Ne, anëtarët e shoqërisë civile po i ndjekim me vëmendje zhvillimet në lidhje me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përkundër kërkesave të vazhdueshme për një rol të shtuar dhe përfshirje të SHBA-ve në dialog, ne shprehim shqetësimin tonë për mungesën e transparencës që ka shoqëruar procesin e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington. Për më tepër mbeten ende të panjohur hapat e ardhshëm drejt zbatimit të saj.

Duke ndjekur praktikë të njëjtë, Qeveria po vazhdon takimet në Bruksel, ku është paralajmëruar mundësia e arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Sidoqoftë, përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë ofruar detaje në lidhje me agjendën, temat dhe pozicionin e Kosovës në këto takime në Bruksel.

Qeveria e vendit si bartëse e këtij procesi nuk ka qenë transparente as ndaj Kuvendit si organi më i lartë mbikëqyrës i politikës së jashtme. Raportimet e deritanishme të Qeverisë në Kuvend në lidhje me dialogun kanë qenë vetëm sipërfaqësore, duke mos ofruar informacione konkrete për zhvillimet në kuadër të këtij procesi. Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë me deputetët as platformën shtetërore për dialogun me Serbinë dhe nuk e ka bërë publik këtë dokument as për qytetarët. Mungesa e informacionit në lidhje me dialogun ka shkaktuar konfuzion dhe pasiguri tek qytetarët për rezultatet e pritura të këtij procesi.

Prandaj ‘Platforma e Shoqërisë Civile për Dialog’ kërkon që procesi i dialogut të zhvillohet mbi parime të mirëfillta të transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë para Kuvendit dhe publikut të gjerë.

Shares