A është thirrja e Kurtit ndaj serbeve të Kosovës për dialog të brendshëm propozim i pahijshëm?

A është thirrja e Kurtit ndaj serbeve të Kosovës për dialog të brendshëm propozim i pahijshëm?
24/03/2021

Formimi, sipas të gjitha gjasave, të qeverisë së dytë të Albin Kurtit, përkon me shënimin e dhjetëvjetorit që nga kur termini “dialog” në Bruksel u bë fjalë e modës në raporte serbo-shqiptare. Meqë “dialogu” ende nuk çoi deri te marrëveshja për “normalizim”, i cili është edhe një tjetër koncept të cilin përdorimi i tepruar ditor politik e kthen në një klishe, pritej që Kurti, në cilësi të kandidatit për kryeministër të Kosovës, të deklarohej për fatin e tij. Përkundrazi pritjeve të diplomatëve perëndimorë, të cilët në urimet e tyre pas zgjedhjeve e shprehen shpresën për vazhdim të shpejtë të dialogut, Kurti paralajmëroi që Qeveria e tij do të ketë prioritete të tjera. Një qëndrim i tillë, megjithatë, nuk do të thotë që kryeministri i ardhshëm i Kosovës vetën nuk e sheh si politikan të “dialogut”. Ngjashëm si dhe pas fitores në zgjedhjet e vitit 2019, Kurti e paralajmëroi inicimin e dialogut të brendshëm me serbët e Kosovës.

Tingulli satirik i paragrafit hyrës nuk ka për qëllim t’i nënçmojë avantazhet e dialogut si një qasje për zgjidhjen e problemeve. Përkushtimi ndaj dialogut paraqet sjellje të dëshirueshme të çdo politikani ballkanik. Përkundrazi dialogut dhe ndërtimit të konsensusit gjendet imponimi i njëanshëm i vullnetit, shpesh në mënyrë të dhunshme, gjë me të cilën historia e marrëdhënieve serbo-shqiptare është thellësisht e ngarkuar. Megjithatë, në mënyrë që dialogu të jetë i mirëfilltë dhe efektiv, ai duhet të bazohet në parime të caktuara. Ky është testi i parë që nisma e Kurtit duhet ta kalojë.

Edhe pse Lista Serbe (Srpska lista) në zgjedhjet e sapo përfunduara i rifitoj të gjithë 10 vendet që janë të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, ftesa për t’u përfshirë në dialog të brendshëm nuk ka gjasa që do t’i arrijë. Sipas vlerësimit të Kurtit, kjo parti politike nuk i përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës, por të Beogradit zyrtar, andaj ajo nuk ka vend në dialog të brendshëm.

Edhe pse është vështirë të mohohet pretendimi që në mjediset serbe në Kosovë nuk ekziston pluralizmi politik dhe mundësia e vërtete e zgjedhjes, edhe më vështirë është të kërkohen përfaqësuesit legjitim të serbëve përveç atyre që i mbështet elektorati. Nëse rezultatet e zgjedhjeve pranohen si pikë referimi, e vetmja alternativë ndaj Listës Serbe mund të jenë iniciativat e qytetare Komuniteti i Bashkuar në krye me Adrijanën Hoxhiq (Adrijana Hodžić) dhe Nisma rome të cilën e udhëheq Gazmen Sallijeviq (Gazmen Salijević). Bëhet fjalë për listat e vetme që kanë arritur ta “tërheqin” një numër të ish votuesve të Listës Serbe në mjediset serbe. Megjithatë, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Gjykatës Supreme për t’i anuluar votat të cilat këto lista i kanë fituar në komuna me shumicë serbe, as opsioni për t’i ftuar ato për të marrë pjesë në dialog si përfaqësues të serbëve të Kosovës nuk do të ishte legjitim.

Tingulli satirik i cili e karakterizon paragrafin paraprak ka për qëllim që të kompensojë vlerësimet më të guximshme rreth kësaj situate të cilat do duhej të deklarohen lidhur me veprimet e Listës Serbe dhe të institucioneve të përmendura. Këto komente do ta presin një rast (mundësi) tjetër, pasi që ngjarjet në lidhje me zgjedhjen e përfaqësuesve të komunitetit boshnjak dhe rom, janë një temë për të cilën akoma do të shkruhet.

Nëse pranohet qëndrimi që Lista Serbe nuk është përfaqësuesi i vërtetë i serbëve të Kosovës, atëherë mbetet e pazgjidhur çështja se kush do duhej ta përfaqësojë komunitetin serb në dialog të brendshëm. Duket se zgjidhja të cilën Kurti ka mundësi se do ta ndjekë, është që t’i zgjedh bashkëbiseduesit nga ana serbe. Një veprim i tillë, megjithatë, do të shkelë një nga parimet elementare të çfarëdo dialogu i cili supozon që çdo palë vetvetiu zgjedh përfaqësuesit e vet. Në një qasje të tillë, gjithashtu, njihet jehona e praktikës së dikurshme të autoriteteve të Beogradit për të gjetur “shqiptarët e ndershëm”. Bashkëbiseduesit të cilët Kurti do t’i zgjidhte, do të ishin ata që sipas qëndrimeve janë më të përafërt me të, e jo domosdoshmërisht me qëndrimet e shumicës së serbëve në Kosovë. Një nga kandidatët e mundshëm është Nenad Rashiq (Nenad Rašić).

