Në pritje të normalizimit

Në pritje të normalizimit
18/06/2021

Duket pothuajse e vështirë ta kujtojmë vitin 2011 kur për herë të parë kishin nisur takimet e nivelit të lartë shtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tre vite pas pavarësisë së Kosovës, dukej sikur ky komunikim në kryeqendrën evropiane, e kishte shtyer Serbinë që të gjejë një shteg për të njohur realitetin e ri dhe për t’u përafruar drejt një vendimi historik – për të thënë më së buti – për të pranuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës qoftë edhe në ndonjë opsion biovok, sidomos pas vendimit afirmativ për Kosovën të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2010. Ndërsa Kosova po hynte në një process forcimi e ngecur nga mungesa e perspektives për anëtarësime ndërkombëtare. Por, ajo çfarë kemi parë më vonë për këto 10 vite, kanë qenë një album me qindra fotografime shtrëngime duarsh në mes liderëve të të dyja vendeve dhe afro 35 marrëveshje teknike të emërtuara si konkluzione, dakordime, shumë prej tyre deri sot të pazbatueshme.

Në mesin e shumë rrokadave ballkanike, tani në Kosovë kreu i Qeverisë dhe bartësi i barrës së dialogut është pikërisht kryeministri Kurti, i njohur për qëndrimin e tij të fortë dhe të pakompromis ndaj diaogut me Serbinë. “Jo negociata – Vetëvendosje” ishte parulla e njohur, e shkruar në shumë mure në sheshet e qyteteve të Kosovës. Pra, bazuar në këtë parim të tij, dialogu bashkëpunues me Serbinë do të ndodhte vetëm pas kërkimfaljes, pranimit të Kosovës shtet dhe pagesës së dëmeve të luftës dhe krimeve të kryera. Por politikani që ndërtoi platformën e tij mbi këto qëndrime të forta, përjetoi përmbysjen e qeverisë së tij të parë në mars të vitit të shënuar nga pandemia, duke i’a lënë biletën ish-partnerit të koaliciont qeverisës Avdualla Hotit, për takimin e shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ku proklamohej se do të nëshkruhej marrëveshja historike.

Opozita aktuale e skenës kosovare, në të cilën secili prej liderëve opozitar kishte marrëpjesënë një kapacitet qeveritar në të kaluarën e kësaj dekade dialogimi, në takimet e Brukselit, e ka gjetur bërthamën e kritikës: Kryeministri Albin Kurti po përpiqet, me mjeshtëri, por me rezultate të dëshpëruara, të gjejë një mënyrë për t’i shpëtuar dialogut, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se ai nuk mund të presë përmbushjen e tre kritereve të forta përpara se dialogu të vazhdojë.

Në Beograd, nga ana tjetër, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, personi i vetëm që ka qenë në negociata që nga fillimi, po insiston që autoritetet e Kosovës të kthehen në dialog. Ndërsa, në të njëjtën kohë, me sa duket Kryeministri Kurti kuptoi që deklarimi se me serbët duhet dialoguar brenda spektrit politik të komunitetit serb brenda Kosovës nuk ka kohë e as hapësirë që të ndodhë. Madje, ai as që provoi as në mandatin e parë e as tani në fillim të mandatit të dytë që të vizitoj Shtërpcën, Graçanicën apo Leposaviqin, t’i dëgjoj nga dora e parë brengat dhe kërkesat e serbëve në Kosovë.

Cila është qasja e re në dialog e qeverisë së re të Kosovës?

Praktikisht nuk ka qasje të re nga qeveria e re. Ndërtimi i pozicioneve për parimet e dialogut dhe çështjet e panegociueshme si sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit – kjo tashmë është formulë e njohur edhe nga qeveritë e mëparshme. Ftesa e qeverisë për partitë opozitare për të harmonizuar qëndrimet, sepse dialogu me Serbinë dhe marrëveshja eventuale përfundimtare konsiderohet se nuk janë pronësi vetëm e qeverisë – edhe ky qëndrim i njohur nga qeveritë e mëparme. Po çfarë ka për të ndryshuar nga dekada e dialogut zvarritës? A ka Kosova fuqi për të imponuar qëndrime të forta? A duhet pritur ditë më të mira për një marrëveshje të kënaqshme që nuk do të kërkonte asnjë kompromis të dhimbshëm nga Kosova? A ka kohë Serbia të pres dhe a është strategjia e saj për një zvarritje pafund.

Nëse ndalemi dhe e lexojmë politikën aktuale sikur me ato syzet pa dioptri, duket të jetë krejt e thjeshtë: SHBA-të duan që ta mbyllin storien për projektin e tyre të quajtur Kosovë, për shumë arsye të tyre gjeostrategjike. Brukseli ka kohë më se të mjaftueshme për të shtuar albumin e fotografive të dialogut në Bruksel. Politika e moszgjerimit të BE-së tanimë është fare lehtë e lexueshme nga çdokush që dëgjon lajme ditore. Serbia ka mirëmbajtur në mënyrë brilante marrëdhëniet me Brukselin dhe me Rusinë njëkohësisht. Ka lënë takime për të hapur disa kapituj të procesit të saj integrues, por pa dëshirën për nxitim. Ka forcuar investimet e huaja ekonomike nga të gjitha burimet dhe ka betonuar qëndrimin për neutralitet ushtarak dhe mosanëtarësim në NATO.

Pra, çfarë i mbetet Qeverisë së re për të vepruar ndryshe nga ajo deri më tash. Mundësitë shihen tek shkuarja në dialogun e përgatitur mirë me tema nga lartë-poshtë. Procesi i deritanishëm, i cili në fakt u ndërpre para një viti, kishte një kornizë temash të ndryshme, por që qasja ishte “merremi vesh për të gjitha çështjet, por në fund pajtohemi ose jo në pako për të gjitha njëherësh”. Nëse do të vazhdohej me këtë dinamikë dhe kornizë të njëjtë, Qeveria Kurti do të duhej të kthehej në Bruksel në takimet me grupet punuese teknike për menaxhimin e integruar të kufirit, me të zhdukurit, me diplomat, me linjën ajrore, e të ngjashme, ndërsa koha e nevojshme për zbatimin e tyre do të tejkalonte limitin diplomatik e strategjik për një marrëveshje finale. Kjo marrëveshje tashmë ka marrë shumë epitete edhe brenda vet faktorëve diplomatik evropian. Dikush e quan marrëveshje finale, ne marrëveshje për njohje të ndërsjellë, dikush marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e dikush tjetër traktakt paqeje, ndonëse lufta ka mbaruar kaherë.

KURTHI PËR KURTIN

Kryeminstri Kurti ka një kapital në refuzimin e dialogut. Ironia e kohës ia la barrë e bartur nga një shpinë në tjetrën. Qeveria e re ka dy sfida të mëdha në përgatitjet për rinisjen e dialogut: ndërtimin e unitetit të brendshëm politik, që duket sikur është përherë i nevojshëm, por i dërrmuar nga përvoja e deritanishme e dialogut pa krye. Edhe pa një unitet, çfarëdo marrëveshje duhet të shkoj në Kuvend për ratifikim. Edhe pse kësaj here dallimi qëndron tek qeveria me një legjitimitet të fuqishëm nga zgjedhjet e fundit. Sfida e dytë do të ishte gjetja e recetës së mençur për të lëvizur në vijën e mesit të qëndrimeve amerikano-evropiane. Një ftesë në Washington që Kurti e kishte refuzuar në shtator, për të cilën mbase është i lumtur që doli të jetë e qëlluar. Ndërsa, vazhdimi i dialogut në Bruksel dosido kërkon përfshirjen amerikane. Amerikanët duan një marrëveshje pa vonesë, në të cilën e thonë mjaft qartë se palët duhet të bëjnë kompromise të dhimbshme. Evropianët si drejtues të dialogut 10-vjeçar poashtu e potencojnë se duhet të ketë një kufizim kohor afatshkurtër, por poashtu e thonë me butësi se palët duhet të ndjehen të sigurta në proces dhe jo domosdo të nxitojnë. Natyrisht, që askush nga akterët nuk e kanë harruar faktin që vetëm para 16 muajsh, pjesë e procesit ka qenë një figurë tjetër që ka luajtur në frekuenca të tjera. Ish-presidenti Thaçi me shumë guxim e proklamonte mundësinë e shkëmbimit të territorit apo korrigjimit të kufijve. Këtë, serbët nuk duan ta harrojnë si mundësi, e as disa qarqe evropiane që janë pajtuar se zgjidhjet më të rrezikshme mund të jenë ndoshta edhe më të lehta e shpejta. Sigurisht që opcionet e vrazhdëta me shkëmbime territoresh ose një asociacion të fuqishëm që prishë karakterin unitar të shtetit, duken utopike për kokëfortësinë dhe trashëgiminë politike të kryeministrit Kurti.

Ai ka kapital politik dhe legjitimitet që të qëndroj fort në parimin “të gjitha ose asgjë”. Kjo asgjë është status-quoja aktuale, sepse Kosova nuk shkon në dialog për të marrë asgjë tjetër pos njohjes së subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Linjat e kuqe dhe parimet e panegociueshme mbase do të jenë korniza startuese e qëndrimit të qeverisë së re. Nje element domethënës që do ta ngushtoj manovrën politike të ndërmjetësuesve është se nuk ka forca të tjera që do të mund të zëvendësonin qeverinë aktuale, në çfarëdo dështimi apo mosvullneti të saj për të dhënë diçka të dhimbshme. Njerëzit në Kosovë kanë pritur 22 vite, janë ndërruar e rrëzuar shumë qeveri, dhe mesazhi mund të lexohet qartazi sikur qytetarët e Kosovës i kanë dhënë legjitimitet të fortë forcës politike që ka kundërshtuar në këto dy dekada kompromiset njëri pas tjetrit.

Kurthi mbetet në Bruksel. Diplomacia fluturuese amerikane mund të sjellë ndryshime të papritura në agjendën dhe formatin e dialogut. Derisa nuk e kemi një platformë të shkruar nga qeveria, nuk ka hapësirë për të sjellë risi. Dialogu bëhet për të afruar palët dhe gjetur mesin e dy pikave. Rregullat janë të vendosura, ndërsa pikat e mundshmë për kompromis sikur janë një listë për të zgjedhur. Një dështim i mundshëm i finales së dialogut, e lë vakumin e papërcaktuar kohor për një rast tjetër.

Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës

Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.

Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.

Share:

Admir Salihu

Admir Salihu është Avokat nga qyteti i Ferizajit, që nga viti 2013 ai ka qenë edhe avokat i viktimave në disa gjykime për Krime Lufte ne Beograd. Gjatë karrieres së tij ai ka qenë aktivits i shoqërisë civile si antarë i shumë organizatave jo-qeveritare si INPO,Levizja FOL, FDSHC. Gjithashtu, ai ka punuar edhe si monitorues në gjykimet per krime lufte në Beograd 2005-2007.

Share: