e të pakorruptuar po garojnë në një proces zgjedhor që po zhvillohet demokratikisht, sidomos krahasuar me vendet fqinje pa asnjë përjashtim. Vërtet duket se kemi mundur mjaft shumë simbolikisht patriarkalizmin, por a do ta mundim në ditën e zgjedhjeve? A do ta votojnë kosovarët një grua për kryeministre me 6 tetor? A do ta votojnë burrat kosovarë, një nga gjinia që ata e shohin si inferiore? Po gratë e tyre, a do të jenë mjaftueshëm të lira të votojnë për një të gjinisë së tyre? Dyshoj shumë, por do të isha shumë krenar nëse do të ndodhte e kundërta. Për më tepër, a do të mund të besojnë kosovarët se ndryshimi mund të vijë nga një parti që ka qenë po ashtu shumë gjatë në pushtet?
Simbolikisht, kosovarët në këto zgjedhje e kanë luksin të votojnë mes një burri plot kualitete politike e personale (edhe të meta natyrisht) dhe një gruaje po ashtu me kualitete profesionale e politike (me të meta natyrisht) e cila përkundër asaj që pritet në shoqërinë patriarkale, qe revolucionare ndaj partisë së saj old school (LDK-së), aq sa u detyruan ta kandidonin për kryeministre për shkak të përkrahjes masive që ajo kishte në anëtarësinë e partisë së vet. Të dy në njëfarë mënyre përfaqësojnë rebelimin, secili në sasinë dhe mënyrën e vet.
Në anën tjetër i kemi të diskredituarit, të ashtuquajturit “krah i luftës”, që tashmë në nënvetëdijen e kosovarëve njihen si krahu i korrupsionit. Ata, sidomos PDK, kanë instaluar klientelat e tyre në institucione publike. Mirëpo përgjatë viteve të qeverisjes bashkë, madje edhe me partinë e kandidates Vjosa Osmani, kanë ndarë mes vete këtë trupë masive klienteliste të votuesve. Sidomos në dy vitet e fundit kur i gjithë krahu i luftës, të cilin Srpska Lista e mbështeti dhe ia bëri të mudnshme qeverisjen, qeverisën bashkë duke instaluar secili klientelën e vet. Ama, në këto zgjedhje këto klientela do të jenë në garë mes vete dhe rezultati i pritur nuk mund të jetë si ai i zgjedhjeve të kaluara kur ky krah garoi në një listë. Tani secila parti e krahut të luftës do ta mobilizojë klientelën e vet kundër të gjithë të tjerëve. Në fund të fundit papunësia e të rinjve nën moshën 25 vjeçare është 54% sipas matjeve të shtetit. Shto këtu të papunët e mbi moshës 25 vjeçare, del se masa më e madhe e njerëzve nuk janë të lidhur direkt në mënyrë klienteliste me partitë. Prandaj, shanset janë të vogla që ndonjë nga krahu i luftës të jetë i dyti, e lëre më i pari.
Pavarësisht kush fiton, e presin negociatat me Serbinë, apo siç e quajnë tashmë të gjithë, madje edhe Kurti “dialogu me Serbinë”. Kjo shprehje më e butë mundohet ta fsheh të vërtetën për të dy palët. Për Kosovën se Serbia nuk e njeh, e dialogu bëhet vetëm mes të barabartëve; për Serbinë sepse negociatat nuk bëhen për atë që ti e konsideron pjesë tënden. Pra, Kosova e fsheh mosbarazinë përballë Serbisë në formatin e këtyre negociatave, e Serbia e fsheh faktin që në këto negociata po negocion për atë që në Kushtetutën e saj është pjesë e vetja, pra po negociohet kushtetuta e Serbisë.
Sado që serbët mund të frikohen nga mundësia që kryeministër i Kosovës të jetë Kurti dhe efektet që ata presin se mund t’i ketë “Kurti radikal “në këto negociata, përshtypja e të gjithë neve të tjerëve në Kosovë është se Kurti tashmë ka dhënë indikacione serioze se do të jetë, siç do ta quante Trump: “fleksibil”. Ai në këtë fushatë dhe në fushatën e kaluar zgjedhore nuke përmend Bashkimin Kombëtar vet, përveç kur ia kërkojnë gazetarët, madje thotë se tash nuk është koha për Bashkim Kombëtar Shqiptar. Për taksën tashmë ka thënë se nuk është politikë e tij, ai në vend të taksës do ta përdorë “reciprocitetin” çkado që kjo mund të nënkuptojë. Negociata do të ketë dhe negociatat do të shkojnë ashtu siç kërkojnë fuqitë e mëdha perëndimore, me ca mëlmesa ballkanike e shou që mund të sjellin në përballje Kurti dhe Vuçiç.
Si përmbledhje, ajo që mund të presim nga këto zgjedhje në Kosovë, është ndryshimi formal e simbolik në afat të shkurtër, gjë që do t’i çojë të gjitha partitë drejt modernizimit në afat të mesëm e të gjatë. Në anën tjetër, për përmirësime në përditshmërinë tonë, na mbetet të luftojmë përmes aktivizmit e mjeteve tjera qytetare, siç kemi bërë dhe po bëjmë aktualisht.