Për më shumë se dy vjet Dialogu i Brukselit ka qenë në një mjegull, dhe kundrejt kësaj prapaskene ka pasur shumë pritje nga samiti i 27 qershorit midis Presidentëve Thaçi dhe Vuçiq që duhej të mbahej në Uashington DC. Pritjet në Kosovë ishin veçanërisht të larta për shkak se për më afër një dekade të qasjes  ‘Veq shnosh se bohet mirë’ (një përshtatje në përkthimin nga anglishtja të – kicking the can down the road) të përpjekjeve të drejtuara nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa disa nga marrëveshjet nga Dialogu i Brukselit padyshim si dhe pozitivisht kanë përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve, procesi anashkaloi çështjet kryesore në qendër të mosmarrëveshjes midis dy vendeve. Për dallim nga BE, Sh.B.A ka thënë qartë se normalizimi nënkupton njohje të ndërsjellë.

Sidoqoftë, samiti kurrë nuk u zhvillua, dhe tani është çështje spekulimi nëse do të kishte çuar në ndonjë hap të rëndësishëm përpara apo ndërtimin e një momentumi të domosdoshëm që do të çonte potencialisht në ndonjë formë të pranimit të statusit të Kosovës nga ana e Serbisë, që është gjithashtu ajo që tha ish Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel në vitin 2018. Samiti dështoi sepse më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar vendosi të publikonte një lajm sipas të cilit kishte paraqitur dy muaj më parë, më 24 orill, një Aktakuzë prej dhjetë pikave për shqyrtimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) kundër Presidentit të Kosovës Z. Hashim Thaçi dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Z. Kadri Veseli, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Sipas njoftimit, “Prokurori Specializuar e ka konsideruar të domosdoshme lëshimin e këtij njoftimi publik të akuzave për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇI dhe Kadri VESELI për të penguar dhe nënvlerësuar punën e DhSK.” Për më tepër, njoftimi flet për “një fushatë të fshehtë për të rrëzuar ligjin për krijimin e Gjykatës.” Kjo shtron një pyetje të rëndësishme: Kur Prokurori i Specializuar u bë i vetëdijshëm për “fushatën e fshehtë” të pretenduar? Për ta quajtur këtë një fushatë, nënkuptohet se kjo kishte ndodhur tash e ca kohë, kështu që pse të mos e bëhej njoftimin më herët ose më 24 prill, por të pritet derisa Presidenti Thaçi të ishte rrugës për në Sh.B.A? Disa në Kosovë e kanë kuptuar këtë si një plan të keq jo vetëm për të parandaluar takimin e 27 qershorit, por edhe për të turpëruar si udhëheqjen e Kosovës, ashtu edhe ShBA dhe në veçanti Ambasadorin Grenell.

Koha e njoftimit ka ngjallur reagime dhe debate pasionante në Kosovë dhe mund të thuhet se ka hapur Gjykatën dhe procesin për kritikë për politizim. Disa kanë vënë në dyshim motivin e kohës së shpalljes, duke përfshirë nëse ishte një veprim i llogaritur politikisht për të sabotuar me qëllim takimin e 27 qershorit, si dhe përpjekjet ndërmjetësuese midis Kosovës dhe Serbisë nga ana e Sh.B.A. Diskutimi në këtë aspekt ka nënkuptuar një lloj lufte për terren ’midis Sh.B.A. dhe BE-së’, me këtë të fundit gjoja të pakënaqur që SH.B.A. do të ishte ajo që mund të sjellë potencialisht një lloj ndryshimi në status quo-n ekzistuese. Mediat lokale në Kosovë e kanë raportuar Përfaqësuesin e Lartë Borrell duke thënë se BE nuk do të ishte një aktor global nëse nuk mund të zgjidhë çështjen e Kosovës.

Që qasja e BE-së ndaj Ballkanit, të jetë një çështje debatuese në marrëdhëniet transatlantike nuk është gjë e re. Marc Ëeller, një nga ekspertët që morrën pjesë në konferencën e paqes në Rambuje, shpjegon se “zgjedhja e një ambienti francez për bisedimet, në vend të një bazë ajrore amerikane në Ohio, kishte për qëllim të simbolizonte aftësinë e evropianëve për të zgjidhur çështjet e tyre të shtëpisë.” Sidoqoftë, sfidat që BE pati në vitet ’90-ta në trajtimin e rajonit, kryesisht mungesa e një qasje koherente dhe aftësia për të folur me një zë, vazhdojnë edhe sot, veçanërisht në lidhje me Kosovën.

Duke lexuar përmes deklaratave publike të udhëheqjes së Kosovës, duket se ajo që u bë e qartë për Kosovën, posaçërisht pasi Komisioni Evropian humbi në mënyrë efektive kontrollin e dialogut, është se për disa ndryshime në status-quo në marrëdhëniet Kosovë-Serbi nuk ishte – të thuhet më së paku – prioritet që ata do të ishin të gatshëm të investojnë kapital politik për të arritur. Me fjalë të tjera, disa akter në BE nuk nuk u panë as të gatshëm të krijojnë me të vërtetë presionin e nevojshëm për të zgjidhur çështjen e Kosovës dhe as nuk donin që të tjerët ta bëjnë atë.

Fakti që qytetarët e Kosovës vazhdojnë për më shumë se një dekadë tani të jenë të vetmit që kanë mbetur jashtë nga procesi i liberalizimit të vizave, megjithë konfirmimet nga ana e Komisionit Evropian se të gjitha kushtet janë arritur, është një dëshmi e rëndësishme jo vetëm e nivelit prioritar të Kosovës në BE në sytë e qytetarëve por edhe se si vendi shikohet në thelb nga disa shtete anëtare. Ironia e situatës është se DhSK është në thelb një institucion i Kosovës – i financuar nga BE dhe që operon në Hagë/Holandë jashtë çdo ndikimi nga Kosova – por arsyeja kryesore e përmendur për vazhdimin e izolimit është sundimi i ligjit. Zyrtarë të lartë nga BE, si dhe nga vendet anëtare, kishin insistuar se miratimi i ligjit për DhSK-në paraqiste një kusht themelor për liberalizimin e vizave, dhe ky ishte një motiv shumë i rëndësishëm për shumë anëtarë të Kuvendit të Kosovës, si dhe qeverinë që mbështeti krijimi i DhSK-së.

Perceptimi i llogaritjeve politike në punën e gjyqësorit nuk mund të jetë kurrë një shenjë e mirë për drejtësi ose sundim të ligjit, edhe nëse ato janë vetëm perceptime. Koha e njoftimit ka dëmtuar kredibilitetin e institucionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Për rrjedhojë, debatet për njoftimin janë përqendruar në gjithçka tjetër, përveç viktimave të pretenduara në aktakuzën e ngritur. Kjo nuk është e drejtë, dhe është nuk është shërbim i mirë ndaj drejtësisë.

(Autori aktualisht është kandidat për doktoratë në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e qytetit të Dublinit (DCU) dhe hulumtues i lartë në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

(1)Marc Weller (1999) ‘Konferenca e Rambujesë për Kosovën’, Marrëdhënie Ndërkombëtare 75 (2), faqe 211-251

Avatar
Ramadan Ilazi