Edhe përkundër refuzimit retorik të bashkëpunimit me Listën Serbe, Kurti nuk do të jete në gjendje ta anashkalojë detyrimin kushtetues që në Qeveri të re t’i përfshijë edhe ministrat që ajo i propozon. Një skenar i ngjashëm u pa ne vitin 2020, gjatë formimit të Qeverisë së parë të Kurtit. Në përputhje me këtë, do të ishte logjike të supozohet se Kuvendi dhe Qeveria mund të përfaqësojnë një mjedis të përshtatshëm për dialog të brendshëm. Megjithatë, pasi që Kurti nuk është i interesuar për marrëdhënie më të ngushta me ministra nga Lista Serbe, dialogu të cilin ai e ka parasysh, me siguri do të zhvillohet jashtë institucioneve. Në atë udhë është edhe deklarata e tij për nxitjen e bashkëpunimit mes bujqve shqiptarë dhe serbë.

Në refuzimin e institucioneve të sistemit, si kornizës së duhur për zhvillim të dialogut, shihen edhe elemente populiste, që nuk janë të panjohura për veprimtarinë politike të Kurtit. Qëndrimi i tillë vazhdimisht e shpreh besimin që nuk ka nevojë, që mes tij dhe qytetarëve, të ekzistojnë procedurat dhe institucionet, kur ai si lider është në gjendje që drejtpërdrejtë ta dëgjojë vullnetin e popullit. Megjithatë, për anën serbe është më me rëndësi, por edhe më e rrezikshme, që përmes thirrjes për dialog të brendshëm është paketuar edhe refuzimi i afatgjatë i procesit të Ahtisarit dhe atij të Brukselit nga ana e Vetëvendosjes.

Plani i Ahtisarit, i cili është bazë i rendit juridik të Kosovës, përcakton ndoshta shkallën më të lartë të të drejtave që komunitetet pakicë mund ta gëzojnë në Ballkan. Nëse përjashtohet zgjidhja e statusit të saj, plani në një masë të madhe i përmbushi pritjet e anës serbe në pikëpamje të organizmit të brendshëm të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje mbeti jashtë konsensusit bazik i cili u vendos mes akterëve relevant politikë shqiptarë dhe e refuzoi planin e Ahtisarit, duke konsideruar që lëshimet që po ia bënte anës serbe janë tepër bujare. Qëndrim të ngjashëm Lëvizja Vetëvendosje mori edhe ndaj procesit të Brukselit dhe marrëveshjeve.

Dilema që shfaqet për komunitetit serb në Kosovë rreth pranimit të thirrjes (ftesës) për dialog të brendshëm jashtëinstitucional ka të bëjë me respektimin e të drejtave dhe garancive ekzistuese. Agjenda e fshehur me të cilën Kurti po hyn në dialog të brendshëm ka të bëjë me qëllimin që të tregohet që korniza e ndërlikuar e cila në Kosovë i rregullon marrëdhëniet mes shumicës dhe pakicës, është e tepërt. Shqiptarëve dhe serbëve nuk u nevojiten zgjidhjet konfuze institucionale që i kanë paramenduar të huajt, kur edhe jashtë tyre mund t’i zgjidhin problemet dhe të arrijnë marrëveshje. Nuk është vetëm Lista Serbe ajo për të cilën nuk ka vend në dialogun e brendshëm, por janë të tepërta dhe pozitat e garantuara të përfaqësuesve të komunitetit serb në Kuvend dhe Qeveri. Kur tregohet se garancitë ekzistuese nuk janë të domosdoshme, atëherë nuk qëndron larg as kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës, që do t’i heqë pengesat që Kosova të hyjë në forma të reja shtetërore.

Duke vënë nën pyetje të drejtat dhe garancitë ekzistuese, Kurti në mënyrë paradoksale i afrohet qëndrimit të Beogradit që autoritetet e pushtetit në Kosovë i paraqesin “institucionet e përkohshme”. Nga ana tjetër, me qëllimet e Vetëvendosjes që të kërkojë rishikimin e aranzhimeve ekzistuese, mbështeten edhe sjelljet e anës serbe, e cila planin e Ahtisarit e sheh si një “tavoline suedeze” nga e cila mund ta zgjedhë atë që i pëlqen. Në të njëjtën kohë, Lista Serbe me sjelljet e saj lidhur me zgjedhën e përfaqësuesve boshnjakë dhe romë, e dha një hapësirë shtesë për ta parashtruar pyetjen se a i nënshtrohen keqpërdorimit mekanizmat institucionale për mbrojtjen e komuniteteve joshumicë. E gjithë kjo tregon se nuk është zgjedhur çështja e kornizës për zhvillim të dialogut të brendshëm dhe e parimeve mbi të cilat duhet të bazohet.

Në mënyrë që dialogu të çojë te zgjidhja e çështjeve të hapura, qoftë se ai zhvillohet në Bruksel apo në Prishtinë, procesi duhet të bazohet në parime të cekura qartë. Një nga parimet themelore është që secila palë t’i përzgjedh përfaqësuesit që i përfaqësojnë. Kushti i dytë është se dialogu nuk do duhej të përdorej si justifikim apo rast për t’u vënë nën pyetje niveli i arritur i të drejtave dhe garancive. Dhe në fund, por edhe më e rëndësishmja, edhe pala serbe edhe ajo shqiptare, duhet të pranojnë që dialogu vetvetiu do të thotë pak, nëse marrëveshjet deri te të cilat ai shpie, nuk zbatohen në mirëbesim.

Seria e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosovës

Opinionet e shprehura në këtë seri të op-eds nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondi Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose Qeverisë së SH.B.A.

Projekt mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe USAID.

Share:

Ognjen Gogić

Ognjen Gogić është një shkencëtar politik i specializuar në zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes. Ai aktualisht po punon si menaxher i projektit në OJQ Aktiv.

Share: